Skënderbeu firmos me një brazilian, korçarët e huazojnë te skuadra e Kategorisë së Parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 29, 2022 | 10:48


Skënderbeu firmos me një brazilian, korçarët e huazojnë te skuadra e Kategorisë së Parë

Skënderbeu godet sërish në merkato, por kësaj radhe duke menduar për perspektivën. Bëhet fjalë për mbrojtësin brazilian Paulo Zhunjor Silva, i cili u testua për disa ditë në stërvitje nga trajneri Migen Memelli. 21-vjeçari brazilian luan si qendërmbrojtës dhe fazën e parë të këtij sezoni ka qenë pjesë e Burrelit në Kategorinë e Parë, ku ka luajtur 16 ndeshje dhe ka shënuar një gol.

paulo zhunior silva

Fillimisht Paulo Silva ka ardhur si një futbollist në provë te Skënderbeu, por që në dy seancat e para stërvitore ka treguar cilësi dhe agresivitet në fushë, gjë që ka tërhequr së tepërmi vëmendjen e stafit teknik e në veçanti të Liçit e Memellit të cilët kanë parë te braziliani tiparet e një mbrojtësi që mund të japë garanci.

Burime pranë klubit bënë me dije për gazetën se lojtari është teknikisht dhe fizikisht i aftë, por ka nevojë për t’u përshtatur me lojën e Skënderbeut dhe elementët taktikë.

Kjo i ka bindur drejtuesit që të firmosin një kontratë tre-vjeçare me lojtarin, i cili shihet si një mbrojtës me të ardhme te Skënderbeu.

Por duke ditur që numri i të huajve në ekip është i madh, plus që presin një sulmues brazilian për të mbyllur merkaton, drejtuesit korçarë kanë vendosur që ta huazojnë Paulo Zhunjor Silvën, i cili është kthyer sërish te Burreli, pasi aty ka më shumë hapësira aktivizimi. Kështu që, mbrojtësi brazilian pritet të kthehet në Korçë në përfundim të këtij sezoni.

 

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL