Skënderbeu, Daja shfryn pas disfatës me Laçin: Në stol kush nuk sakrifikon!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 4, 2019 | 22:09

Skënderbeu, Daja shfryn pas disfatës me Laçin: Në stol kush nuk sakrifikon!

Ilir Daja është i pakënaqur nga rendimenti i skuadrës së tij, por së fundmi ka filluar të ketë rezerva edhe për seriozitetin që shfaqin disa lojtarë në fushën e lojës.

iLIR DAJA

Kjo ka qenë arsyeja se pse trajneri i Skënderbeut i ka bërë për “ujë të ftohtë” futbollistët pas humbjes turpëruese 4-1 kundër Laçit në shtëpi.

“Unë i mirëkuptoj edhe gabimet që bëhen gjatë një ndeshjeje, por nuk toleroj kurrsesi që ju të jeni të papërqendruar dhe të mos fokusoheni sa duhet për të bërë detyrën tuaj. Ne përfaqësojmë një qytet dhe nëse dikush nga ju mendon për janarin apo mendon se këtu është për të kaluar kohën, e keni gabim. Seriozisht e keni gabim. Po ju them se do të uleni gjatë në stol, nëse nuk ndryshoni sjellje. Të gjithë këtu kemi marrë përsipër një detyrë pa na e imponuar askush, por ju e dini se mjafton të mos funksionojnë dy hallka apo dikush të mos impenjohet sa duhet dhe të hedhë në erë punën e të gjithëve.

ilir daja

Kështu nuk shkon. Unë nuk do të toleroj më mungesë përgjegjshmërie. Jeni të gjithë të paralajmëruar dhe nuk do të shoh më në të ardhmen të rinj apo të vjetër”, mësohet t’u ketë thënë Daja në mënyrë kërcënuese lojtarëve të tij. Është e pamohueshme se trajneri i Skënderbeut asnjëherë nuk i ka “shitur” lojtarët në publik, duke marrë vetë i pari përgjegjësitë sa herë që gjërat nuk kanë shkuar mirë. Por humbja e thellë me Laçin i ka lënë një shije të keqe, pasi është i bindur se përmbysja fatale erdhi edhe për shkak të neglizhencës apo mungesës së sakrificës nga disa lojtarë. Në këto kushte, Daja ka arritur në përfundimin se të gjithë duhet ta provojnë stolin për aq kohë sa nuk japin gjithçka munden në fushë.

E ardhmja

Burime nga klubi bëjnë me dije se disa futbollistë kanë nisur të shohin për mundësi të tjera gjatë janarit. Ky është një problem më vete, në fakt, sepse tregon se diçka nuk po shkon në themel te skuadra, për aq kohë sa Skënderbeu ka arritur në pikën kur lojtarët mendojnë për merkato që tani.

Dihej pa nisur sezoni problematika që do të kishte Skënderbeu këtë vit, por të mos angazhohesh sa duhet kur ke pranuar këto kushte, në radhë të parë dëmton vetë futbollistët. Qoftë edhe për të ardhmen e tyre, pasi duke mos bërë paraqitje të mira, do ta kenë akoma më të vështirë të jenë në treg dhe të kenë ofertat që dëshirojnë.

Daja është përpjekur t’ua shpjegojë këtë të gjithëve, veçanërisht të rinjve, të cilëve po u jepet mundësia të luajnë në Superiore dhe të jenë hera-herës nën vëzhgimin e klubeve vendëse, por edhe të huaja, duke qenë se të gjitha ndeshjet transmetohen në TV. Humbja me Laçin duket se e ka mbushur kupën dhe trajneri është i vendosur që në ndeshjet e ardhshme t’i ulë në stol të gjithë futbollistët, të cilët, sipas tij, nuk japin shpirtin në fushë.

Ll.Saro

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"