Skënderbeu paralajmëron akademi, por mund të jetë… emri i ri

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Shtator 4, 2018 | 11:46

Skënderbeu paralajmëron akademi, por mund të jetë… emri i ri

Skënderbeu ka vendosur të bëjë revolucion me grupmoshat, duke krijuar një Akademi bashkëkohore. Synohet një ristrukturim në themel që pritet të sjellë risi në kampin korçar. Ky ka qenë vendimi i fundit që ka marrë klubi bardhekuq në lidhje me ekipet zinxhirë dhe e ka lënë të kuptohet përmes postimit në “Facebook” në faqen zyrtare të tij. Është një projekt madhor, detajet e së cilit po mbahen në fshehtësi nga korçarët.

skenderbeu

Burime pranë klubit thanë për “Panorama Sport” se është një projekt madhështor që i jep jetë akademisë Skënderbeu, në mënyrë që kjo e fundit të funksionojë siç i ka hije, me fëmijë të grupmoshave U-7 deri në U-19. Kompleksi sportiv afër stadiumit ka kushte komode për t’u stërvitur, por më parë duhen ndërtuar edhe ambientet enkas për moshat. “Diçka e madhe po vjen. KF Skënderbeu akademi”, njoftonte klubi, duke vendosur si datë të startimit 20 shtatorin.

Skenderbeu

MANOVRA – Nuk është rastësi që akademia e Skënderbeut do të ngrihet në këtë moment. Klubi korçar vijon të jetë në ankth për vendimin që do të japë KAS i Lozanës. Gjasat janë që deri në nëntor të mos ketë një vendim. Në këto kushte, në Korçë po i paraprijnë gjithçkaje. Në rast se KAS lë në fuqi vendimin e UEFA-s, atëherë nuk do të ishte çudi që ekipi i ri të quhej “Akademia Skënderbeu”, duke e nisur pjesëmarrjen nga Kategoria e Tretë.

Nuk mund të flitet për shkrirjen e emrit Skënderbeu, por ky është një shembull tipik i bërë edhe nga klube të tjera. Akademia Pushkash në Hungari dhe Akademia Pandev në Maqedoni militojnë në Superligat respektive. Nuk është çudi që në një të ardhme të afërt tek Akademia Skënderbeu të jetë një klub që do të përfaqësohet edhe në elitën e futbollit shqiptar. Natyrisht, ky është një skenar që askush nuk e preferon në Korçë, pasi besojnë ende te falja e dënimit.






www.minuta90.com