Skënderbeu nuk do ta humbasë Gjergji Muzakën, zbulohet oferta që drejtuesit e klubit korçar i kanë bërë 35-vjeçarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2020 | 19:57

Skënderbeu nuk do ta humbasë Gjergji Muzakën, zbulohet oferta që drejtuesit e klubit korçar i kanë bërë 35-vjeçarit

Gjergj Muzaka u bë 11 muaj që i mungon Skënderbeut. Ai dëmtim që pësoi më 5 tetor 2019 kundër Luftëtarit, rezultoi më shumë se i rëndë. Ishte vetëm java e 5-të e kampionatit kur korçarët humbën liderin e mesfushës dhe mund të thuhet pa frikë që për ekipin ishte një goditje e madhe.

Muzaka Takaj

Për bardhekuqtë një rikthim i 35- vjeçarit në këtë fazë të sikletshme që po kalojnë do të ishte një luks më vete. Gjithsesi, makthi dhe vuajtjet nuk kanë kaluar ende. Lojtari nuk është rikuperuar plotësisht dhe kjo bën që të jetë i paqartë edhe për të ardhmen, nëse do i rikthehet apo jo më pasionit të tij më të madh. Pas asaj frakture që pësoi, që konkretisht ishte këputje e ligamentit të kryqëzuar në gjurin e djathtë, duket e vështirë dhe është ky ndoshta shkaku që mesfushori po “peshon” me kujdes vendimin më të vështirë të karrierës.

I kontaktuar para disa ditësh nga “Panorama Sport”, ai ka bërë me dije se ende nuk e ka ndarë mendjen se çfarë do të bëjë, pra nëse do të tërhiqet apo do të nisë një cikël të ri si drejtues. Mesfushori është duke e menduar me qetësi dhe ka kërkuar të marrë kohën e nevojshme për të reflektuar derisa të bëjë zgjedhjen e duhur. Ajo që ka më shumë rëndësi në vendimin është fakti që klubi nuk është më në nivele të larta, por i riformuar totalisht.

KLUBI

Përtej vendimit që do të marrë, një gjë është e qartë: dyert e Skënderbeut do të jenë gjithmonë të hapura për Gjergj Muzakën. Lidhjet e ngushta që mesfushori ka me klubin, tashmë janë të njohura. Këtë e dëshmoi në momentin që korçarët u dënuan dhe ai ishte i pari që pranoi rikthimin, pavarësisht gjendjes në të cilën ndodheshin bardhekuqtë. Drejtuesit e kanë gati një pozicion zyrtar për 35- vjeçarin, gjë që ia kanë bërë me dije në fakt edhe para afro një viti.

muzaka

Në rast se lojtari vendos të largohet nga futbolli i luajtur, për të është menjëherë gati roli i drejtorit sportiv te Skënderbeu. Një gjë të tillë Ardjan Takaj e ka menduar prej kohësh dhe madje ia ka ofruar edhe Gjergj Muzakës. Në kushte të tilla duket se gjithçka po shkon drejt një konkretizimi, kjo edhe për faktin se prej kohësh ai “de fakto” e ka bërë një gjë të tillë dhe e gëzon si status. “De juro” mbetet për t’u parë së shpejti.

LLAZI SARO  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"