Skënderbeu në pikën zero, kanë mbetur vetëm 13 lojtarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 10, 2020 | 15:23

Skënderbeu në pikën zero, kanë mbetur vetëm 13 lojtarë

Skënderbeu ka mbetur në pikën zero dhe korçarët janë ende në kaos për sa i përket rrjedhës që do të marrë sezoni i ri për ta. Pas mbylljes së sezonit deri në momentin që flasim ka pasur vetëm largime nga bardhekuqtë dhe asnjë tendencë për të nisur përgatitjen për sezonin e ri. Koliçi, Jashanica dhe Dita janë tre lojtarët që tashmë kanë gjetur një destinacion të ri dhe janë larguar nga bardhekuqtë. Pas tyre edhe Bregu, Daja dhe Imami duket se kanë dalë si lojtarë të lirë për t’u larguar nga Korça në kërkim të një ekipi të ri.
Pusi Skenderbeu festa
Ndërkaq, bardhekuqtë kërkojnë të arkëtojnë më shumë nga Elezi dhe Pëllumbi, me qëllim që të mbajnë bilancin vjetor të pastër dhe të sigurt. Me kaq shumë largime Skënderbeu duket i boshatisur, ndërsa nuk po bëhet asnjë përpjekje për të ringritur të paktën boshtin e ekipit për sezonin e ri. Burime pranë klubit bëjnë me dije se një gjë e tillë me shumë mundësi do të fillojë të ndërtohet pas datës 15 gusht, kohë kur Takaj do të duket në Korçë për të diskutuar me bashkëpunëtorët e tij në lidhje me sezonin që nis në shtator. Në kushte të tilla pritet që të kemi një ekip të ndërtuar me pak harxhime dhe të bazuar kryesisht te lojtarë të rinj, paga të reduktuara dhe shpenzime të zvogëluara ndjeshëm.
Takaj3
Por, nga ana tjetër ajo që numri një i klubit bardhekuq kërkon është të marrë vesh vendimin që po vonon më shumë sesa të gjithë e prisnin. Të njëjtat burime bëjnë me dije se Takaj do të takojë fillimisht lojtarët që do të jenë pjesë e Skënderbeut në vijim, duke filluar me Meksin dhe Taipin e deri te Gripshi dhe Krasniqi duke i shtuar edhe afrikanët që kanë treguar cilësi, ndonëse ka kërkesa edhe për disa nga këta. Mbi këtë kontingjent do të plotësohet ekipi në vazhdim, por tendenca e bardhekuqve është që puna të fillojë pasi Gjykata Federale të zbardhë vendimin e saj. Dukshëm që pas eksodit kontingjenti është shkurtuar ndjeshëm teksa nga një sezon më parë bardhekuqve u kanë mbetur vetëm 13 lojtarë në përbërje, të gjithë që kanë kontrata afatgjatë me Skënderbeun. Por një pjesë e mirë e tyre nuk kanë pasur minuta në sezonin e kaluar dhe nuk mund t’u besohet vijimësia. Përfundimisht, Skënderbeu është në kaos dhe ende nuk dihet se çfarë rrjedhe do të marrë sezoni për ta. Takaj nga njëra anë po qëndron në heshtje teksa nga ana tjetër të gjithë po largohen. Nisja duket e zymtë, në Korçë të gjithë presin reagimin e presidentit.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"