Skënderbeu, blofi nuk tolerohet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 30, 2016 | 11:20

Skënderbeu, blofi nuk tolerohet

Ndeshja e sotme kundër Bylisit mbetet një takim i rëndësishëm për Skënderbeun që, pas fitores në kryeqytet, do të kërkojë vazhdimësinë e rezultateve pozitive duke synuar ta mbajë të pandryshuar kreun e renditjes me kundërshtarin direkt për titull. skenderbeuNjë gjë të tillë e di fare mirë trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, i cili në konferencën e zakonshme për shtyp para ndeshjes është ndalur edhe te Partizani dhe lufta për titull.

Josa, ndeshja kundër Bylisit afroi. I kënaqur me përgatitjet e deritanishme?

Kemi bërë tri seanca stërvitore dhe normal që jemi munduar ta përgatisim sa më mirë këtë takim. Por nuk mund të them para se të mbarojë takimi nëse jam i kënaqur apo jo, pasi ka pas raste që jemi kënaqur me stërvitje, por nuk kemi treguar të njëjtën gjë në rezultat.

Mungon Progni dhe Plaku, a ka të tjera mungesa në ekip?

Mungesat në kampionat janë gjithmonë normale. Do të mundohemi që me lojtarët që kemi në dispozicion t’i mbulojmë sa më mirë këto mungesa.

Fiton nesër (sot) Skënderbeu?

E kam thënë edhe më parë, ndeshjet nuk fitohen pa u luajtur. Në këtë pikë gabimet s’lejohen më. Do të ishim më komodë nëse do të kishim diferencë më të madhe, por bëmë vetëvrasje me Tërbunin. Rikuperuam diçka në Tiranë, por edhe ekipet e tjera kanë ambiciet e tyre dhe po ecin me ritmin e duhur.

Tërbuni ka mundur Skënderbeun në Korçë. E mposht edhe Partizanin?

Unë nuk mendoj fare për Partizanin, pasi ai bën punën që i takon dhe ne duhet të bëjmë punën tonë. Ne do të përballemi me një ekip që ka ambicie për të qëndruar në kategori dhe një ekip që, përtej rezultateve, duket se do të kërkojë më shumë. Është ekip i fortë dhe na e ka treguar në Ballsh forcën e vet. Nuk mund të flas me siguri për këtë takim, por një gjë të tillë duhet të ma japin lojtarët në fushë.

Megjithatë, prisni që Tërbuni të luajë si ndaj jush edhe kundër të kuqve?

Është normale që Tërbuni të bëjë punën që i takon Tërbunit, por unë Partizanin e shoh shumë të fortë dhe nuk besoj te ndonjë gabim i tyre.

Po faktin që Bylisi mund të luajë për vete dhe për Partizanin i trembeni?

Bylisi do të luajë për veten dhe unë nuk i trembem që do të luajë dhe për Partizanin. Janë dy gjëra që shkojnë paralel. Mua as më shkon në mendje që Bylisi të luajë edhe për Partizanin, pasi ka objektivat e veta për të qëndruar në kategori.

Humbja kundër Tërbunit mendoni se mund t’i shërbejë ekipit si motivim për të luajtur të përqendruar me Bylisin?

Ne atë takim duhet ta marrim si etalon duke pasur parasysh çfarë na ndodhi dhe pse na ndodhi. Lojtarët e mi reaguan shumë mirë në Tiranë dhe atë lloj reagimi pres deri në fund.

Është folur dje edhe për Cetkoviçin, është pjesë e projektit tuaj?

Nuk mund të flas fare për të ardhmen e ekipit për momentin. Ju keni pasur kontakte me njerëz të cilët kanë vepruar për merkaton e ekipit, por edhe atyre u them që të mos flasin në këto drejtime para se të flas unë. E them këtë sepse unë dhe presidenti i dimë më mirë të gjitha çfarë i duhen skuadrës.

Përgatiti: Llazi Saro

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"