Skënderbeu, Ilir Daja i trembet euforisë: Në Laç dua një ekip cinik!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 22, 2017 | 15:29

Skënderbeu, Ilir Daja i trembet euforisë: Në Laç dua një ekip cinik!

Katër fitoret e fundit dhe, mbi të gjitha, shkurtimi i distancës me kreun ka rritur ndjeshëm moralin te Skënderbeu. Megjithatë, llogaritë tashmë kërkojnë kujdes dhe mbi të gjitha “zero” gabime. Transferta e nesërme në Laç ka mobilizuar ndjeshëm bardhekuqtë, ndaj për të mbledhur skuadrën ka menduar vetë trajneri. Ilir Daja, para se të niste seancën e djeshme, ka bërë një analizë. Numri një i korçarëve druhet euforisë, ndaj pret që skuadra të shfaqet cinike.

Skenderbeu stervitje Daja

“Ecuria jonë në startin e fazës së katërt ka qenë pozitive dhe natyrisht që nuk kemi sesi ta mohojmë një gjë të tillë. Mirëpo tani na lind detyrimi që të jemi sa më të qetë dhe të përqendruar duke i menaxhuar të gjitha energjitë në mënyrën e duhur. Ajo që unë do të veçoja në këtë takim është fakti se duhet të lëmë mënjanë euforinë e tepruar. Të tregojmë karakter të fortë ndaj çdo kundërshtari dhe të marrim pikët e nevojshme ndeshje pas ndeshjeje. Euforia do të na dëmtonte në një situatë të tillë.

Asgjë nuk ka ndodhur, objektivi është ende atje. Ne kemi tri pikë distancë me kundërshtarët dhe jemi të detyruar të mos bëjmë gabime. Prandaj në fushë dua ekip me karakter. Të tregohemi cinikë, jo mendjemëdhenj. Nëse bëjmë të kundërtën, do të na dëmtonte së tepërmi. Një gjë të tillë dua që ju ta pasqyroni jo vetëm në fushë, por edhe në deklaratat tuaja për media”, ishin fjalët e para të trajnerit Ilir Daja drejtuar të tijve para seancës stërvitore.

Skenderbeu stervitje 2

Më pas, numri një i pankinës korçare u mor me analizimin e kundërshtarit të radhës që është Laçi, duke i quajtur ata një ekip të fortë dhe të rrezikshëm, prandaj dhe përqendrimi duhet të jetë maksimal. “Luajmë në Laç, një fushë tejet e vështirë. Nuk do të jetë një shëtitje për ne, por një betejë ndaj një ekipi që kërkon pikë për mbijetesë. Është një ndeshje e vështirë, por ne do të hyjmë në fushë për fitore. Dua një ekip të përqendruar në prapavijë dhe cinik në sulm. Nëse bëjmë lojën tonë, jam i bindur se t’ia dalim. Kryesorja është të shënojmë gol shpejt dhe të tregohemi menaxhues në fushë”, mësohet t’u ketë thënë lojtarëve Daja.

Skenderbeu formacioni

Formacioni, i njëjtë si ndaj Teutës

Skënderbeu po u jep fund përgatitjeve të ndeshjes kundër Laçit dhe trajneri Daja në këtë seancë të parafundit stërvitore me ekipin e tij ka provuar edhe një herë formacionin e mundshëm që do të hedhë në fushë në këtë takim. I bindur tek ekipi i tij, por edhe besnik i idesë që ekipi që fiton nuk ndryshohet, trajneri kryeqytetas duket tashmë i vendosur që të rikonfirmojë edhe një herë ekipin që ka luajtur titullar në kampionat që nga ndeshja me Partizanin, por që u pa edhe në Durrës.

Kështu që pritet ta nisë nga porta me Orges Shehin dhe para kapitenit të vendoset mbrojtja me katër e formuar nga Vangjeli në të djathtë, Mici në të majtë dhe Radas me Jashanicën në qendër. Para mbrojtjes do të vendosen sërish digat e zakonshme me Osmanin dhe Orelesin. Më të avancuar do të luajnë Latifi nga e majta dhe i rilinduri Gavazaj nga e djathta me Xhejmsin në rolin e ri si qendër pas shpinës së Salihit.

Llazi Saro

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"