Skënderbeu nuk gabon më, titullin e zgjidh në “finale”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 26, 2016 | 10:26

Skënderbeu nuk gabon më, titullin e zgjidh në “finale”

jani kaciNga JANI KAÇI 

Skënderbeu nuk ka qenë në krizë, por thjesht ndaj Tërbunit ishte një aksident që u ndodh edhe klubeve më të mëdha të botës.

Pas fitores ndaj Tiranës, tashmë mos prisni që korçarët të gabojnë në takimet e mbetura të kampionatit. Edhe Partizani mori një fitore të madhe në Kukës, por mendoj se për titullin korçarët mbeten favoritë.

Partizani

Prisja një ndeshje të fortë dhe ashtu doli, duke pasur parasysh edhe objektivat e dy skuadrave. Nëse shikoje rreshtimin e tyre të krijohej ideja se Partizani luante me një mbrojtje të përforcuar, duke i dhënë më shumë rëndësi kundërsulmit. Ndërsa Kukësi kërkoi të luante më tepër në sulm, duke qenë e ngjeshur, por Partizani u mbrojt shumë mirë dhe nuk la hapësira.

Të kuqtë e nisnin mbrojtjen që te Sukaj, i cili ngacmonte kundërshtarin, duke mos e lënë të shtyjë përpara.Sulmuesi ishte efikas me lëvizjet e tij dhe e ndihmoi skuadrën për t’u shpërblyer më pas me atë gol të bukur në fund. Kukësi u mundua t’i imponohej Partizanit, por gjeti një kundërshtar solid, që nuk e la asnjëherë të lirë të kalonte me topa prapa shpine. Mundësia më e mirë ishte penalltia për Kukësin, por ky moment u kthye në një shans për Partizanin.

Penalltia u humb dhe njëkohësisht Kukësi ra në gjumë, sepse e mendoi si të fituar takimin në pjesën e dytë me një lojtar më shumë. Partizani u mobilizua shumë dhe duhet theksuar se pritjet e portierit Xhika e bënë me krahë. Të kuqtë besuan deri në fund dhe u shpërblyen, duke merituar fitoren me 10 lojtarë. Në përgjithësi ishte një lojë mbi mesataren, që rrallë e shikon në stadiumet tona, por mbi të gjitha unë dua të theksoj atë që i mungon futbollit tonë: “fair-play”. Në Kukës e pashë këtë dhe me të vërtetë më bëhet qejfi.

Skënderbeu

Përtej kushteve jo të mira të fushës, mendoj se të dyja skuadrat e justifikuan me lojën e tyre. Skënderbeu e kërkonte me ngulm fitoren, por që në 10 minutat e para u gjend përpara një mbrojtje të ngjeshur të Tiranës. Bardheblutë ishin rreshtuar mirë në prapavijë, duke eliminuar sulmuesin kryesor, Salihi. Skënderbeu mund t’i kishte bërë një zgjidhje më të mirë lojës, duke luajtur më shumë nga krahët, por mbrojtësit e Tiranës punuan mirë. Loja në përgjithësi ishte e barabartë dhe Tirana i pati shanset për të fituar, por Skënderbeu shfrytëzoi një gabim të portierit Bakaj, i cili grushtoi keqazi në atë moment. Ishte një ndeshje e bukur dhe në nivel fizik më pëlqeu, pasi lojtarët vrapuan deri në minutat e fundit dhe kjo rrallë shihet. Njëkohësisht edhe niveli tekniko-taktik ishte i pëlqyeshëm.

Shanset për titull

Shoh favorit për titull Skënderbeun dhe mendoj se do ta zgjidhë çështjen e titullit në ndeshjen direkte. Kalendarin e ka më të mirë ekipi korçar dhe mund ta sigurojë titullin përpara “finales”, por gjithsesi do të ishte më e bukur të zgjidhej kampionati në përballjen në Korçë. Partizani ka një ndeshje delikate me Tiranën, por nuk besoj të gabojë, kështu që diferenca -2 deri në sfidën me Skënderbeun do të mbetet. Skënderbeu ka më shumë eksperiencë në të tilla situata, prandaj dhe është më i avantazhuar për titullin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"