Skënderbeu piketon portierin e së ardhmes, ja kush do të jetë pasuesi i Shehit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 26, 2017 | 18:02

Skënderbeu piketon portierin e së ardhmes, ja kush do të jetë pasuesi i Shehit

Skënderbeu piketon portierin e së ardhmes pas largimit nga futbolli i luajtur i kapitenit Orges Shehi, që pritet të ndodhë në fund të këtij sezoni. Korçarët duket se kanë hedhur sytë nga Gentian Selmani, djaloshi “i artë” i Laçit, që prej tre sezonesh mbron portën e kurbinasve.

selmani

Kjo është ideja më e fundit që Skënderbeu ka projektuar për të ndërtuar të ardhmen e portës bardhekuqe. Sigurisht që largimi i Shehit nga futbolli i luajtur mund të krijojë një gropë në kampin korçar, për sa i përket portës. Kjo pa dyshim, edhe për faktin se Shehi ka qenë një nga pikat më të forta të Skënderbeut, mbi të gjitha në sezonin aktual me paraqitjen e mirë në Ligën e Europës.

shehi

Ndonëse portierët e talentuar nuk mungojnë në kampin e Skënderbeut, duket se korçarët janë duke kërkuar një “gardian” që të mbartë eksperiencën me vete. Dhe pikërisht për këtë janë hedhur të gjitha piketat e klubit mbi Gentian Selmanin. 19-vjeçari i Laçit pëlqehet shumë nga drejtuesit e Skënderbeut dhe burime të sigurta pranë klubit korçar bëjnë me dije për gazetën “Panorama Sport” se kanë filluar bisedimet me ekipin kurbinas për të marrë shërbimet e portierit të Laçit, gjë që pritet të ndodhë në merkaton e verës.

Po të njëjtat burime të konfirmuara edhe pranë portierit të kurbinasve, theksojnë se tratativa ka ecur mjaft dhe parimisht mes klubeve është gjetur akordi që në verën e 2018- s Selmani të ndërrojë ambient, për t’u zhvendosur në Korçë. Kjo pak a shumë është e gjithë tratativa që po bëhet në aksin Laç-Korçë.

Selmani

Për momentin nuk flitet për shifrat e transferimit, por vetëm për faktin se gjithçka mes klubeve në parim është e mbyllur. Gjë të cilën, në njëfarë mënyre, e konfirmojnë edhe në kampin kurbinas, por edhe në Korçë, pavarësisht se janë shprehur mjaft të rezervuar për këtë rast.

Arsyeja e përzgjedhjes – Zgjedhja e Gentian Selmanit, si pasuesi i Orges Shehit në portën e Skënderbeut, përveç moshës së re që ka portieri i Kombëtares U-21, është bërë edhe për një tjetër arsye. Pikërisht kjo ide në kampin korçar lindi menjëherë pasi nuk u bë i mundur transferimi i Enea Koliçit në fillim të këtij sezoni te korçarët.

selmani hoxha

Kujtojmë që pogradecari ishte shumë pranë kalimit në juglindje te Skënderbeu verën e këtij viti, por kontrata me Kukësin u bë shkak i dështimit të tratativës mes dy palëve dhe mbylli përfundimisht këtë kapitull, që u vulos akoma edhe më shumë nga vendimi i Orges Shehit për të vijuar edhe një edicion me Skënderbeun dhe futbollin e luajtur.

Tani, kur gjysma e sezonit u mbyll, në Korçë nuk duan të humbin kohë, por po veprojnë në mënyrë të përshpejtuar, duke bërë që, me shumë mundësi, Selmani të jetë “gardiani” bardhekuq për edicionin e ardhshëm.

LLAZI SARO 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"