“Skënderbeu dhe Flamurtari nuk duhej të regjistroheshin”, gazetari kritika FSHF-së dhe ministrisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 29, 2019 | 20:05

“Skënderbeu dhe Flamurtari nuk duhej të regjistroheshin”, gazetari kritika FSHF-së dhe ministrisë

Futbolli shqiptar po kalon një nga momentet më të vështira të dekadave të fundit. Një pjesë e klubeve kanë probleme të thella financiare, ndërsa të tjerë si Skënderbeu nuk mund të luajnë në Europë dhe rrezikojnë të shpërbëhen fare pas këtij sezoni.

Jetmir Halilaj

Kryeredaktori i “Panorama Sport”, Jetmir Halilaj, është shprehur se për të ruajtur cilësinë e garës, por edhe për të vendosur disa standarde bazë për të ardhmen, Flamurtari dhe Skënderbeu nuk duhej të regjistroheshin në Superiore, për shkak të problemeve të mëdha që kanë.

SKËNDERBEU

“Skënderbeu dhe Flamurtari janë dy klube që për shkak të problemeve serioze që kanë këtë kampionat, me specifika të ndryshme natyrisht, nuk duhej të ishin regjistruar fare në Kategorinë Superiore. Korça sot përfaqësohet me një ekip që është dënuar me 10 vite dhe problemi më i madh i tyre është se pas këtij dënimi të rëndë nuk dinë as se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Pra nëse pyet një tifoz të Skënderbeut sot se çfarë po ndodh me ekipin e tij dhe çfarë do të bëhet në të ardhmen, askush nuk është në gjendje të të përgjigjet.

Skenderbeu

Pse? Sepse e ardhmja Skënderbeut nuk varet më as nga mundësitë e Takajt, as nga sakrificat e lojtarëve dhe të tifozëve dhe as nga bashkia, por varet nga vendimi që do të marrë qershorin e ardhshëm gjykata Federale e Zvicrës. Skënderbeu ka humbur shumë kohë dhe të presë ende pa e ditur se çfarë do të ndodhë, është si një thikë me dy presa. Nëse vendimi është negativ, atëherë dëmi për klubin dhe qytetin do të jetë i pallogaritshëm, sepse deri tani nuk është punuar as me një plan B. Mungesa e një plani konkret për të ndërtuar një projekt të ri e rëndon shumë situatën në Korçë. Ndoshta do të ishte mirë që paralelisht të punohej për ndërtimin e një ekipi të dytë, me qëllim që të mund të jetë gati nëse vendimi do të jetë negativ nga gjykata federale. Kështu kursehet kohë për nisjen e një projekti të ri”, deklaroi Jetmir Halilaj, i ftuar në emisionin “Sport News Plus” në News 24.

PËR FLAMURTARIN

“Nëse do të kishim një shtet normal, një ministri të sporteve që do të kujdesej jo vetëm për gjendjen e klubeve të futbollit, por edhe për imazhin, apo ndershmërinë e garës, atëherë Flamurtari nuk do të mund të regjistrohej dot në elitën e futbollit shqiptar.

Flamurtair

Një klub që nuk paguan futbollistët dhe stafin prej më shumë se një sezoni, që nuk ka asnjë garanci financiare për të ardhmen, nuk duhej ta lejonte të regjistrohej as federata, nëse drejtuesit e saj do të ishin seriozë dhe do të merakoseshin për një kampionat korrekt. Por këtu shumë gjëra nuk funksionojnë. Këtu Kategoria Superiore është reduktuar në 10 ekipe, pikërisht për të pasur klubet më të mira, më të organizuara dhe me infrastrukturën më të mirë. Ndërkohë, regjistrohet një klub si Flamurtari i zhytur në borxhe, regjistrohet edhe Skënderbeu që ka marrë dënimin më të madh në Europë për trukime… Natyrisht që kjo do të reflektohet edhe në cilësinë e kampionatit dhe seriozitetin e tij. Situata si këto prodhojnë vetëm probleme dhe nuk do të ketë kurrë progres”, deklaroi Halilaj në “News 24”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"