Skënderbeu nis mbrojtjen e Kupës, Shehi: Jemi sërish skuadra për t’u mundur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 12, 2018 | 12:29

Skënderbeu nis mbrojtjen e Kupës, Shehi: Jemi sërish skuadra për t’u mundur

Skënderbeu është gati për të luajtur takimin e radhës, të parin e Kupës së Shqipërisë dhe për herë të parë në historinë e vet si mbajtës i trofeut. Gjithsesi, pavarësisht se emocionet nuk do të mungojnë për këtë takim, Skënderbeu po bën të gjitha përgatitjet e mundshme që çdo gjë të zgjidhet sa më thjesht të jetë e mundur. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur edhe trajneri Orges Shehi që, pavarësisht largimeve të lojtarëve, është munduar të mbajë grupin sa më stabël që të jetë e mundur, duke menduar për këtë takim, por edhe për ndeshjen e radhës.

shehi

Shehi, më shumë se një javë në dispozicion për të përgatitur ekipin si pasojë e grumbullimeve të kombëtares. Sa ju ka shërbyer kjo periudhë?

Të them të drejtën, për ekipe si Skënderbeu që kanë lojtarë në grumbullim me ekipet kombëtare nuk është se të jep ndonjë dorë të madhe. Kjo, pasi janë shumë lojtarë që i mungojnë skuadrës këto ditë dhe sigurisht që kjo ka të metat e veta. Ishin pesë futbollistë që mungonin, por gjithsesi jemi munduar që të marrim përgjigjet e duhura nga pjesa tjetër e grupit.

Sa ju ka shërbyer testi miqësor ndërkombëtar këtë javë?

Ishte një mënyrë e mirë fillimisht për t’i dhënë hapësirat e duhura ekipit dhe më pas për të mbushur me ndeshje një javë inaktive. Morëm disa përgjigje nga lojtarët që nuk kanë luajtur shumë me ekipin në këto javë të para të kampionatit.

Tani vjen radha e Kupës, ku ju si asnjëherë jeni mbajtës i trofeut. Çfarë ndjesie ju jep kjo?

Po, është e vërtetë! Ne vetëm vjet arritëm të fitonim këtë trofe për herë të parë. Besoj se është një përgjegjësi më shumë për të qenë i sinqertë. Jemi ne ekipi për t’u mundur edhe në këtë kompeticion dhe kjo e rit disi më shumë angazhimin që duhet të kemi në këtë garë.

Ndaj Veleçikut mund ta quajmë një test para Flamurtarit?

Është një ndeshje që do të ketë një specifikë tjetër nga ajo e kampionatit. Kupa ka tjetër mënyrë interpretimi, ndërsa nga krahu tjetër edhe kampionati ka një tjetër pjesë impenjimi. Janë dy mënyra të ndryshme të interpretimit të lojës. Ne do të shkojmë në këtë takim për të nisur mirë aventurën tonë në Kupë.

Por, në njëfarë mënyre, do t’u jepni mundësi lojtarëve që s’kanë pasur hapësira që të shprehen…

Po, sigurisht, të njëjtën gjë e bëmë edhe para disa ditësh përballë ekipit të Pobedës në testin miqësor. Besoj se do të jenë minuta të vlefshme për të parë se deri ku jemi për momentin.

Shtatë pikë ju, shtatë Flamurtari. Si e shikoni takimin e radhës në kampionat?

Do të jetë një ndeshje e fortë dhe mjaft e bukur. Mund të them se janë dy ekipet që kanë marrë më shumë pikë deri në këto momente dhe sigurisht që kjo ka peshën e vet në këtë takim. Do të mundohemi të bëjmë mirë dhe të marrim maksimumin nga ky takim.

Një mesfushor francez nga kampionati ukrainas pret lejen e kalimit nga FIFA, është profili që ju kërkoni?

Të shohim se çfarë do të ndodhë në këtë pjesë. Ne kemi qenë në kërkim të një mesfushori, pasi kishim deficencë në atë repart. Besoj se një afrim i tillë do të na ndihmonte në shtimin e alternativave.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"