Skënderbeu nuk e apelon heqjen e titullit kampion, FSHF-ja heziton t’ia japë Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 21, 2017 | 18:08

Skënderbeu nuk e apelon heqjen e titullit kampion, FSHF-ja heziton t’ia japë Partizanit

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka në dorë ekipin kampion të sezonit 2015-2016. Ai ose do të vendosë për të mos njohur asnjë skuadër fituese të atij kampionati, duke qenë se Komisioni i Etikës ia hoqi titullin Skënderbeut, ose do të shpallë skuadrën e vendit të dytë të atij sezoni, Partizani, si klubin kampion.

skenderbeu partizani 0-1

Edhe pse në FSHF është folur gjatë kësaj periudhe, se pas vendimit të Etikës kjo çështje do të shqyrtohet nga Komisioni i Disiplinës, mësohet se organet juridike nuk kanë tagër për të shpallur vlefshmërinë e kampionatit të atij sezoni.

Në kushtet kur Komisioni i Etikës ka dhënë një vendim, duke i hequr titullin Skënderbeut dhe, për më tepër, klubi korçar nuk ka ankimuar në apelin e FIFA-s (ka përfunduar afati i apelimit të vendimit), tashmë gjithçka është në dorë të Dukës nëse do të njohë si kampion Partizanin apo ai sezon do të mbetet pa një klub fitues.

Deri më tani, në institucionin e futbollit shqiptar, nuk kanë bërë asnjë reagim zyrtar, duke e zvarritur çështjen, për më tepër që kanë kaluar 21 ditë nga afati që i ishte lënë Skënderbeut për të apeluar.

KONFIRMIMI

Një zyrtar i lartë i FSHF-së konfirmoi dje për “Panorama Sport” prapaskenën për çështjen e titullit të sezonit 2015- 2016, teksa gjithçka është në dorë të drejtuesve.

“Nuk i takon Komisionit të Disiplinës për të dhënë titullin. Ky është një vendim formal, që duhet marrë nga FSHF, jo organet juridike të saj. Bëhet fjalë për akordim titulli, jo një vendim disiplinor, pasi ai është dhënë nga Etika për Skënderbeun, duke ia hequr. Pas këtij vendimi nuk është e drejtë e Etikës apo organeve të tjera juridike në FSHF për të vendosur vlefshmërinë e titullit të atij sezoni.

Tashmë u mbetet në dorë krerëve të lartë të institucionit, duke filluar nga vetë presidenti dhe sekretari i përgjithshëm, që mund të akordojnë titullin në favor të vendit të dytë të atij kampionati apo edhe mosnjohjen e atij sezoni të një skuadre kampione.

Vendimi mund të merret edhe nga Komiteti Ekzekutiv, qoftë edhe me një vendim qarkullues pas miratimit të anëtarëve të tij”, tregon për gazetën zyrtari i lartë i institucionit të futbollit shqiptar, që kërkon të ruajë anonimatin për shkak të rregullit të brendshëm në administratën e FSHF-së.

PËRFITIMET

Pas vendimit të Etikës, në bazë të rregullores, klubi i Skënderbeut duhet të njoftohet për kthimin e 100 milionë lekëve të vjetër, si shpërblim që ka marrë nga FSHF për titullin e sezonit 2015-2016. Në rast se Federata njeh Partizanin kampion të atij sezoni, atëherë kjo shumë do t’u jepet të kuqve.

Nga ana tjetër, institucioni i futbollit është i detyruar të njoftojë UEFA-n për vendimin që do të marrë, në mënyrë që kjo e fundit t’i hapë rrugë edhe shpërblimit 260 mijë euro për Partizanin në atë edicion. Kjo shifër përfitohet nga çdo skuadër kampione që nuk shkon në fazën e grupeve të Champions-it apo Ligës së Europës.

UEFA nuk e akordoi bonusin në sezonin e kaluar, për shkak të dënimit të Skënderbeut me një vit mospjesëmarrje në Europë. Tashmë gjithçka është në dorë të UEFA-s, por më parë FSHF duhet të vendosë përfundimisht se kush do të cilësohet kampion i atij sezoni.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"