Skënderbeu në emergjencë, katër lojtarë me dëmtime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 21, 2021 | 21:48

Skënderbeu në emergjencë, katër lojtarë me dëmtime

Fitorja me Kastriotin, pavarësisht se solli një rezultat të rëndësishëm për të qenë më lart në renditje, duket se u pasua edhe nga një situatë emergjente për sa i përket problemeve fizike te Skënderbeu.

SKENDERBEU 1

Nesër në stadiumin “Elbasan Arena”, korçarët luajnë ndeshjen e fundit për këtë vit kalendarik, pikërisht në transfertë përballë Dinamos. Mirëpo, në prag të këtij takimi, Skënderbeu duket në emergjencë të plotë, sidomos në repartin defensiv.

Edhe pse në dispozicion të trajnerit Memelli do të kthehet kapiteni Vangjel Zguro, i cili ka shlyer pezullimin për shkak të kartonëve të verdhë, problemet për kryepankinën korçare janë të shumta.

Katër lojtarë janë në dyshim për këtë takim, duke e bërë situatën në ekipin bardhekuq emergjente. Bëhet fjalë pikërisht për dy qendrat e mbrojtjes, Leard Sadriun dhe Melos Bajramin, si dhe për dy lojtarët e mesfushës, Kosta Vangjelin dhe Jurgen Vrapin.

Të katër këta futbollistë kanë probleme fizike dhe janë në dyshim të fortë për ndeshjen e së mërkurës. Sadriu dhe Vrapi kanë pasur probleme të mbartura nga javët e kaluara dhe me shumë mundësi do të jenë sërish jashtë ekipit edhe për këtë takim të fundit. Ndërsa Vangjeli dhe Bajrami kanë pësuar dëmtime në ndeshjen ndaj Kastriotit. Korçari ka marrë një goditje në kavilje, ndërsa ka lënë fushën e lojës para kohe.

Gjendja e tij duket disi më e përmirësuar dhe mund t’ia dalë për të qenë i gatshëm për Memellin, duke shtrënguar dhëmbët në këtë takim të fundit. Ndryshe qëndron situata për Bajramin. Mbrojtësi kosovar ka një tërheqje në kofshë dhe duket e sigurt mungesa e tij në këtë takim.

Në kushte të tilla, Memelli me dy mbrojtës të qendrës jashtë ekipit dhe mungesës së alternativave do të ndryshojë rreshtim për ndeshjen e nesërme ndaj Dinamos, ku kërkohet një tjetër fitore.

MERKATO – Skënderbeu pritet që të bëjë bilancin dhe të shohë me prioritet merkaton e janarit pas ndeshjes me Dinamon. Në kampin bardhekuq duken të bindur se do të ketë nevojë për afrime që t’i japin ekipit më shumë freski, por edhe mundësi zgjedhjesh.

Burime të sigurta bënë me dije për gazetën se do të ketë një takim mes stafit teknik dhe bordit drejtues për të vënë pikat mbi “i” rreth ndërhyrjes në merkato. Memelli duket më se i qartë që të kërkojë nga klubi afrime, të paktën në çdo repart të fushës. Nëse porta quhet e blinduar me Rexhepin dhe Ruçin, pjesa tjetër ka nevojë për ndërhyrje.

E gjithë kjo do të ndodhë në ditët e para të vitit të ri, kur Skënderbeu rikthehet në fushë.

demtimet

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"