Skënderbe pa “frena”, dominon edhe kupën. Bomberat korçar: Jemi të papërmbajtshëm!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 20, 2012 | 14:05

Skënderbe pa “frena”, dominon edhe kupën. Bomberat korçar: Jemi të papërmbajtshëm!

KASTRIOTI-SKËNDERBEU 1-2
GOLAT: Caca 87’/ Pejiç 16′, Plaku 43′
KASTRIOTI: Osmani, Caca, E.H. Xhafa, Hoxha, Sykaj (E.G. Xhafa 54′), Turdiu (Shaba 65′), Gocaj, Daja, Karapici (Sekseni 55′), Tanushi, Shehaj. Trajner: Shaban Dollaku
SKËNDERBEU: Shehi, Radas, Vrapi, Gvozdenoviç, Arapi, Tomiç (Kërçiku 89′), Orelesi, Shkëmbi, Dimo, Plaku (Çaushaj 62′), Pejiç. Trajner: Mirel Josa
KARTONË TË VERDHË: Hoxha 75’/ Radas 75′
DELEGAT: Uvil Zajmi
VËZHGUES: Hiqmet Kuka
GJYQTARET: Laver Alla/ Gëzim Koka dhe Devis Koreshi

MINUTAT
16′ Vrapi në goditje dënimi, në mesin e fushës, kroson në zonë për Pejiç. Mbrojtësit e kujtojnë jashtë loje, por sulmuesi del ballë për ballë me portierin, gjuan me kokë dhe shënon, 0-1.
18′ Inkursion i Tomiç në krahun e djathtë, kros për Pejiç në zonë, por Caca e largon me vështirësi topin.
25′ Dy goditje dënimi të njëpasnjëshme nga Turdiu, në të dytën topi shkon te Xhafa, i cili gjuan jashtë kuadratit.
30′ Turdiu me kokë pason për Karapicin, por Shehi kontrollon sferën.
33′ Daja kroson, Shehaj kontrollon në zonë, por gjuajtja për t’u harruar.
39′ Inkursion i Plakut, Tomiç gjuan fluturimthi, por jashtë.
43′ Radas nga e djathta, kroson në zonë, Pejiç nuk e godet dot, por topi shkon te Plaku, i cili me kokë fare afër zonës shënon golin e dytë.
47′ Turdiu dhe Tanushi gjuajnë dy herë në drejtim të Shehit, por nuk arrijnë të thyejnë portierin korçar.
51′ Daja në hyrje të zonë gjuan rreptë, pak mbi traversë, aksioni duartrokitet nga tifozët.
67′ Rasti më i mirë për krutanët, Tanushi pason për Shehajn, i cili në zonën e portierit, i vetëm me Shehin, e kalon topi mbi traversë.
85′ Provon të bëjë sulmuesin Xhafa, por Shehi përsëri nuk kalohet.
86′ Presion i krutanëve me Shehajn, i cili pengohet në zonë dhe gjyqtari akordon penallti.
87′ Gjuan Caca dhe 1-2.

Skënderbeu nuk njeh rivalë. Jo vetëm në ka mpionat, por edhe në kupë, kampionët e vendit në fuqi s’kursejnë askënd, duke korrur suksesin e radhës, sërish në transfertë, në një fushë relativisht të vështirë për çdo kundërshtar. Në Krujë, të besuarit e Mirel Josës shfrytëzuan në maksimum gabimet e mbrojtjes vendëse, duke shënuar dy herë në pjesën e parë me “snajperat” e vet, Pejiç dhe Plaku. Ndërsa në fraksionin e dytë të lojës, edhe pse Kastrioti tentoi që ta kthente këtë rezultat, nuk shkoi më shumë se një penallti e kthyer në gol nga kapiteni Caca. Sakaq, fakt interesant është se juglindorët ia kanë dalë mbanë rregullisht në këto dy sezonet e fundit në fushën e Kastriotit, gjë të cilën e rikonfirmuan edhe në sfidën e së mërkurës.
Golat – Takimi nisi i qetë me të dyja skuadrat, të cilat më shumë mundoheshin që të administronin topin, sesa të rrezikonin kundërshtarin. Kështu, në çerekorëshin e parë të lojës, kronika është e vakët dhe vetëm në minutën e 16-të takimi mori një trajtë tjetër. Vrapi nga gjysmëfusha e vendësve ekzekuton një goditje dënimi, duke hedhur një top në hyrje të zonës, aty ku lojtarët e Kastriotit hutohen, duke mos e larguar dot sferën. Pejiç vazhdon aksionin duke gjuajtur topin me kokë për në rrjetë, një sekondë para sesa sfera të grushtohej nga portieri Osmani. Madje, shtatlarti i sulmit korçar pësoi edhe një dëmtim gjatë aksionit, por fatmirësisht pa problem për vijimësinë e ndeshjes. Reagojnë në vazhdim futbollistët vendës, që krijojnë tri-katër raste të volitshme për shënim, me Gocajn, Turdiun e Shehajn, por pa rezultat. Nga ana tjetër, kampionët, edhe pse nuk sulmojnë me shumë forca, arrijnë me lehtësi zonën kundërshtare. Në një aksion të tillë, nga e djathta kroson Radas, topi kalon pasqyrën e portës dhe mbërrin te koka e Plakut në shtyllë të dytë, i cili nuk e ka të vështirë për ta dërguar në rrjetë. Është minuta e 43- të e takimit dhe shpresat e krutanëve për të kthyer rezultatin veniten.
Administrimi – Pjesa e dytë shoqërohet me zëvendësime nga të dyja skuadrat, me Josën që përforcon mesfushën, ndërsa Dallaku tenton gjithçka për gjithçka në sulm. Detyrat janë të ndryshme: korçarët administrojnë rezultatin, duke racionalizuar edhe forcat në këtë fundviti, ndërsa krutanët arrijnë të krijojnë një volum të madh loje, të shoqëruar me raste të tjera për finalizim. Në fillim është Turdiu që provon, por gjen të përgatitur Shehin. Më pas Tanushi lëshon një diagonale, predhë, por edhe në këtë rast Shehi është pozicional. Loja e krutanëve vjen gjithnjë duke u intensifikuar, ndaj Josa ndryshon sërish, duke hedhur në fushë edhe Kërçikun, me detyra kryesisht mbrojtëse. Gjithsesi, vendësit bëjnë të pamundurën për të shënuar qoftë edhe një gol, dhe këtë e arrijnë në minutën e 87-të, kur gjyqtari Laver Alla akordon penallti, pas një pengimi në zonë të Tanushit. Te pika e bardhë shkon kapiteni Caca, i cili arrin të realizojë. Por vetëm kaq, pasi tri minutat e mbetura dhe shtesa nuk u mjaftuan vendësve për të shënuar golin e barazimit.

MË I MIRI
Orges Shehi dhe Endri Vrapi ishin dy lojtarët më të mirë në fushën e lojës. Portieri i Skënderbeut tregoi gjithë cilësitë e padiskutueshme, sidomos në pjesën e dytë, duke shpëtuar portën e tij nga gola të sigurt. Sakaq, edhe mbrojtësi ishte në një ditë të mirë, duke mos gabuar thuajse në asnjë çast në prapavijën e bardhekuqëve.

MË PAK AKTIVI
Arsen Sykaj dhe Artan Karapici ishin dy lojtarët më të dobët në fushën e lojës. Mbrojtësi shkodran gaboi si te goli i parë, edhe te i dyti, duke mos arritur që të markonte as Pejiçin dhe as Plakun. Ndërsa mesfushori nuk arriti për asnjë çast që të ndihmonte sulmin, duke organizuar lojën, ndaj edhe u zëvendësua nga trajneri Dollaku.

“Bomberat” bardhekuq: Jemi të papërmbajtshëm!
Pa ata, Skënderbeu zor se do kishte kaq pikë në kampionat dhe do dominonte edhe kupën. Fakt është se si Plaku dhe Pejiç kanë treguar këtë gjysmësezoni se janë në sintezë me njëri-tjetrin, duke krijuar një dyshe të frikshme sulmi. Edhe dje ata shënuan dy golat e sfidës, duke u dhënë fitoren e radhës bardhekuqve.
Pero Pejiç – “Ishte një ndeshje që mbylli në mënyrë pozitive një sezon që po shkon shumë mirë për ne. Sigurisht, jam i gëzuar për këtë. Përveç kryesimit në kampionat, tani edhe në kupë, kemi nëntë pikë pas tri ndeshjeve, një rezultat që na lejon të punojmë më të qetë me rifillimin e sezonit dhe të shkojmë në festat e fundvitit të kënaqur për rezultatet dhe gjendjen në klasifikim, si në kupë edhe në kampionat. Pa diskutim që më gëzon fakti që jam golashënues dhe kjo i shtohet atmosferës pozitive. Tani kemi një periudhë pushimesh dhe pas vitit të ri do kthehemi për fazën përgatitore, fillimisht këtu në Shqipëri dhe pastaj jashtë shtetit. U uroj të gjithëve gëzuar”, – ka thënë Pejiç. Kroati ka shënuar 15 gola (kupë dhe kampionat), duke qenë golashënuesi më i mirë. Në kupë ai i ka shënuar dy gola Olimpikut, dy gola Kukësit dhe një Kastriotit. Ndërsa në kampionat i ka shënuar nga një dopietë Tiranës dhe Flamurtarit, një tripletë Vllaznisë dhe një gol Bylisit, Laçit e Teutës.
Plaku – “Jam i kënaqur që po kaloj një moment vërtet të mirë. Ndihem shumë mirë te Skënderbeu dhe në të tilla situata të del edhe loja, edhe golat. Nuk di të them akoma asgjë për perspektivën, nëse do të shkoj në ndonjë skuadër tjetër me rifillimin e sezonit apo jo. Megjithatë për mua ka rëndësi që po jap kontributin tim për Skënderbeun me golat. Edhe kjo ndeshje ishte një vazhdimësi dhe konkluzioni i një sezoni që për ne po shkon shumë mirë, si për skuadrën dhe për mua personalisht”, – ka përfunduar Plaku, cili ka shënuar 6 gola në kampionat dhe tri në kupë.

Josa: Kemi piketuar dy-tre lojtarë si përforcime
Trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, ka pohuar se me largimin e ndonjërit prej lojtarëve aktualë, drejtuesit kanë piketuar dy-tre të tjera, mjaft të talentuar. “Kryesisht në pjesën e parë ne dominuam, por në fraksionin dytë të lojës vendësit ushtruan një lloj presioni, paçka se ne ditëm ta administronim lojën. Mendoj se dy golat e shënuar në pjesën e parë na e bënë më të lehtë vijimësinë e ndeshjes dhe fitoren në fund. Për sa i përket merkatos, mendoj se Skënderbeu është një skuadër e kompletuar dhe unë do kisha shumë dëshirë që asnjë lojtar të mos më largohej. Gjithsesi, për këtë do flas më së pari me drejtuesit. Gjykoj që edhe nëse do ikin ata futbollistë që janë lakuar në media, ne do arrijmë t’i zëvendësojmë. Për momentin kemi piketuar dy-tre lojtarë nga kampionati vendës, por jo të huaj. Unë preferoj që të marr lojtarë shqiptarë që luajnë në Superiore dhe e njohin mirë këtë kampionat”, – ka thënë Josa.

Dallaku: Humbëm shumë raste, por besojmë te kualifikimi
Trajneri i Kastriotit, Shaban Dallaku, “qan” rastet e shumta të humbura nga skuadra e tij në përballjen me Skënderbeun. “Ishte një ndeshje korrekte të cilën ne e humbëm, pavarësisht përpjekjeve tona sidomos në pjesën e dytë. Por dihet se Skënderbeu është kampion i vendit dhe me meritë kryeson edhe në kampionat, si dhe në grupin tonë në kupë. Ata i treguan cilësitë e tyre edhe sot (dje), pasi në pak raste që iu paraqitën qenë efektivë. Ndërsa ne krijuam shumë, por efektiviteti përpara portës la për të dëshiruar dhe kjo ishte arsyeja që nuk arritëm të marrim një rezultat. Në pjesën e dytë krijuam shumë raste përpara portës, ndërsa korçarët nuk e kaluan gjysmën e fushës, megjithatë janë golat ata që fiksojnë rezultatin dhe jo rastet. Gjithsesi ky rezultat nuk na nxjerr aspak jashtë objektivit për kupën, për t’u kualifikuar në grup dhe për të shkuar sa më larg që të jetë e mundur në këtë aktivitet”, – ka thënë Dollaku.

Mediat kosovare: Gavazaj dhe Latifi te Skënderbeu
Dy talentet e Prishtinës pritet t’i bashkohen kampionit aktual në fuqi të Shqipërisë, Skënderbeut. Presidenti Adrian Takaj ka konfirmuar marrëveshjen e arritur me Prishtinën për transferimin e Gavazajt e Latifit. “Me Prishtinën kemi arritur një akord, tani mbetet vetëm të vazhdojmë bisedat me prindërit e të dy lojtarëve”, ka thënë Takaj. “Ata do të kenë paga të majme. Bëhet fjalë për marrëveshje më shumë se 2-vjeçare. Krahas pagave të majme që do të kenë, lojtarët duam t’i promovojmë në klubin tonë dhe më pas t’i shesim në klube europiane”, tha ai. Skënderbeu do të kryejë fazën përgatitore për stinorin pranveror në Portugali, ndërsa Takaj llogarit edhe dyshen e Prishtinës.

S’ka ujë të ngrohtë, futbollistët ikin pa u larë
Ndodh edhe kështu: që luan për 90 minuta në një fushë me baltë e në një kohë të ftohtë dhe më pas të largohesh edhe pa pasur mundësi që të bësh një dush të shpejtë. Ndonëse jemi në shekullin e 21- të dhe pretendohet se të tilla gjëra i përkasin së shkuarës së largët, në disa qytete ka ende problematikë të tipit: nuk ka ujë të ngrohtë. Në fakt, ka ndodhur dje në Krujë, kur lojtarët e të dyja skuadrave janë larguar menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, pasi në dhomat e zhveshjes së stadiumit mungonte uji i ngrohtë. Kroatët dhe sllavët e të dyja skuadrave kanë udhëtuar së bashku menjëherë pas përfundimit të ndeshjes drejt vendeve të tyre. Pejiç, Radas, Gvozdenoviç, Tomiç dhe Djarmati, i cili ka qenë në tribunën e tifozëve, pas ndeshjes janë larguar drejt vendlindjeve për të festuar festat e fundvitit.
MURAT ARUCI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"