Skënderbeu në ankth për Idrizajn, Gvozdenoviç s’do “blof” në Cërrik

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 19, 2023 | 16:49

Skënderbeu në ankth për Idrizajn, Gvozdenoviç s’do “blof” në Cërrik

Skënderbeut nuk i lejohen gabimet dhe sidomos këtë fundjavë. Skuadra ka nisur përgatitjet për Turbinën, kundërshtar që do ta sfidojë në transfertë. Nëse duan që të bëjnë një tjetër hap të madh për rikthimin në elitë, korçarët janë të detyruar që të marrin pikët e plota dhe ruajnë distancën me rivalët.

gvozdenovic

Me cërrikasit që po luftojnë me të gjitha forcat për të shmangur rënien, vështirësia rritet ama. Dhe ky është shkaku që të që të gjitha “bateritë” e bardhekuqve janë të përqendruara te ky 90-minutësh.

FRIKA PËR IDRIZAJN – Në kamp janë me “sy e veshë” te Hektor Idrizaj. Mbrojtësi u dëmtua ndaj Korabit, gjë që e detyroi që të lërë fushën e lojës në fund të pjesës së parë. Kjo ka sjellë ankth, për vetë rëndësinë që ka vlonjati në formacionin e Ivan Gvozdenoviç dhe mbi të gjitha për eksperiencën dhe cilësitë që zotëron. Këto ditë do të jenë vendimtare për të mësuar shkallën e dëmtimit. Nga sa bëjnë me dije burimet e gazetës, lojtari ka pësuar një kontraktim të muskujve të gjurit dhe gjithçka mbetet në varësi të rikuperimit që do të ketë. Trajneri pret përgjigjen ditën e enjte dhe më pas do të vendosë nëse do ta ketë mbrojtësin pjesë të grupit apo do të bëjë llogaritë pa të.

SPRINTI FINAL – Edhe pse kanë mbetur tri javë nga fundi dhe janë shkëputur me 5 pikë nga vendi i tretë, korçarët nuk duhet të ulin aspak përqendrimin dhe përgjegjshmërinë. Ka qenë ky pak a shumë mesazhi që ka dhënë trajneri gjatë në seancën e së martës. Numri një i pankinës ka kërkuar nga lojtarët që të sforcohen për 270 minuta dhe mbyllin një herë e përgjithmonë llogaritë me Kategorinë e Parë. Serbi e ka cilësuar si shumë të rëndësishme ndeshjen e radhës.

“Jemi në vendin e parë dhe kemi tri finale përpara. Tri finale që vlejnë sa objektivi ynë maksimal. Të jemi të vetëdijshëm për vështirësitë që do të na presin në këto 270 minuta të fundit, duke nisur nga pengesa e parë që kemi në Cërrik. Ndaj është e nevojshme që të tregojmë forcën tonë të vërtetë ndaj secilit kundërshtar, për të mos i lënë asgjë në dorë rastësisë”, ka thënë mes të tjerash Gvozdenoviç.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"