Skënderbeu nuk fiton kurrë, ja rekordi negativ i korçarëve në transfertë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 19, 2022 | 19:22

Skënderbeu nuk fiton kurrë, ja rekordi negativ i korçarëve në transfertë

Skënderbeu zbriti nga Kategoria Superiore pas 13 vitesh dhe tashmë duhet të përgatitet për atë që e pret në Kategorinë e Parë. Ky sezon ishte i errët për korçarët dhe më shumë se kurrë flasin shifrat, veçanërisht në ndeshjet jashtë fushës.

Skenderbeu festa e golit

 

 

Besojeni apo jo, por bardhekuqtë janë i vetmi ekip i Superiores që nuk kanë arritur të marrin asnjëherë tri pikë në një ndeshje në transfertë këtë sezon. Askush nuk ka bërë më keq se Skënderbeu, madje edhe Dinamo që ka po kaq pikë sa korçarët, ka marrë katër fitore jashtë fushe. Këtë të shtunë Skënderbeu luan në transfertë me Kukësin, ku më të interesuar për pikë janë sigurisht verilindorët, të cilët luftojnë për zonën europiane. Synimi i korçarëve në dy ndeshjet e mbetura është aktivizimi i lojtarëve të rinj që kanë pasur pak hapësira gjatë sezonit.

Ata pritet të jenë edhe baza e ekipit në Kategorinë e Parë, prandaj dhe trajneri aktual i Skënderbeut, Gentian Liçi, pranoi pas ndeshjes me Laçin se deri në mbyllje të kampionatit, do të bëhen prova me lojtarëve që kanë marrë pak minuta. Aktualisht mund të thuhet me plot gojën se mesfushori 19- vjeçar, Rei Pecani, i cili u aktivizua nga ish-trajneri Skënder Gega në katër ndeshjet e fundit, është fituar nga klubi si një element me të ardhme. Edhe lojtarë të tjerë të rinj si Kevin Hysolli, Krisi Kaso dhe Kostika Beçka pritet të marrin minuta në Kukës. Klubi po mendon që tani për grupin e lojtarëve që do të ketë në Kategorinë e Parë.

Një pjesë e mirë e lojtarëve aktualë do të largohen, ndërsa ata që kanë ende kontratë në fuqi edhe për sezonin tjetër me klubin bardhekuq, janë vetëm dhjetë të tillë. Bëhet fjalë për emra si Melos Bajrami, Erlis Frashëri, Kosta Vangjeli, Randi Dumfur, Jurgen Vrapi, Ramin Alii, Belajdi Pusi, Ardit Nikaj, Agnaldo Moraesh dhe Elvi Berisha. Gjithsesi, edhe për këta të fundit mund të ketë rishikim të kontratave dhe kësisoj largime nga skuadra.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"