Skënderbeu piketon Micin dhe Telushin si afrimet e para

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 22, 2016 | 12:40

Skënderbeu piketon Micin dhe Telushin si afrimet e para

Është koha e merka tos dhe në kampin bardhekuq kanë filluar të krijohen idetë e para në lidhje me lojtarët që mund të afrohen te Skënderbeu. kukesi miciPër momentin asgjë nuk është bërë zyrtare, apo të paktën akoma nuk ka bisedime konkrete, pasi gjithçka do të varet nga e ardhmja e trajnerit të Skënderbeut. Vetëm pasi të konfirmohet qëndrimi i Josës apo në rastin më të keq konfirmimi i një trajneri të ri, atëherë mund të flitet për bisedime zyrtare.

Megjithatë, zërat e parë janë ndjerë në Korçë dhe kanë filluar të zgjojnë atmosferën e përgjumur disi pas festës së titullit kampion. Piketat e para duket se janë vënë nga drejtuesit e klubit dhe kanë filluar të ndjekin lojtarët e parë. Për momentin flitet se synohen dy lojtarë të Superiores që kanë bërë mjaft mirë me ekipin e tyre.

Tani që kapiteni i Skënderbeut, Bledi Shkëmbi, ka lënë futbollin e luajtur, në mesin e fushës është hapur një “gropë” e madhe që duhet mbushur dhe Bruno Telushi shikohet si një alternativë ideale. Mesfushori vlonjat mund të jetë i lirë në verë dhe bardhekuqtë janë duke e ndjekur si opsion.

Telushi është emri i parë që flitet për mesfushën e Skënderbeut, ndërsa emri tjetër Gledi Mici, anësori i majtë i skuadrës së Kukësit, i cili pëlqehet shumë në Korçë. Skënderbeu ka filluar që ta ndjekë me kujdes duke studiuar se si do të rrjedhin ngjarjet, për të arritur në një bisedim paraprak për shërbimet e lojtarit. Mici është një futbollist që për nga stili i lojës i pëlqen mjaft trajnerit Josa, që preferon shumë lojën nga krahët.

Vetë profili i Micit, që është një lojtar shpërthyes në krah dhe i aftë të luajë me topin poshtë, bën që ai të jetë në preferencat e merkatos. Këta dy lojtarë duket se do të jenë të parët në listën e dëshirave të Skënderbeut, aq sa edhe vetë drejtori teknik i bardhekuqve, Haris Fakiç, ka pranuar se korçarët janë vënë në ndjekje të disa lojtarëve të Superiores. Gledi Mici dhe Bruno Telushi mund të jenë dy të parët e listës së planifikuar nga drejtuesit e klubit. Përveç tyre pritet që prej së hënës të ketë zhvillime të reja në Korçë. Normalisht do të ketë mjaft emra lojtarësh që do të lakohen si kandidatë për të veshur fanellën e kampionëve në fuqi të Skënderbeut.

Përgatiti: LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"