Skënderbeu i ri sipas reparteve, mesfusha mbetet “thembra e Akilit”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 29, 2021 | 11:09

Skënderbeu i ri sipas reparteve, mesfusha mbetet “thembra e Akilit”

Skënderbeu tashmë është i plotë me të gjithë komponentët e vet. Që pas testit me Dinamon, ku barazuan 1-1, korçarët kanë nisur të bëjnë bilancin e pragkampionatit për të parë se si mund të përballojnë ngarkesën sezonale.

Skenderbeu skuadra

Një gjë të tillë, trajneri Migen Memelli, ka vendosur ta analizojë duke ndarë ekipin me reparte për të parë se cila është pjesa e “zbuluar” e Skënderbeut dhe ku ka mbipopullim të alternativave. Gjithçka ka filluar me përcaktimin e formacionit bazë, atë që korçarët do ta kenë si mbështetje kryesore për të gjithë sezonin, ose pjesërisht, deri në merkaton e janarit që mund të shërbejë edhe si mbulim i problemeve të mundshme.

Dukshëm korçarët po investojnë mjaft në përvetësimin e skemës së lojës. 3-5-2 apo 5-3-2 në varësi të kundërshtarëve dhe ndeshjeve të caktuara, mendohet se është rreshtimi i preferuar i Migen Memellit, që ka treguar se ekipi ka soliditet dhe është i vështirë për t’u mundur në takime të forta. Në bazë të këtij rreshtimi, stafi teknik ka filluar të bëjë edhe bilancin e alternativave dhe domosdoshmërive.

PORTA – Duket se është reparti më i blinduar i Skënderbeut. Bekim Rexhepi është titullar i padiskutuar në katërkëndëshin e korçarëve, si një pikë e fortë që jep garanci për pjesën tjetër të ekipit, gjë të cilën gardiani i ardhur nga Shkëndija e ka treguar edhe një sezon më parë. Gjatë merkatos është afruar edhe portieri Shkëlzen Ruçi.

MBROJTJA – Treshja qendrore duket se është stabël dhe e qëndrueshme për sa i përket të dhënave pozitive të treguara një vit më parë. Por, vlen të shihen ndryshimet e mundshme. Vitija dhe Sadriu duket se janë dy pikat e forta në këtë treshe që japin garanci, por duhet parë me kujdes rritja e vazhdueshme e Bajramit që mund të lirojë pozicionin e lirë të Randit, i cili do të rikthehej në rolin e tij natyral si mesfushor.

Gjithsesi, Memelli e ka një xhol në këtë repart. Randi dhe Abei janë alternativat e mundshme për të plotësuar qendrën difensive. Ndërsa, për sa i përket krahëve, anësorëve gjithpërfshirës, Meksi dhe Zguro në rolin e kapitenit këtë vit duket se janë titullarët e padiskutueshëm të korçarëve. Në mbulim të tyre, në rast mungesash apo pezullimesh, Asante dhe Vrapi janë gati për të marrë pozicionin.

MESFUSHA – Ndoshta mund të konsiderohet si “thembra e Akilit” për Skënderbeun. Është reparti më pak solid i korçarëve, dhe jo i plotësuar si duhet me kërkesat e Memellit. Largimet e një sezoni më parë, por edhe eficienca e pakët e Murilo Rosës, i larguar ende pa ardhur mirë në Korçë, bën që reparti të çalojë disi.

Kjo është parë edhe në testet miqësore, ku kundërshtarët e kishin të lehtë të thyenin Skënderbeun, pikërisht këtu, dhe të krijonin epërsi në mesfushë. Zhan Viktor, Vangjeli dhe Mara duket se do të jenë treshja titullare, që do të luajë në këtë repart, gjithmonë nëse Randi do të vendoset në prapavijë. Në të kundërt, do të jetë ganezi titullar me brazilianin që duhet të luftojë fort për të fituar pozicionin në këtë repart.

SULMI – E kundërta e mesfushës ndodh me sulmin. Duket se është reparti më i ngarkuar i Skënderbeut dhe nuk është çudi që të ketë edhe huazime në të. Janë momentalisht pesë lojtarë që luftojnë për dy pozicione, Mensah dhe Bismark, janë më të favorizuar për të qenë ata dyshja e sulmit korçar. Gjithsesi, duhet pasur kujdes nga shpërthimet e Berishës dhe finalizimet e Pusit, që herë pas here kanë qenë lojtarët e zgjidhjes te Skënderbeu. Mbase Memelli për ta do të ketë një zgjidhje alternative.

sKENDERBEU

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"