Skënderbeu në podium, Dita: Të mos bërtasim ‘fitore’ për Europën, vuajtëm në Vlorë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 9, 2020 | 17:00

Skënderbeu në podium, Dita: Të mos bërtasim ‘fitore’ për Europën, vuajtëm në Vlorë

Skënderbeu likuidoi edhe Flamurtarin, duke sigluar të gjashtën fitore radhazi në kampionat. Shifra këto që e bëjnë një nga ekipet më në formë të momentit. E nisën aty ku e lanë, aq sa të krijohet përshtypja që kampionati nuk u ndal për afro tre muaj prej shpërthimit të pandemisë. E megjithatë, kjo ecuri nuk është fort rastësore. Dhe këtë na e tregon Bruno Dita, mesfushori i palodhur dhe një nga titullarët e padiskutueshëm të bardhekuqve. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport” ai na zbulon “sekretet” e ekipit dhe duhet thënë që nuk janë pak. Numri 22 i korçarëve nuk i fsheh ambiciet për të kapur ndonjë vend më lart në renditje, por tregohet tejet i kujdesshëm kur vjen puna tek e ardhmja.
bruno dita

Skënderbeu fiton në Vlorë, atje ku gjithnjë e ka pasur “tabu”. A ishte e vështirë këtë herë?
Vite më përpara mbase ka qenë tabu, pasi vërtet ka qenë e vështirë për Skënderbeun që të fitonte në Vlorë. Por, kohët e fundit dominimi ka qenë i gjithi për ne dhe sidomos në këto 3 vite. Kemi fituar pothuajse të gjitha ndeshjet që kemi pasur në stadiumin “Flamurtari”. Gjithsesi, ajo e së dielës nuk ishte një fitore e lehtë. E them këtë sepse rezultati 1-0 e tregon qartë se ndeshja ka qenë e vështirë.

U shpërdoruan shumë raste, pse ndodhi kjo?
Pavarësisht se humbëm shumë raste të pastra dhe mund ta kishim mbyllur lojën më shpejt, krijuam volum të lartë loje. Por, është një rezultat i hapur, që lë hapësira për t’u goditur nga momenti në moment. Ndaj për këtë mendoj se duhet ta kishim mbyllur më shpejt lojën, që të rrinim më të qetë.

Tashmë që zona “Euro” duket thuajse e blinduar, a do të pretendoni ndonjë vend më lart në renditje?
Është ende herët për të bërtitur “fitore”. Europa për ne nuk është e blinduar do të thosha unë, sepse në lojë janë ende shumë javë. Janë edhe 24 pikë dhe gjithçka mund të ndodhë, ndaj nuk na mbetet veçse të jemi me këmbë në tokë deri në mbyllje të kampionatit dhe t’i marrim ndeshjet një e nga një. Synimi ynë nuk do të ndryshojë, do të tentojmë maksimumin e pikëve javë pas jave. Më pas do të shohim se ku jemi pozicionuar dhe çfarë mund të bënim më mirë.
skenderbeu
Cili është “sekreti” i kësaj forme?
Sekreti mendoj se është stërvitja serioze dhe mjaft e organizuar nga ana e stafit teknik, që për asnjë moment nuk na lë të kalojmë në eufori. Plus kësaj edhe përgatitjet kanë qenë mjaft të studiuara në përputhje me gjendjen tonë, pas kaq kohësh pushim. Dhe dihet që një shkëputje më shumë se 2-mujore ndikon shumë te një futbollist. Por, jemi këtu, pasi nuk ka munguar as dëshira e të gjithë lojtarëve për të bërë mirë. Kemi një harmoni në grup, e cila na ndihmon së tepërmi. Kjo e fundit bën që të jemi si një familje e bashkuar për të bërë çdo ditë edhe më mirë.

Sa e vështirë është ndeshja e javës së 29-të me Laçin?
Është e vështirë, sepse edhe Laçi ka pretendime për të kapur zonën “Euro”, por ne nuk i trembemi askujt. Nëse jemi në 100% tonë, është e vështirë të na ndalin. Çdo ndeshje është delikate në këtë fazë të sezonit, ndaj nuk na mbetet tjetër veçse të jemi të përqendruar. Gjithsesi, ne kemi një filozofi të qartë: gjithnjë mendojmë për ndeshjen e radhës. Dhe para se të mendojmë për Laçin, vëmendja është e gjitha te Kupa e Shqipërisë. Të enjten luajmë ndeshjen e parë çerekfinale me Bylisin, prej së cilës presim një rezultat pozitiv.

Zërat e merkatos po bëhen më të forta. Ku është e ardhmja e Bruno Ditës?
Për aq kohë sa kam kontratë me Skënderbeun, nuk mund të flas për të ardhmen. Jam i fokusuar që t’i mbyll në mënyrën më të mirë të mundshme këto ndeshje te mbetura, më pas do të jetë koha që do ta tregoj se çfarë do të ndodhë gjatë merkatos.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"