Skënderbeu drejt shpërbërjes, yjet në shitje vlejnë më shumë se 1.2 mln euro

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 21, 2018 | 19:48

Skënderbeu drejt shpërbërjes, yjet në shitje vlejnë më shumë se 1.2 mln euro

Skënderbeu po shkon drejt shpërbërjes. Pas Ali Souesë, Sabjen Lilajt, Kristi Vangjelit dhe tërheqjes nga futbolli të Orges Shehit, lojtari i katërt që i jep lamtumirën Skënderbeut është Gledi Mici. Fierakut i ka skaduar kontrata, ndërsa e cilëson veten të larguar nga Skënderbeu. I ftuar dje në “Top Channel”, mbrojtësi i majtë ka deklaruar se nuk është më pjesë e klubit korçar.

“Nuk jam më futbollist i Skënderbeut, pasi më ka përfunduar kontrata. Tani jam në pritje të ofertave”, deklaroi mbrojtësi, për të cilin ka interes nga klube daneze, greke dhe izraelite. Gjithashtu, Mici kërkohet edhe nga Shkëndija e Tetovës. Ndërkohë, pasi ka mbyllur përfundimisht dilemat për trajnerin e ri, Skënderbeu duket se tashmë është i gjithi i fokusuar te merkatoja në dalje. Në këtë pikë të sezonit ku ka shumë kaos dhe asnjë siguri, në kampin korçar po mundohen që të fitojnë sa më shumë të ardhura nga shitja e lojtarëve. Në kushte të tilla, bardhekuqtë kanë fiksuar çmimin e “xhevahireve”. Në krye të listës qëndrojnë Enis Gavazaj dhe Xhejms Adeniji.

Skenderbeu

Gavazaj – Pa dyshim që është një nga lojtarët më të kërkuar në kampin bardhekuq dhe si pasojë e paraqitjeve të mira të sezonit të kaluar ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve me emër në Europë. Në të tilla kushte Skënderbeu duket se është i palëvizshëm në kërkesat e tij, duke e vlerësuar të paktën 600 mijë euro. Një ofertë e tillë ka munguar deri në këto momente, por Europa është para dhe një huazim i mundshëm i Gavazajt do sillte përfitime pas paraqitjes së mundshme në Europë.

Xhejms – I dyti në radhë është nigeriani. 300 mijë euro për të do të ishin një biznes i mirë për Ardjan Takajn që do të shtonte financat për të mbajtur në këmbë klubin. Xhejms vjen po ashtu nga një sezon ku ka qenë në majën e këtyre viteve, duke u bërë protagonist absolut i arritjeve të Skënderbeut. Shkëndija ka shfaqur interes për afrikanin, por duket se çmimi i tij nuk i përmbush pritshmëritë e Skënderbeut.

Olainka – Nuk janë vetëm lojtarët aktualë ata që premtojnë të ardhura në Korçë, por edhe ata që janë larguar një herë. I tillë është rasti i Olainkës. Skënderbeu është treguar i zgjuar kur e shiti në fillim te Gent, pasi arriti të bënte një klauzolë për të marrë përqindjen në çdo transferim, në këtë mënyrë lajmet që vijnë nga Belgjika priten me kërshëri në kampin bardhekuq. Së fundmi, Gent ka refuzuar një ofertë prej 3 milionë eurosh për Olainkën, i cili kërkohej nga Slavia e Pragës pas sezonit brilant që zhvilloi në Belgjikë. Në të tilla kushte, belgët e vlerësojnë Olainkën 10 milionë euro dhe nëse një ofertë e tillë vjen, atëherë Skënderbeu pritet të përfitojë mjaft, pasi ka një përqindje të kartonit.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"