Skënderbeu i jep Kukësit 35 mijë euro për Micin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 14, 2016 | 8:45

Skënderbeu i jep Kukësit 35 mijë euro për Micin

Gledi Mici pritet të jetë futbollisti i Skënderbeut në sezonin e ardhshëm futbollistik.

gledi miciBurime të “Panorama Sport” pranë klubit bardhekuq, por edhe vetë lojtarit kanë bërë me dije se prej dy ditësh palët kanë arritur akordin me kushtin që Skënderbeu duhet të paguajë për të marrë shërbimet e fierakut.

Do të jenë plot 35 mijë euro që do të shkojnë në arkat e klubit verior nga ana e Skënderbeut, çka duket se i ka mjaftuar Kukësit që të pranojë lënien e lirë të mbrojtësit.

Mici ka qenë një nga dëshirat e hershme të Skënderbeut dhe pas ardhjes së Agostinelit në krye dhe largimit të Arapit, presioni për mbrojtësin e majtë është shtuar ndjeshëm.

Duke qenë se bardhekuqtë nuk kanë gjetur një alternativë më të duhur për Arapin dhe për faktin se përqendrimi ka qenë vetëm te lojtarët vendas, pasi ekipi ka shumë të huaj në përbërje, është zgjedhur që të bëhet ky investim i tillë.

Një shifër jo e vogël kjo për futbollin tonë që pritet të veshë Micin bardhekuq edhe falë insistimit të vazhdueshëm të Agostinelit për lojtarin.

Ndërkaq, pritet tashmë që Mici të bashkohet me ekipin këto ditë dhe të nisë zyrtarisht aventurën si bardhekuq.

Me këtë afrim bardhekuqtë blindojnë kështu krahun e majtë të mbrojtjes. Prezantimi i Gledi Micit si lojtar i korçarëve pritet të bëhet me shumë mundësi sot ose nesër, kur presidenti Takaj të bashkohet me ekipin në Kardhicë.

Me afrimin e tij, kampionët mund ta quajnë të mbyllur merkaton për këtë sezon pasi prapavija është kompletuar disi më shumë duke kënaqur kështu Agostinelin.

Por në momentet e fundit mund të ketë ndonjë afrim tjetër, pas largimit të italianit Simone Matia. Ky i fundit nuk arriti të përshtatej në Korçë dhe u rikthye te Lacio, duke lënë bosh një vend në mbrojtje dhe më konkretisht në krahun e majtë. Kështu që drejtuesit pritet të rifuten sërish në merkato për të afruar një lojtar në këtë pozicion.

Takimi – Ndërkohë, te Kukësi janë koshientë të faktit që Mici do të largohet. Madje, ai nuk u është përgjigjur as në telefon, duke anashkaluar bisedat dhe negociatat.

Por, nga ana tjetër, Mici së bashku me përfaqësuesen e tij ligjore është parë në resortin “Tropikal” në Durrës, duke biseduar me presidentin Takaj.

Nga burime pranë lojtarit, gazeta mëson se presidenti i Skënderbeut i ka kërkuar që ai të jetë i bindur për të qenë pjesë e Skënderbeut, pastaj çështjen me Gjicin e zgjidhë ai vetë. Pritet që Takaj t’i ofrojë ndonjë lojtar tjetër huazim dhe shtesën e parave që Kukësi kërkon.

– LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"