Skënderbeu i fortë me të mëdhenjtë, “kështjellë rëre” me të vegjlit. Ja problemet e korçarëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Shkurt 17, 2020 | 14:46

FB Kategoria Superiore Lajmi i fundit LAJMI KRYESOR Shkumbini

Skënderbeu i fortë me të mëdhenjtë, “kështjellë rëre” me të vegjlit. Ja problemet e korçarëve

Skënderbeu me barazimin e marrë në kryeqytet përballë Tiranës në ndeshjen e javës së 22-të të sezonit tregoi edhe një herë se nuk është një ekip lehtësisht i kalueshëm, por një skuadër që ndaj të mëdhave nxjerr fytyrën e vet të vërtetë.

Skenderbeu vs Tirana

Barazimi në transfertë, por mbi të gjitha, loja e mirë që zhvilluan korçarët sidomos në pjesën e parë të takimit, i dha të drejtë trajnerit Ilir Daja, i cili vazhdimisht ka përsëritur se problemi i Skënderbeut mbetet përqendrimi ndaj ekipeve, në letër të vogla. Ndërsa me ekipet e mëdha korçarët kanë marrë ndoshta më të mirën nga ky sezon. Nëse do t’u referohemi statistikave të këtij sezoni, kuptojmë se bardhekuqtë kanë bërë mjaft mirë me kryesuesit e kampionatit, por edhe me kampionët në fuqi të Partizanit.

Duke nisur nga bardheblutë, në ndeshjen direkte Skënderbeu ka humbur një herë në transfertë, ka fituar në shtëpi përballë Tiranës dhe ka marrë një barazim në transfertë, ndërsa ka për të luajtur edhe ndeshjen e fazës së katërt në shtëpinë e vet. Nëse do t’u referohemi përballjeve me Kukësin, në dy takimet e luajtura në pjesën e parë të kampionatit, korçarët kanë barazuar dy herë.

Fillimisht në shtëpi dhe më pas në transfertë. Barazim mund të quhen përballjet edhe me Partizanin. Skënderbeu është mundur në Tiranë nga të kuqtë, por ka fituar në Korçë në një ndeshje të dominuar totalisht nga fillimi në fund të takimit. Rezultate këto që të lënë të dalësh në përfundimin se korçarët vijojnë të jenë një ekip i fortë dhe me peshë fanelle, pavarësisht problemeve me të cilat është dashur të përballet.

Skenderbeu

PROBLEMET – Në ndeshjet e lehta në letër apo pa ndonjë peshë, Skënderbeu në këtë sezon ka filluar të ketë probleme. Ajo që Daja ka përsëritur shpesh është mungesa e përqendrimit dhe mosmotivimi i duhur nga ana e të tijve në një takim, qoftë ky në shtëpi apo edhe në transfertë. Të gjitha këto fjalë marrin kuptim nëse shohim ndeshjet me Vllazninë. Dy takime të humbura nga Skënderbeu, i pari turpshëm në Shkodër dhe i dyti në shtëpi.

skenderbeu-tirana

Edhe ndaj Bylisit korçarët kanë fituar një ndeshje, kanë humbur një tjetër dhe kanë barazuar ndeshjen e tretë. E si për t’i mbyllur si duhet statistikat, janë dy takimet me Luftëtarin. Në ndeshjen e parë në Korçë takimi është zgjidhur vetëm në minutat e fundit mes shumë vuajtjesh, ndërsa ndeshjen e fazës së dytë bardhekuqtë e kanë humbur përballë bluzinjve. Luhatje që duket se kanë peshën kryesore se pse Skënderbeu ndodhet në atë pozicion në renditje.

Ndeshjet me te medhate

STËRVITJA – Pas barazimit në kampionat përballë Tiranës të luajtur në kryeqytet korçarët nuk kanë humbur kohë dhe menjëherë kanë filluar përgatitjet për ndeshjen e radhës në shtëpi përballë Teutës. Prej ditës së djeshme një pjesë e ekipit është kthyer në Korçë për të qenë gati për ndeshjen e radhës, ndërsa sot pritet që të bashkohet edhe pjesa tjetër e ekipit.

skenderbeu ne bore

Në kushte të tilla, trajneri Ilir Daja duket se do të zhvillojë sot seancën e parë përgatitore për ndeshjen e së shtunës ku do të ketë një ekip të kompletuar në dispozicion. Ajo që korçarët presin është një lajm i mirë nga infermieria në lidhje me gjendjen e Krasniqit dhe të Ditës që ka pasur shqetësime në dy takimet e fundit, por mbi të gjitha një rikuperim të mundshëm të Ndekit për ndeshjen e fundjavës. Rikthimi i senegalezit do të ishte me mjaft vlera për Skënderbeun.

Llazi Saro – PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com