“Skënderbeu merr pikë në Laç”, Zguro: Do t’i lemë prapa Bylisin dhe Kastriotin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 13, 2021 | 0:36

“Skënderbeu merr pikë në Laç”, Zguro: Do t’i lemë prapa Bylisin dhe Kastriotin

Rezultatet pozitive të marra së fundmi duket se kanë sjellë një tjetër frymë optimizmi te Skënderbeu. Pasi kaluan momentin e vështirë, korçarët e shohin veten plotësisht në garë për të siguruar mbijetesën.

zGURO

Sipas Vangjel Zguros, ky objektiv nuk do të vihet aspak në diskutim nga Skënderbeu. Për “Panorama Sport” pogradecari pohoi se ekipi është në ritëm dhe mund t’ia dalë që të qëndrojë në Superiore pa qenë nevoja të luajë ndeshje shtesë. Nga ana tjetër, bën gati terrenin për të marrë pikë edhe në Laç.

Zguro, një pikë me vlera ajo e fituar me Partizanin?

Po ishte një pikë shumë e rëndësishme, pasi në kushtet ku ndodheshim edhe një pikë normalisht që do të na bënte shumë punë. Shpresojmë që në javët e mbetura të vazhdojmë me këtë ritëm dhe këto rezultate, pasi gjithçka do të bëhet e mundshme dhe më e lehtë. Nëse vazhdojmë kështu jemi të bindur që do të lëmë Bylisin dhe Kastriotin poshtë nesh.

Në këto katër javë vendoset gjithçka për Skënderbeun apo mund të mbyllet më shpejt?

Do të jetë një garë e luftuar deri në fund dhe duhet të bëjmë maksimumin. Ne jemi të bindur që, nëse e vijojmë kështu me paraqitjet dhe formën tonë, atëherë gjithçka është e arritshme.

A ju bind ekipi se mund t’ia dalë me të vërtetë?

Nëse do t’i referohemi ndeshjes së fundit me Partizanin, të tregohem i sinqertë, nuk është se ishte loja jonë më e mirë. Por, rezultati që ka dalë nga kjo ndeshje na ngroh shumë dhe na jep besim për vijimësinë. Ishte një pikë me vlerë edhe për pozitat ku ndodhemi dhe fakti që luanim me vendin e parë. Është një pikë që na bën shumë punë.

Duket se çelësi i suksesit është me një ekip që mbrohet dhe del në kundërsulm. A mendoni se kështu funksionon?

Edhe në ndeshjen e fundit me Partizanin mund të them se kjo ka qenë strategjia jonë, për të pritur kundërshtarin. Më pas do të kërkonim ta godisnim me kundërsulm. Kjo strategji nuk na eci në pjesën e parë, por më pas ndryshuam dhe arritëm të shënonim.

A do ta ketë Skënderbeu shpirtin e duhur edhe në 4 javët e fundit?

Shpresoj se po. Javë pas jave kemi treguar se kemi diçka dhe kualitet. E tregon fakti që në javët e fundit kemi treguar cilësi. Kemi rikuperuar shumë pikë dhe shpresojmë se deri në fund do t’ia dalim. Jemi të bindur që Skënderbeu shpëton, pasi nuk ka se si të ndodhë ndryshe.

Ndeshja e radhës është sërish delikate, me Laçin që ka të tjera objektiva. Si e shikoni këtë takim?

E dimë që na pret një ndeshje shumë e vështirë, siç kanë qenë të gjitha deri më tani dhe siç do jenë deri në fund të sezonit. Por, ne shkojmë të bindur dhe për të treguar forcën tonë. Shkojmë për pikë në Laç.

Kur thoni për pikë, edhe barazimi ju kënaq?

Ne hyjmë në çdo ndeshje për të marrë maksimumin. Por, në këtë takim, duke parë edhe kushtet dhe momentin në të cilën ndodhet sezoni, them se edhe një barazim do të na shkonte për shtat.

Nga ana tjetër jeni të interesuar edhe për Kastriotin dhe Bylisin apo jo?

Pa dyshim që po, ata janë rivalët tanë direktë. Nuk mund të themi që jo, pasi do të gënjenim. Normalisht që shohim edhe Bylisin dhe Kastriotin, pasi janë rivalët tanë dhe ecuria e tyre ndikon edhe te ne.

Kur thoni që Skënderbeu shpëton, ia del përmes “play out”-it apo direkt?

Ne jemi të bindur se Skënderbeu nuk është ekipi që do të shkojë në kategorinë më poshtë. Jemi të bindur që qëndrojmë në Superiore. Nëse kjo vjen direkt aq më mirë do të jetë.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"