Skënderbeu me “armatë” të cunguar, Daja duhet të gjejë zgjidhje për të mundur Tiranën e plotë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Shkurt 11, 2020 | 21:34


Skënderbeu me “armatë” të cunguar, Daja duhet të gjejë zgjidhje për të mundur Tiranën e plotë

Barazimi me Bylisin nuk ishte nota e vetme negative e Skënderbeut në këtë moment. Sikur të mos mjaftonte humbja e dy pikëve në një ndeshje e cila duhet të ishte fituar, probleme të reja shtohen për trajnerin Ilir Daja në pritje të transfertës delikate përballë Tiranës. Skënderbeu duket se do të humbë sërish dy pjesë të rëndësishme të sulmit të vet, duke bërë që faza ofensive të jetë në emergjencë të plotë.

Ilir Daja

Bëhet fjalë për mungesën e Blerim Krasniqit dhe Zhan Ndekit, të cilët nuk do të jenë të pranishëm me shumë mundësi në dy ndeshjet e radhës, qoftë në Kupë kundër Besës, ashtu edhe në kampionat kundër Tiranës. Mungesa të cilat u ndjenë jo pak në radhët e korçarëve në ndeshjen e fundit të barazuar në shtëpi përballë Bylisit.

Krasniqi – Pa dyshim që mungesa më e madhe prej javësh te Skënderbeu është ajo e Blerim Krasniqit. Sulmuesi kavajas i Skënderbeut vazhdon të ketë problem me tërheqjen muskulore dhe ende nuk duket se është gati për t’u bashkuar plotësisht nën urdhrat e trajnerit bardhekuq. Pavarësisht se prej ditësh shtatlarti i Skënderbeut është bashkuar me grupin duke kryer një pjesë të stërvitjes me ekipin, problemet për të vazhdojnë. Nga sa bëhet me dije, lojtari ka vështirësi për të vrapuar, dhe për sa kohë është duke vijuar me ritëm normal, gjithçka duket pa probleme. Por në momentin kur duhet të përdorë më shumë se 80% të shpejtësisë së tij në një sprint, atëherë problemet shfaqen. Kjo kushtëzon prezencën e tij në fushë për ndeshjet e radhës, pasi edhe stafi teknik nuk kërkon të rrezikojë jo vetëm një dëmtim më të madh, por edhe një zëvendësim të detyruar pas disa minutash loje.

avdyli krasniqi

Ndeki – Ndryshe qëndron situata për Zhan Ndekin. Senegalezi mungoi në ndeshjen ndaj Bylisit për shkak të gjendjes gripale e cila tashmë duket se ka kaluar, por një tjetër problem ka dalë për lojtarin. 22-vjeçari ka shfaqur shenja dhimbjeje në fundin e muskujve të barkut. Dëmtim ky i cili duket se është shkaktuar nga terreni shumë i butë si pasojë e shkrirjes së borës në fushë. Një dëmtim i tillë duket se kërkon të paktën katër deri në gjashtë ditë për t’u normalizuar që do të përkthehet ndryshe në një mungesë të sigurt ndaj Tiranës.

Ndeki

Formacioni – Me të gjitha këto mungesa, trajneri i Skënderbeut do të ketë nevojë për ndryshime edhe në formacion për ndeshjen ndaj Tiranës. Gjithsesi, përtej alarmit në kampin bardhekuq, trajneri i Skënderbeut nuk kërkon të shohë aq larg deri në ndeshjen me Tiranën që luhet ditën e shtunë. Daja ka kërkuar nga ekipi fokus te takimi i të mërkurës në Kupë ku kundërshtar do të jetë Besa. Pavarësisht se thuajse i kualifikuar pas fitores 0-2 në ndeshjen e parë në transfertë, numri një i pankinës korçare kërkon përqendrim maksimal për të mos ia vështirësuar vetes më shumë pozitën, qoftë kjo edhe në Kupë.

LL.SARO




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com