“Skënderbeu ngjitet me Gvozdenoviç”, ish-kapiteni Shkëmbi: Një ditë edhe unë do të kthehem

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 30, 2023 | 19:42

“Skënderbeu ngjitet me Gvozdenoviç”, ish-kapiteni Shkëmbi: Një ditë edhe unë do të kthehem

Bledi Shkëmbi rikthehet në “skenë”. Ish-kapiteni i sheh korçarët në elitë, e megjithatë garën nuk e quan aspak të lehtë. Ai paralajmëron luftë të ashpër deri në finish të Kategorisë së Parë mes Skënderbeut, Dinamos dhe Flamurtarit. Në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, 43- vjeçari vlerëson punën e bërë në kampin bardhekuq pas janarit dhe jo vetëm në merkato.

SHKEMBI

“Besoj se po, këto do të jenë tri ekipet që do të luftojnë deri në fund për kalimin në Superiore. Mund të them se unë kam ndjekur çdo ndeshje të Skënderbeut duke u shtyrë nga dëshira që të rikthehen sa më shpejt në nivelet e larta të futbollit. Personalisht jam i bindur që do të rikthehen në Superiore. Më pëlqen shumë ky ekip i ndërtuar nga janari deri tani, si rrjedhojë e merkatos që ka bërë klubi dhe futbollit që po zhvillon trajneri Gvozdenoviç. Ekipi luan një futboll të mirë në bazë të mundësive që ka. Por dihet që Kategoria e Parë është shumë e vështirë, ndoshta më e vështirë se Superiorja”, theksoi fillimisht ish-kapiteni, që prej vitesh i është futur botës së trajningut.

ZGJEDHJA NË STOL- Ai u ndal më pas edhe te zgjedhja e presidentit Ardjan Takaj për t’i besuar pankinës një ish-i si Ivan Gvozdenoviç. “Unë shokë i kam të dy, si Memellin ashtu edhe Gvozdenoviçin, me të cilin kam luajtur për disa sezone. Memellit i uroj suksese, por në futboll pjesa e trajnerit është pak specifike. Në momentin kur gjërat nuk ecin si duhet, nuk ndryshojnë futbollistët, por trajneri. Mendoj që në ato momente ardhja e Gvozdenoviçit ka qenë zgjedhja më e mirë që mund të bëhej. Për Ivanin më është bërë shumë qejfi, pasi ka qenë një futbollist shumë i mirë, profesionist dhe u rikthye atje ku ai ndihej më mirë dhe fitonte”, tha Shkëmbi.

KAPITENI NË FUSHË – Skënderbeut i mungon një lider, që të tërheqë ekipin. Që prej largimit të Bledi Shkëmbit nga futbolli i luajtur, nuk e kanë më një të tillë. E megjithatë, ish-kapiteni është treguar modest për këtë pjesë dhe ka thurur elozhe për lojtarët aktualë të bardhekuqve. Gjithsesi, ai ka lënë hapur një dritare për t’u rikthyer me dëshirë në Korçë për të punuar këtë herë, jo si kapiten, por me një tjetër petk.

“Unë mendoj se Skënderbeu ka djem shumë të talentuar dhe lojtarë me eksperiencë që deri diku po e bëjnë punën e tyre. Janë ata që kanë çuar ekipin drejt ringritjes në mesin e më të mirëve.

Shkembi 6 trofe

Për sa i përket rikthimit tim, patjetër që e mendoj dhe e kam menduar. Madje, me dëshirën më të madhe. Jam i bindur që do të ndodhë dhe nuk ka lidhje se ku do të jetë Skënderbeu, në çfarë pozite. Me shumë kënaqësi rikthehem aty. Shpresoj që të rikthehem në momente të mira, por edhe në ditë të këqija unë kam qenë dhe do të jem gjithmonë i gatshëm”, përfundoi Shkëmbi.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"