“Skënderbeu humbi një betejë, lufta vazhdon”, Zguro: Duam kualifikimin ndaj Dinamos, pas Apolonisë do flasim për…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 16, 2021 | 18:38

“Skënderbeu humbi një betejë, lufta vazhdon”, Zguro: Duam kualifikimin ndaj Dinamos, pas Apolonisë do flasim për…

Te Skënderbeu nuk mund ta ruajnë vazhdimësinë në dy ndeshjet e fundit. Humbja me Laçin e ka ndërlikuar situatën e mbijetesës, por Skënderbeu do të jetë edhe në Kupë ku nesër luan çerekfinalen me Dinamon. Në këto kushte, Vangjel Zguro nuk kërkon t’i ndajë të dy veprimtaritë, pasi sipas mbrojtësit, Skënderbeu nuk ka pse dorëzohet. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, ndeshjen me Laçin Zguro e quan një betejë të humbur, por kjo nuk do të thotë se i kanë humbur shpresat për mbijetesën. Madje korçarët për shumë arsye e shohin Kupën si një rrugë ku duhet të ecin me kokën lart dhe të luftojnë edhe për moral.

zGURO

Skënderbeu humbi ndaj Laçit rastin për të konfirmuar vazhdimësinë…

Një humbje që realisht ishte e vështirë të besohej, kjo pasi në pjesën e parë ishim shumë mirë, më pas një moment na ndëshkoi. Një penallti e padhënë dhe në fund ngarkesa na bënë që të mos merrnim të paktën një pikë. Kemi zhvilluar një ndeshje të mirë, por jo me përfundimin e duhur. Gjithsesi duhet të shohim para.

Sa ndikim do të ketë kjo ndeshje për më tej?

Çdo ndeshje lë pasoja, qoftë për mirë apo për keq. Jam i bindur se ne do ta gjejmë forcën që të jemi edhe më të fortë. Kemi treguar se mundësitë dhe aftësitë janë, tani duhet të rikthehemi te besimi. Ndofta ndeshja në Kupë do na japë edhe më shumë besim për më tej.

Pra, ndaj Dinamos në Kupë do të shikojmë një Skënderbe me ambicie?

Natyrisht që po, ne do të luajmë po me atë seriozitet sikur të jetë një ndeshje kampionati por edhe përcaktuese. Ne do të luajmë për kualifikim, pasi ka ndikim të madh në moral dhe duhet ta reflektojmë në ndeshjen e kampionatit. Falë përvojës, them se lufta do të jetë deri në ndeshjen e fundit, ndonëse për momentin ka diferenca pikësh.

zGURO

Ku duhet të jeni më të fortë dhe të qartë si ekip, pasi trajneri pas ndeshjes tha që problem ishte mesfusha?

Trajneri e gjykon më mirë. Ndeshjen me Laçin e kam ndjekur nga tribuna, pasi isha i skualifikuar. Nuk mund të jap një opinion në këtë drejtim. Ne shpesh themi se jemi grup dhe kur ke sukses ai është i grupit dhe kur humbet, gjithçka kërkohet te grupi. Ekipi ka shumë lojtarë të rinj dhe natyrisht që mund të bëhen edhe gabime ndëshkuese.

A do të jetë Zguro gati për ndeshjen e Kupën ndaj Dinamos?

Nuk e di, pasi kam munguar disa ditë. Nuk kam luajtur as në ndeshjen e kaluar. Nëse trajneri më hedh në fushë, unë do të jap më të mirën.

Sa besoni te mbijetesa në Superiore dhe sa larg do të shkoni në Kupë?

Fillimisht do të kalojmë këtë tur të Kupës, më pas të shikojmë. Besoj se kemi rrugë për të bërë. Sa për mbijetesën, jam i bindur se luftën nuk e kemi humbur. Beteja më e rëndësishme e Skënderbeut është këtë javë me Apoloninë. Pas kësaj ndeshjeje mund të flasim më me siguri se do të jemi pjesë e elitës apo jo.

ROMEO XINXIFI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"