Skënderbeu ngre “stekën”, zbardhet mbledhja e trajnerit Daja me skuadrën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2019 | 10:10

Skënderbeu ngre “stekën”, zbardhet mbledhja e trajnerit Daja me skuadrën

Skënderbeu ka hequr një peshë të rëndë me fitoren e fundit të shënuar përballë Teutës pas dy humbjesh radhazi. Korçarët u janë rikthyer kështu ecurive pozitive në raport me pikavarazhin dhe mbi të gjitha kanë dhënë sinjale të qarta në lojë. Për një pjesë të mirë të ndeshjes ekipi ka treguar manovër dhe mbi të gjitha stabilitet në fushë duke dhënë sinjalin se më në fund po hyn në mekanizmat e lojës së kërkuar nga Ilir Daja.

ilir daja

Pikërisht pas këtij takimi dhe një dite pushim të dhënë për të tijtë, numri një i pankinës korçare ka rifilluar gjithçka ditën e djeshme duke e nisur me një analizë me ekipin. Nuk ishte një analizë e tipit për të parë ndeshjen e fundit dhe gabimet e bëra në të, por një mbledhje mes stafit dhe lojtarëve ku trajneri ka përsëritur objektivat për ndeshjet e radhës.

Pavarësisht se sipas tij takimet do të duhet të merren një e nga një, Daja u ka kërkuar futbollistëve që të marrin maksimumin në dy ndeshjet e radhës. Me gjashtë pikë, sipas një llogarie të thjeshtë nga vetë trajneri, në këto dy takime do të ishte mjaft pozitive për ecurinë e sezonit dhe për të përcaktuar qartazi objektivin sezonal të Skënderbeut për t’u renditur në pjesën e sipërme të klasifikimit duke lakmuar vendet që të çojnë në Europë.

Në të tilla kushte, numri një i bardhekuqve i nisur edhe nga rezultatet e ekipeve të tjera që nuk kanë një vijimësi të qëndrueshme, e sheh si të realizueshëm këtë objektiv pikërisht nëse Skënderbeu e mbyll me pikët e plota në dy ndeshjet e fundit.

skenderbeu

“Ndeshjen e fundit kemi treguar se jemi cilësorë dhe mund të përballemi si të barabartë me çdo ekip. Kjo ishte ajo që kërkoja nga ju dhe ajo që doja të tregonit. Jemi rikthyer te rezultatet pozitive dhe ky është një plus mjaft i madh. Tani duhet të kemi vijimësi të këtyre rezultateve. Përpara kemi sfidë delikate siç është ajo në transfertë ndaj Vllaznisë dhe më pas një tjetër takim me Luftëtarin në shtëpi.

Duhet t’i marrim ndeshjet një e nga një dhe kështu do të bëjmë në vijim, por mund të them se vijimësia është mjaft e rëndësishme për momentin. Me dy fitore në këto dy takime ne shpallim seriozisht pretendimet tona për një nga vendet që të çojnë në Europë. Kjo është ajo që duam të arrijmë dhe jemi të bindur se mund t’ia dalim duke parë edhe se si po rrjedhin rezultatet në këtë sezon”, theksoi Ilir Daja para nisjes së përgatitjeve të ndeshjes kundër Vllaznisë.

Llazi Saro – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"