Skënderbeu, “i qepur” me Randin dhe Liçon në mesfushë/ Ja si pritet të rreshtohen korçarët në sezonin e ri
Skënderbeu po merr formë për sezonin e ri, teksa ndaj Vllaznisë ditën e sotme do të jetë testi i radhës. Miqësorja do të vlejë për të parë se çfarë mund të ndryshohet tek ekipi korçar, por gjithsesi 90% e grupit duket se është ndërtuar tashmë.
Një përgjigje të mirë trajneri Migen Memelli e ka marrë jo vetëm gjatë seancave stërvitore, por mbi të gjitha te pjesa e dytë e miqësores ndaj Devollit. Skënderbeu ka treguar se ka ndërtuar një grup solid dhe me tri përforcimet që priten mund të jetë konkurrues kryesor në sezonin e ri. Një “miksim” perfekt i lojtarëve me eksperiencë dhe atyre të rinj, e bën ekipin bardhekuq pretendent për sezonin e ardhshëm.
Gjithçka duket se është “qepur”, gjithmonë nëse korçarët bindin Randi Dumfurin dhe Dean Liçon për të qenë pjese e projektit të ideuar nga Ardian Takaj. Janë këta dy elementë, të cilët e kompletojnë së tepërmi ekipin e Memellit.
Gjithçka nis nga porta me Ruçin për të vijuar më pas me Frashërin dhe Zguron nga krahët dhe dyshja e qendrës me Prençin si titullar dhe një mes Rapës dhe ganezit Kounde që vjen nga Verona. Në mesin e fushës Ramin Alii i shtohet dyshes së formuar nga Liço dhe Randi, teksa sulmi duket i plotësuar me Likën, Pusin dhe Abubakar. Ndërkohë që në tetor pritet rikthimi i Nikajt. Me shumë mundësi kjo do të jetë fytyra e re e Skënderbeut në sezonin e ardhshëm.
LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"