Skënderbeu me 7 mungesa ndaj Lushnjës, zv.trajneri Mema: Nuk duhet t’u japim asnjë shans rivalëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 15, 2017 | 9:34

Skënderbeu me 7 mungesa ndaj Lushnjës, zv.trajneri Mema: Nuk duhet t’u japim asnjë shans rivalëve

Skënderbeu vjen sot ndaj Lushnjës me shumë ndryshime. Përveç gjashtë futbollistëve që janë mungesa të sigurta: Tefik Osmani, Martin Nespor, Enis Gavazaj, Suad Sahiti, Sabjen Lilaj dhe Bakari Nimaga, një risi sot pritet në krahun e majtë të mbrojtjes. Gledi Mici mund të jetë mungesa e shtatë e Skënderbeut në këtë përballje, por jo për shkak dëmtimi.

skenderbeu

Ai do ta nisë nga stoli, pasi ka shumë minuta në këmbë dhe duhet vërtet që të çlodhet. Në portë i sigurt është kapiteni Orges Shehi. Katërshja e prapavijës do të ketë Kristi Vangjelin në të djathtë, ndërsa qendra me kroatin Radas dhe kosovarin Jashanica. Në të majtë gjasat janë që të jetë Aliti. Përpara mbrojtjes Dita do të bëjë rolin e shkatërruesit.

Ndërsa Muzaka do të ketë në krah Donjet Shkodrën, që rikthehet pas disa takimesh në formacion. Kjo dyshe do të luajë prapa tre sulmuesve, me Takun në të djathtë dhe Xhejms në të majtë, ndërsa Ali Soue do të jetë pika e referimit në ofensivë. Ndërkohë, vetëm Gavazaj, Nespor dhe Nimaga janë lojtarët e dëmtuar dhe nuk do të jenë as në 18-she.

Ndërsa Osmani dje ka zhvilluar stërvitje të diferencuar, por që nuk mund të sakrifikohet për këtë takim ndaj Lushnjës. Edhe Suad Sahiti thuajse e ka kaluar dëmtimin, por edhe ky do të qëndrojë në stol. I treti lojtar që nuk do të sakrifikohet është Sabjen Lilaj. Mesfushori korçar po kalon një virozë, por edhe pse u stërvit dje, sot nuk do të luajë. Lilaj do të jetë gati vetëm ndaj Partizanit të Beogradit të enjten në Elbasan.

ARDIAN MEMA: S’MUND TË FALIM NË SHTËPI

Ndeshja kundër Lushnjës erdhi shumë shpejt për Skënderbeun, që nuk ka pasur kohën e mjaftueshme për të rikuperuar të gjithë lojtarët, por kjo nuk do të jetë problem për ekipin. Të paktën i këtij mendimi është zv.trajneri Ardian Mema. Në një bisedë për gazetën, tiranasi i stolit të kuq theksoi se Skënderbeut nuk i falen gabimet në shtëpi. Fillimisht Mema foli për startin perfekt të sezonit.

“Nuk ka qenë shumë i vështirë, për vetë faktin se e kemi bërë ne të duket kështu. Skënderbeu ka bërë paraqitje mjaft të mira, duke fituar ndeshje pas ndeshjeje, sidomos me rivalët. Mendoj që do të ketë një ecuri të mirë edhe në vazhdimësi. Të luftosh në tri kompeticione ka njëfarë vështirësie. Ne kemi kampionatin primar, por kemi menduar të bëjmë edhe rrotacion, pasi ekipi e ka kontingjentin e duhur për të përballuar kampionatin dhe Europën”, është shprehur fillimisht Mema.

I pyetur për ngarkesën e madhe që kanë marrë disa lojtarë këtë periudhë, numri dy i stolit jep këtë përgjigje: “Të them të drejtën kemi disa pikëpyetje. Një është ajo e Lilajt që ka pasur një ngarkesë të plotë që nga vera dhe deri tani. Prandaj jemi duke menduar që ta lëmë pushim për këtë takim, por ende nuk e kemi vendosur. Kjo jo për ta ruajtur për Partizanin e Beogradit, por sepse i duhet edhe pushimi”.

Mema vlerëson kundërshtarin e radhës, duke bërë të ditur se për Skënderbeun nuk do të jetë asgjë e lehtë. “Asnjë ndeshje nuk është e lehtë për çdo ekip. Kampionati është forcuar shumë, sidomos vitet e fundit. Unë pashë takimin që luajti me Kukësin dhe ishte një ekip goxha me ritëm dhe i hapi probleme. Ne duhet të dimë që çdo ndeshje ka një rëndësi të njëjtë.

Në çdo takim rëndësi kanë pikët. Nuk duhet t’u japim asnjë mundësi kundërshtarëve me qëllim që të diktojmë ne takimin, pavarësisht se kundër kujt jemi duke luajtur. Në çdo ndeshje hyjmë për tri pikë dhe bëjmë çmos që të marrim tri pikët”.

Në fund, i pyetur për sfidën me Partizanin e Beogradit, zv.trajneri deklaroi: “Kemi pak kohë në dispozicion, por kjo nuk na pengon që të bëjmë përgatitjen e duhur për çdo ndeshje. Të kalojmë fillimisht Lushnjën dhe më pas do të mendojmë për Partizanin. Ne i kemi të gjitha mundësitë të fitojmë kundër serbëve, por edhe në ndeshjet e tjera”.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"