Skënderbeu i Shehit, ja 3 “musketierët”. Gripshi nuk e mbyll kurrë lojën, Radas më i ndëshkuari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2018 | 22:00

Skënderbeu i Shehit, ja 3 “musketierët”. Gripshi nuk e mbyll kurrë lojën, Radas më i ndëshkuari

Stresi i KAS-it dhe “revolucioni” i verës nuk kanë ndikuar aspak te Skënderbeu. Edhe pse të shumtë ish in skeptikët për vazhdimësinë e kësaj skuadre, kur janë luajtur 13 javë kanë shpallur zyrtarisht kandidaturën për titull. Në një hulumtim të bërë nga “Panorama Sport” kuptojmë se janë një ekip që dinë të shënojnë gola, edhe pse nuk e kanë më një “bomber” tipik si Salihi apo Soue. Gripshi është lojtari që ndërrohet më shpesh, Radas më i “padisiplinuari”, ndërsa Orges Shehi ka vetëm 3… “musketierë”.

skenderbeu

TITULLARËT – Aldo Teqja, Fidan Aliti dhe Kristi Vangjeli janë të pazëvendësueshmit te bardhekuqtë. Duhet thënë se, veç kësaj tresheje, edhe tre të tjerë janë titullarë të padiskutueshëm, megjithatë në momente të ndryshme të lojës janë ndërruar apo edhe futur nga stoli. Këtu mund të përmendim Gjergji Muzakën, Dejvi Bregun dhe Nazmi Gripshin.

AKTIVIZIMET – Orges Shehi deri në këtë fazë të kampionatit u ka dhënë minuta plot 19 futbollistëve, ndërsa 9 të tjerë presin ende radhën për të zbritur në fushë, pasi akoma nuk e kanë bërë sefte.

NDËRRIMET – Oto Xhon është “kampion” mes lojtarëve që e nisin nga stoli. Sulmuesi plot 9 herë është futur si zëvendësues dhe duhet thënë që 306 minuta ka qenë më shumë se efektiv, pasi e ka gjetur 3 herë rrjetën. Nazmi Grishpi nga ana tjetër është lojtari që, edhe pse e nis si titullar, 9 ndeshje nuk i ka mbyllur dot. Në total ka 973 minuta.

PORTA – Me Aldo Teqjen që ka fituar besimin e trajnerit, duhet thënë që Mario Dajsinanit nuk i ka ardhur ende koha të luajë. U bënë 13 javë që lojtari është i grumbulluar, por të gjitha ndeshjet i ka ndjekur nga stoli, pa marrë asnjë sekondë lojë.

GOLAT – Dejvi Bregu është “bomberi” i Skënderbeut. Ka realizuar 5 gola deri më tani, duke i dhënë shpeshherë edhe fitoret Skënderbeut. Nëse dikur korçarët kishin Pejiçin, Salihin apo Souenë që në fund fitonin edhe “Këpucën e Artë”, këtë vit shpërndarja e rrjetave është më e gjerë. Janë 8 shënues për 29 pikë të grumbulluara. Pas vlonjatit janë Muzaka me Oto Xhonin me 4 dhe 3 gola, ndërsa kanë realizuar nga një herë edhe Gripshi, Dita, Demte, Krasniqi e Hoxhaj.

KARTONËT – Marko Radas është lojtari që ndëshkohet më shumë te Skënderbeut. Në 13 javë ka marrë 7 të verdhë. Sakaq, i gjithë ekipi numëron 28 kartonë të verdhë në total. Vetëm Leonit Abazi dhe Kaba Sambou kanë marrë të kuq deri më tani dhe ato pas dy të verdhëve.

DËNIMET – Pjesë e organikës së Skënderbeut është edhe Bajram Jashanica. Mbrojtësi, edhe pse po stërvitet, nuk mund të aktivizohet. Dënimi i marrë për doping nga UEFA e penalizon.

TRUKIMET – Skënderbeu është në pritje të vendimit të KAS pas përjashtimit që mori nga UEFA me 10 vite për trukime. Pritej që ky të ishte sezon i brishtë për korçarët, por rezultatet po tregojnë të kundërtën. Vendi i dytë u jep të drejtë të pretendojnë titullin, duke qenë rivali kryesor i Partizanit kryesues.

PENALLTITË – Kur janë luajtur 13 ndeshje, Skënderbeu numëron 2 penallti pro, dy kundër dhe po aq të mohuara. Gjergj Muzaka i shënoi nga pika e bardhë Partizanit në javën e parë (në fitoren 1-0), por gaboi kundër Kukësit (në fitoren 1-0). Sakaq, janë ndëshkuar nga Latif kundër Teutës (në humbjen 0-2) dhe Plaku nuk pati “shënjestër” kur luajtën me Kamzën (në fitoren 2-0). Sakaq, u është mohuar 11-metërsh kundër Flamurtarit (në fitoren 0-2) dhe ndaj Kukësit (në fitoren 1-0)

EKSTRAKOMUNITARËT – Gjashtë të huaj ka në ekip Skënderbeu, konkretisht Radas, Guedj, Guindo, Oto Xhon, Sambou dhe Demte. Ekstrakomunitari më me shumë minuta është pikërisht kapiteni (me 990’), ndërsa më pak është aktivizuar Guindo me 25 minuta.

MINUTAT – Skënderbeu “fiket” në startin e pjesës së dytë. Pasi del nga dhomat e zhveshjes, për 15 minuta korçarët nuk e gjejnë dot golin, ndërsa në çerekorëshin e fundit të lojës “shpërthejnë”. Në total kanë realizuar 8 gola.

“VRASËSI” – Quajeni vrasësi i minutave të fundit ose zona “Bregu”. Futbollisti vlonjat është pikërisht lojtari që bën “gjëmën” në minutat e fundit të ndeshjes. Shënon, fiton penallti ose jep asist. Në çerekorëshin e fundit, ai është i kudondodhur.

REKORDI – Fitorja më thellë për korçarët në këtë sezon është ajo 3-0 kundër Kastriotit, ndërsa humbjen e kanë pësuar me Laçin në kryeqytet në shifrat 0-2.

BOJKOTI – Nuk kishte ndodhur kurrë që në Korçë të bojkotonin për rrogat, e megjithatë në muajin tetor lojtarët nuk u stërvitën në shenjë proteste për rrogat e padhëna.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"