Skënderbeu nis vitin i gjymtuar, Memellit i duhet të improvizojë në rifillimin e kampionatit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 12, 2022 | 16:44

Skënderbeu nis vitin i gjymtuar, Memellit i duhet të improvizojë në rifillimin e kampionatit

Skënderbeu është kthyer në Korçë, ku po vijon përgatitjet për ndeshjen e së shtunës përballë Laçit. Ky takim mbart më vete vështirësinë e kundërshtarit, që po kalon formë mjaft të mirë, por edhe domosdoshmërinë për pikë për të kaluar në një pozicion më të qetë në renditje për korçarët. Trajneri Migen Memelli është duke punuar me një grup mjaft të reduktuar si pasojë e dëmtimeve.

SKENDERBEU

Janë plot katër lojtarë që vuajnë probleme fizike në kampin bardhekuq, aq sa trajneri mund të hasë probleme jo vetëm në ndërtimin e formacionit bazë për takimin e së shtunës, por edhe për të plotësuar listën e të grumbulluarve në këtë ndeshje. Bëhet fjalë për Sadriun dhe Vitijan në repartin e mbrojtjes. Vrapin në mesin e fushës dhe Berishën në sulm. Të katër këta lojtarë për momentin janë në dyshim për ndeshjen ndaj Laçit. Të gjitha këto mungesa mbartin me vete dilema dhe pasiguri për klubin bardhekuq dhe stafin teknik, qoftë për zëvendësimin e tyre, ashtu edhe për ndryshimin e skemës së lojës.

MBROJTJA – Kjo është pika më e dobët e Skënderbeut për momentin duke u nisur nga alternativat e pakta që korçarët kanë në dispozicion. Me një rreshtim 5-3- 2, duket se Memelli me lojtarët e gatshëm nuk arrin dot të plotësojë një formacion të tillë pa sakrifikuar. Në të tilla kushte, trajneri i korçarëve është duke menduar dy variante të mundshme loje për të përballuar takimin e së shtunës ndaj Laçit, gjithmonë nëse dy kosovarët e Skënderbeut nuk arrijnë të rikuperohen nga problemet në kavilje. E para është spostimi i Zguros në qendër dhe kalimi i Frashërit në krahun e majtë të mbrojtjes me pesë lojtarë, ose ndryshimi i një rreshtimi nga 5- 3-2 në një 4-4-2 klasik.

MESFUSHA – Për momentin, ky është reparti më i kompletuar. Pavarësisht mungesës së Vrapit, korçarët kanë luksin të kenë në dispozicion të katër alternativat e mundshme, nëse do të duhet të luajnë kështu me skemën e re. Kjo sjell njëfarë sigurie për bardhekuqtë, që kanë mundësi të mbulojnë mungesat në mbrojtje.

SULMI – Me Mensah në formë dhe i gatshëm për të luajtur, problem i vetëm mbetet mungesa e Berishës. Sulmuesi ka një shqetësim, si pasojë e një goditjeje që ka marrë në këmbë. Kjo e mban ende në dilemë lojtarin nëse do të jetë i gatshëm në këtë takim. Nëse nuk ia del, atëherë duket se gati është një mes Pusit dhe Nikajt për të formuar dyshen e sulmit me Mensah në këtë takim.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"