Skënderbeu harron humbjen me Vllazninë, Ahmataj kërkesë të qartë skuadrës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 11, 2020 | 10:22

Skënderbeu harron humbjen me Vllazninë, Ahmataj kërkesë të qartë skuadrës

Skënderbeu e ka harruar ndeshjen e humbur ndaj Vllaznisë dhe po mendon për turin e dytë të Kupës së Shqipërisë në derbin e juglindjes ndaj Pogradecit. Duket se korçarët janë të përqendruar dhe nuk duan të lenë pas dore Kupën, si një objektiv që nuk duhet humbur. Një gjë të tillë trajneri bardhekuq u ka thënë të tijve në analizën që është bërë me ndeshjen e humbur ndaj Vllaznisë. Pasi është marrë me anën taktike të ndeshjes, Ahmataj ka kërkuar nga të tijtë që të lenë pas këtë takim dhe të mendojnë për ndeshjen e radhës. Trajneri i ka venë para faktit lojtarët se Kupa është objektiv i rëndësishëm dhe për shkak të specifikës që ka këtë sezon, që luhet me ndeshje teke.
Ahmataj
Për këtë arsye duhet që ekipi të jetë i përqendruar në çdo moment deri në mbyllje të takimit. “Duhet të mësojmë nga gabimet e bëra në ndeshjen e fundit, por tani është koha të përqendrohemi te Kupa, pasi është objektiv i rëndësishëm dhe nuk duhet të heqim dorë. Specifika e Kupës është e ndryshme këtë sezon, prandaj kushdo është i përqendruar në takimet e Kupës i ka shanset e mëdha për t’i shkuar deri në fund. Ne duhet të bëjmë diçka të tillë, të jemi të përqendruar dhe të shkojmë sa më larg të jetë e mundur në këtë kompeticioni”. Këto janë fjalët që mes të tjerash trajneri Ahmataj u ka transmetuar lojtarëve.
Pogradeci
POGRADECI – Për Julian Ahmatajn dhe lojtarët me eksperiencë ky nuk është një tur i lehtë, pasi derbi i juglindjes është gjithmonë një garë më vete. Pogradeci nuk është një kundërshtar i lehtë dhe këtë trajneri ia ka bërë të ditur lojtarëve. Normalisht që edhe Bicaj, i cili e ka luajtur në 2012- ën një derbi të tillë, e di mjaft mirë se nuk do të jetë thjesht shëtitje kjo ndeshje. Për këtë arsye trajneri është i vendosur që të mos kursejë askënd në Kupë. Nuk do të ketë rotacion në masë, por një ekip stabël që ka luajtur në dy javët e para. Numri një i pankinës korçare do të bazohet sërish te formacioni më i mirë që ka në dispozicion, duke mos dashur të bëjë shumë ndryshime. Dilemat mbeten te rikuperimet e Govorit dhe Randit, që për momentin nuk janë ende gati, por do të shihen deri para ndeshjes. Nga ana tjetër mund të ketë ndonjë ndryshim të vogël në majë të sulmit, megjithëse deri tani trajneri është i vendosur të luajë me të njëjtin formacion që ishte në fushë ndaj Vllaznisë këtë fundjavë.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"