Skënderbeu heroik kualifikohet në “play off”, Orges Shehi “çmend” çekët (VIDEO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 3, 2017 | 23:59

Skënderbeu heroik kualifikohet në “play off”, Orges Shehi “çmend” çekët (VIDEO)

Skënderbeu është kualifikuar në fazën “play off” të Ligës së Europës. U deshën 210 minuta lojë dhe 8 penallti të goditura në dy përballjet e turit të tretë me çekët e Mllada Boleslav për të kaluar më tej.

skenderbeu mllada

Pas humbjes në ndeshjen e parë me rezultatin 2-1, sot Skënderbeu arriti të fitonte po me të njëjtin rezultat në “Elbasan Arena”. Janosh kaloi Mlladën në avantazh në minutën e 18, por Lilaj barazoi shifrat në minutën e 55-të me penallti. Sebino Plako shënoi golin e përmbysjes në minutën e 83-të duke e çuar ndeshjen në shtesë.

skenderbeu mllada tifozet

30 minutat e shtesës nuk prodhuan asnjë gol dhe skuadrat u drejtuan penalltive. Korçarët u treguan të saktë duke shënuar 4 penallti, ndërsa çekët gabuan në 2 nga 4 tentativa, me Radën që goditi traversën dhe Membrahtun që u ndal nga Shehi.

Skënderbeu do të mësojë në shortin e nesërm në orën 13:00 në Nion të Zvicrës kundërshtarin e radhës.

Penalltitë

skenderbeu

8- Membrahtu godet penalltinë e tetë. Pret Shehi. 4-2. Kualifikohet Skënderbeu.

7- Lilaj godet penalltinë e shtatë. Shënon. 4-2.

6- Rada godet penalltinë e gjashtë. Godet traversën dhe e humb. 3-2.

5- Muzaka godet penalltinë e pestë. Shënon. 3-2.

4- Prikril godet penalltinë e katërt. Shënon. 2-2.

3- Latifi godet penalltinë e tretë. Shënon. 2-1.

2- Maresh godet penalltinë e dytë. Shënon. 1-1.

1- Shehi godet penalltinë e parë. Shënon. 1-0.

Komenti minutë pas minute

120′ Mbyllet koha shtesë. Ndeshja shkon në penallti.

117′ Membrahtu ka një shans të artë brenda zonës përballë Shehit, por portieri tregon më i shpejtë duke i larguar topin nga këmbët.

114′ Vangjeli tenton një krosim në formë goditjeje nga e djathta, por topi del jashtë.

109′ Donjet Shkodra tenton me një goditje të fortë nga jashtë zonës, portieri Divish nuk e kontrollon dot si duhet por arrin ta devijojë në goditje këndi.

109′ Nimaga tenton një krosim nga e majta, por topi merr një trajektore të çuditshme dhe përfundon në duart e portierit Divish.

107′ Matejovski tenton me një goditje të rrezikshme nga larg, por Shehi e devijon në këndore.

106′ Latifi tenton me një goditje të rrezikshme diagonale nga hyrja e zonës, por topi shkon jashtë pranë shtyllës.

106′ Fillon pjesa e dytë e shtesës. Mllada Boleslav luan topin e parë.

105+1′ Mbyllet pjesa e parë e shtesës.

103′ Plaku tenton me një goditje të rrezikshme brenda zonës, por topi bllokohet nga një mbrojtës i Mlladës.

101′ Tifozët e Skënderbeut gjejnë hapësirë për t’i dedikuar një thirrje në kor edhe Ballist Morinës.

97′ Radas ekzekuton një goditje dënimi duke krosuar në zonë, por topi i goditur me kokë nga njëri prej lojtarëve të Skënderbeut devijohet në këndore.

95′ Mici kroson një top të bukur në zonë për Plakun por ky i fundit nuk arrin të godasë me kokë.

91′ Plaku merr një top të gjatë dhe futet brenda zonës, por tentativa e tij drejt portës devijohet në goditje nga këndi.

91′ Fillon pjesa e parë e shtesës. Skënderbeu luan topin e parë.

90+4′ Mbyllet koha e rregullt. Ndeshja shkon në shtesë.

89′ Shtylla i vjen në ndihmë Skënderbeut duke e shpëtuar nga goli i dytë. Maresh pati një mundësi të artë me portën e boshatisur, por goditja e tij u ndal nga shtylla.

85′ Merr zemër skuadra e Skënderbeut pas golit. Muzaka dhe Plaku ndërtojnë aksione të rrezikshme.

plaku

83′ GOOOOL. Skënderbeu kalon në avantazh me anë të Plakut. Sulmuesi merr një pasim në zonë nda Muzaka dhe tenton goditjen e cila devijohet dhe përfundon në rrjetë.

78′ Ndërpritet transmetimi në “Supersport”. Nuk ka sinjal nga Elbasani.

78′ Prikril tenton me një goditje të rrezikshme drejt portës, por Shehi i vëmendshëm grushton topin.

72′ Bën presing lart Mllada duke e ndërlikuar manovrën sulmuese të Skënderbeut.

67′ Lilaj provon të surprizojë nga jashtë zone, por topi përfundon jashtë portës.

66′ Përhap panik Mllada sa herë del në sulm, por s’ka qartësi në pasimin e fundit.

64′ Hidhet në sulm Skënderbeu që rrezikon me Latifin nga e djathta, por topi përfundon jashtë.

63′ Godet Janosh nga larg, por topi përplaset në këmbët e njërit prej mbrojtësve të Skënderbeut.

62′ Latifi krijon hapësirë me kalimin nga e djathta. Pasimi nuk është i duhuri për Nimagën në qendër.

59′ Fantastik Gavazaj që mbërrin një top të gjatë të Radasit dhe nga fundorja e hedh në qendër. Nimaga nuk e mbërrin, por nuk ka më rrezik.

skenderbeu1

55′ GOOOOOOL!!! Sabien Lilaj merr përsipër ekzekutimin e penalltisë dhe gjuan në të djathtë të portierit ngjitur me shtyllën pingule duke dërguar topin në rrjetë. Barazon Skënderbeu.

54′ Mici fiton penallti për Skënderbeun pas një pasimi të zgjuar nga Gavazaj.

52′ Shpëtojnë mrekullisht korçarët. Vangjeli mbyll një pasim të rrezikshëm.

50′ Skënderbeu zbret me besim dhe ide të qarta. Ka rrjedhshmëri. Pretendojnë edhe për një penallti.

48′ Spektakolar Gavazaj me driblimin në të majtë, por pasimi ishte i gabuar dhe largohet nga mbrojtësit.

46′ Fillon pjesa e dytë. Mllada Boleslav luan topin e parë.

45′ Nxehen gjakrat mes Lilajt dhe Fleishman. Gjyqtari i këshillon të dy lojtarët. Përfundon pjesa e parë.

43′ Pranë golit Skënderbeu. Krosimi i Vagjelit gjen Latifin në zonë, por ku i fundit nuk e devijon siç duhet.

42′ Krosim në formë goditjeje nga Radas, por ngrihet flamuri për pozicion jashtë loje.

40′ Zbret rrezikshëm Mllada, por nuk përfitojnë nga epërsia numerike sepse pasimi është i gabuar.

38′ Spektakolar Latifi me kalimin e tij, por ndalet në hyrje të zonës. Jep frytet spostimi në krahun e djathtë.

36′ Ndryshon pozicionet e Gavazajt dhe Latifit trajneri Daja. Vjen goditja e parë nga këndi.

33′ Fiton terren skuada e Mlladës me faulle dhe goditje nga këndi duke mos e lënë Skënderbeun të dalë nga mesfusha.

24′ Për t’u harruar goditja e Lilajt nga mesfusha. Topi përfundon shumë larg portës.

22′ Tjetër faull për Mlladën. Krosimi këtë herë nuk është i saktë dhe largon Osmani.

mllada

18′ Shënon Mllada. Janosh vjen pas shpinës së Micit dhe me një goditje të bukur e dërgon në rrjetë.

14′ Fitojnë terren rivalët, të cilët shtojnë ritmin në drejtim të portës korçare. Osmani vendimtar me largimin e topit.

12′ Orges Shehi spektakolar me ndërhyrjen e tij. Vangjeli u mundua ta ndërpriste aksionin me një top të dytë na fushë, por nuk ia doli. Kërcënojnë çekët.

10′ Pranë golit Nimaga. Latifi depërton mjaft mirë në zonë dhe pastaj pason për mesfushorin. E fortë, por përfundon jashtë.

7′ Faull për ekipin e Mlladës, por nuk shfrytëzohet siç duhet nga çekët. Topi përfundon larg.

4′ Gavazaj jep një top të bukur për Xhejmsin, por sulmuesi nuk e ndjek.

2′ Këmbëngul Latifi në hyrje të zonës, por e rrethojnë 4 kundërshtare. Skënderbeu e nis me vrull.

skenderbeu mllada1

1′ Fillon ndeshja. Skënderbeu luan topin e parë.

SKËNDERBEU – MLLADA BOLESLAV 2-1 (4-2 me penallti) (1-2)
Lilaj 55′ (11-m), Plaku 83′ / Janosh 18′

Skënderbeu: Shehi, Vangjeli, Radas, Jashanica, Mici, Lilaj, Osmani (Plaku 80′), Nimaga, Gavazaj (Muzaka 74′), Xhejms (Shkodra 68′), Latifi
Trajner: Ilir Daja

Mllada Boleslav: Divish, Paushçek, Dagllas, Stronati, Fleishman, Prikril, Janosh (Magera 111′), Rada, Fabian (Maresh 71′), Komliçenko (Golgol Membrahtu 60′), Matejovski
Trajner: Dushan Uhrin

Gjyqtar: Serhi Boiko (Ukrainë)

KV: Vangjeli 12′ / Komliçenko 53′, Maresh 74′, Prikril 81′

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"