Skënderbeu kërkon vazhdimësinë edhe kundër Tiranës, ja si Memelli karikon lojtarët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 7, 2021 | 12:13

Skënderbeu kërkon vazhdimësinë edhe kundër Tiranës, ja si Memelli karikon lojtarët

Pas një fitoreje me shumë vlera, Skënderbeu është rikthyer në Korçë për të nisur përgatitjet për ndeshjen e radhës, ndeshje që këtë herë do të ketë një tjetër shkallë vështirësie përballë Tiranës.

Memelli Skenderbeu

Gjithsesi, fitorja e dytë radhazi dhe e treta në katër ndeshjet e fundit duket se ka rritur harmoninë dhe motivimin në kampin bardhekuq.

MEMELLI – Gjithsesi, ai që e ndien më shumë “rrezikun” e këtij motivimi është trajneri Migen Memelli. Pankina korçare ka meritën kryesore për gjetjen e gjuhës së motivimit për lojtarët pas një periudhe jo fort të mirë por nga ana tjetër ka detyrë të mbajë me këmbë në tokë ekipin e fryrë pas dy fitoresh tepër të rëndësishme.

Kjo ka ndodhur edhe në seancën e një dite më parë. Pasi ka mbledhur të gjithë lojtarët rreth vetes Memelli ka falënderuar për grintën dhe kontributin e dhënë në ndeshjen e fundit një e nga një të gjithë, por më pas është ndalur tek ndeshja e radhës, atje ku ka kërkuar përqendrim dhe impenjim maksimal.

Skenderbeu

FITORJA – “Vijmë nga një fitore me shumë peshë dhe jo me pak vlera, vlera të cilat ju i dini më mirë se kushdo. Ishte një fitore e rëndësishme për ne dhe ju falënderoj që keni dhënë kontributin maksimal në këtë takim.

Por, puna jonë nuk mbaron këtu. E kemi thënë shpesh që çdo ndeshje për ne është një finale dhe si e tillë duhet vlerësuar në maksimum. Prandaj nuk është koha për të bërtitur fitore, por duhet të jemi të përqendruar. Duhet të shkundemi dhe të jemi me këmbë në tokë. Ajo që ka ndodhur me Kukësin ishte vërtet një rezultat pozitiv por tani ka kaluar dhe duhet ta harrojmë”.

TIRANA – “Do të mendojmë për ndeshjen e radhës, pikërisht atë ndaj Tiranës. Është një tjetër ndeshje që kërkon impenjim maksima nga ne dhe një sforco tjetër për arritjen e objektivit tonë sezonal. Skënderbeu është një aset për këtë futboll dhe ne duhet të bëjmë të pamundurën për ta mbajtur këtu ku i takon. Prandaj të mendojmë për ndeshjen e radhës dhe të harrojmë se çfarë ka ndodhur”, u është drejtuar Memelli të tijve para nisjes së seancës stërvitore.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"