Skënderbeu-Laçi, një finale për 50 milionë lekë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 27, 2018 | 9:24

Skënderbeu-Laçi, një finale për 50 milionë lekë

Skënderbeu-Laçi është hera e parë që përballen në finalen e Kupës së Shqipërisë, pikërisht në edicionin e 66-të. Mirëpo, në këto shtatë vitet e fundit që korçarët dominojnë në futbollin shqiptar, edhe pse kanë qenë në finale tri herë, e kanë snobuar Kupën e Shqipërisë. Tersi në këtë kompeticion ka vijuar edhe dekada më parë me Skënderbeun, që do të kërkojë sot në finalen e gjashtë në histori Kupën e parë.

skenderbeu laci

FSHF jep 50 milionë lekë të vjetër shpërblim për fituesin e Kupës dhe ky është natyrisht një stimul më shumë për finalen që do të luhet në “Elbasan Arena”. Laçi ka treguar se nuk është rastësi që i shkon deri në fund të këtij kompeticioni, pasi deri më tani e ka fituar dy herë, duke mposhtur Bylisin dhe Kukësin në finale në vitet 2013 dhe 2015.

Edhe në edicionin e 64-t, kurbinasit kanë qenë në finale, por nuk e kanë fituar dot Kupën, pasi Kukësi i mposhti me penallti. Këtë herë bardhezinjtë e drejtuar nga Gentian Mezani janë të zhveshur edhe nga presioni i sigurimit të pjesëmarrjes në Ligën e Europës.

laci skenderbey

Laçi e mbylli kampionatin në vendin e katërt dhe sido që të shkojë sot finalja e Kupës, e ka të sigurt Europën. Sipas rregullores, nëse klubi i shpallur kampion i Kategorisë Superiore fiton njëkohësisht edhe Kupën e Shqipërisë, në rastin konkret Skënderbeu, atëherë skuadra e renditur në vendin e katërt do të marrë pjesë në Ligën e Europës.

sTATISTIKAT

Kësisoj, bardhezinjtë do të tentojnë sot që përveç fitimit të trofeut, të marrin edhe shpërblimin e FSHF-së, duke shtuar të ardhurat. 215 mijë euro klubi kurbinas i përfiton nga UEFA vetëm për pjesëmarrjen në Europë, ndërsa Skënderbeu në rast se KAS i jep të drejtën të marrë pjesë në Champions, i nis përfitimet, duke filluar nga 480 mijë euro.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"