Skënderbe monstruoz, “tall” Apoloninë. Kampionët argëtohen kundër fierakëve

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Nëntor 24, 2014 | 22:00

Skënderbe monstruoz, “tall” Apoloninë. Kampionët argëtohen kundër fierakëve

Skenderbeu-ApoloniaSKËNDERBEU-APOLONIA 6-0
GOLAT: Progni 1′, 87′, Shkëmbi 28′, Martins 48′, 68′, 79′
SKËNDERBEU: Shehi, Arapi, Osmani (Jashanica 71′), Radas, Vangjeli, Shkëmbi (Dimo 71′), Progni, Alikaj(Nimaga 64′), Berisha, Peter, Martins. Trajner: Mirel Josa (Në dispozicion: Llapanji, Abazi, Ribaj, Sefa)
APOLONIA: Cakoviç, Atanda, Nako, Prifti, Xhafa, Broshka (Hysenshaj 40′), Gërxho, Kaja (Erkoçeviç 46′), Dordeviç, Fili, Mitre (Rajkoviç 60′). Trajner: Elidon Demiraj (Në dispozicion Miço, Adekule, Naçi, Thomson)
VËZHGUES: M.Allkja;
DELEGAT: B.Pregja
GJYQTARET: E.Durmishi, R.Çokaj, D.Agaraj

MINUTAT
1′ Arapi nga e majta hedh një top në zonë te shtylla e dytë, ku Progni zhytet me kokë dhe shënon, 1-0.
3′ Shkëmbi nga goditja e dënimit harkon në zonë, ku Arapi me kokë nuk gjen dot saktë kuadratin.
8′ Martins provon nga jashtë zone me një goditje të fortë, por pret Cakoviç.
20′ Fili godet fuqishëm nga brenda zonës, pret në pozicion Shehi.
28′ Shkëmbi merr përsipër ekzekutimin e penalltisë së fituar nga Peter, godet dhe nuk gabon, duke e dyfishuar rezultatin 2-0.
48′ Berisha jep një top të saktë për Peter, i cili gjen të lirë Martins, që nuk gabon dhe shënon golin e tretë, 3-0.
68′ Sërish Berisha aktiv nga krahu, fut një top në zonë për Martins, i cili gjen golin e dytë personal dhe të katërtin për Skënderbeun, 4-0.
76′ Vangjeli del bukur në krahun e djathtë, hedh një top në qendër saktësisht për Martins, i cili mposht portierin me një parabolë, por Atanda shpëton portën duke e larguar topin mbi vijën fatale.
79′ Dy minuta më vonë Martins nuk do të falte, teksa pas një pasimi të Peter Olaynkës sërish me një goditje finese mposht Cakoviçin dhe 5-0.
87′ Dimo ul një top brenda zonës për Martins, i cili gjen të lirë Prognin, që, fare pranë portës, e çon në rrjetë, 6-0.

Skënderbeu shkatërron Apoloninë dhe u shpall luftë rivalëve për titull pas kësaj fitoreje të thellë me shifrat 6-0. 12 gola në katër ditët e fundit (fituan 6-1 në kupë), çka demonstron qartë se korçarët janë rikthyer frikshëm. Kampionët tregojnë forcën para sfidës së javës së ardhshme kundër Kukësit dhe pasojat i vuan Apolonia, e cila shkërmoqet që në minutat e parë të takimit dhe më pas pëson mësymjen e bardhekuqve që nuk dinë të ndalen më. Me një Martins që shënon tripletë dhe Prognin me një dygolësh, korçarët janë të papërmbajtshëm. Në listën e golashënuesve hyn edhe Shkëmbi, i cili ekzekuton saktësisht nga pika e bardhë. Tashmë Skënderbeu funksionon në të gjitha repartet dhe Josa mund të buzëqeshë lirisht.
Pjesa e parë Nuk ka kohë as për të parë vendosjen e lojtarëve në fushë, pasi Skënderbeu kalon në avantazh. Në sekondën e 28-të të takimit Arapi hedh një top në shtyllën e dytë, ku Progni nuk fal dhe vendos një rekord personal duke shënuar golin më të shpejtë të kampionatit. Goli i mesfushorit të djathtë do të hapte serinë e golave për korçarët, që pas dy minutash do të provonin sërish, kur Arapi me kokë do të gabonte shënjestrën dhe topi përfundoi jashtë. Korçarët janë më të lirshëm pas shënimit të golit dhe për të parë goditjen e bardhejeshilëve të Apolonisë duhet të vinte minuta e 20-të, kur Fili nga brenda zonës do të godiste fort, por në pozicion është portieri Shehi, i cili pret i sigurt. Minutat kalojnë dhe Peter merr një top në brendësi të zonës, pas një kontakti me Atandën rrëzohet në tokë dhe për kryesorin është 11-metërsh mes protestave të vendësve. Niset Shkëmbi nga pika e bardhë, që nuk fal duke e dyfishuar rezultatin.
Pjesa e dytë Nis me gol edhe kjo pjesë për Skënderbeun, kur në minutën e 48-të Martins shënon pas një pasimi të marrë saktësisht nga Peter. 3-0 dhe Skënderbeu tashmë është cinik në minutat e mbetura. Pas avantazhit të trefishtë, korçarët janë zotë të fushës dhe e administrojnë topin me qarkullim të shpeshtë, ndërsa Apolonia nga ana tjetër nuk arrin të dalë dot përpara për të rrezikuar portën e Shehit. 20 minuta më vonë Martins përsëritet sërish, duke shënuar golin e katërt për korçarët. Pasi merr një top të saktë nga Berisha, braziliani nuk gabon duke tundur rrjetën. Sulmuesi brazilian është në një ditë të mbarë, sepse dhjetë minuta më pas kompleton tripletën e tij personalizuar. Pas një kombinimi mes Berishës dhe Peterit, Martins i çon shifrat në 5-0. Korçarët nuk kanë “mëshirë” dhe të gjithë janë në kërkim të golit, ku edhe Nimaga me Peter kanë rastet e pastra për shënim, por nuk arrijnë të gjejnë kuadratin. Minutat e mbetura do të mbyllen me golin e Prognit i cili, pasi hapi serinë e golave, është sërish ai që i vë “vulën” takimit, duke shënuar golin e dytë personal dhe fiksuar shifrat në 6-0. Korçarët nuk dinë të ndalen më dhe arrijnë suksesin e pestë radhazi. Ata janë vetëm një ndeshje larg rekordit personal të fitoreve. Ndeshja e radhës luhet në Kukës. Më këtë fitore Skënderbeu shkon në vendin e dytë në klasifikim, dhe ishte me sy e veshë gjithë kohën nga dy takimet e tjera, që luajtën në Tiranë mes Partizanit e Kukësit dhe në Elbasan mes vendësve dhe Tiranës kryesuese.

MË I MIRI
Diego Martins dhe Progni kanë qenë më aktivët e takimit të djeshëm. Së bashku kanë shënuar pesë gola. Por edhe Peter Olaynka ka spikatur, duke zhvilluar një ndeshje të mirë dje. Nga ana tjetër, i gjithë ekipi ka bërë një paraqitje mjaft të mirë.

MË PAK AKTIVI
E gjithë skuadra mike ka vuajtur së tepërmi ditën e djeshme përballë Skënderbeut, megjithëse mund të veçohet Broshka, i cili ka gabuar gjithçka në pjesën e parë sa është zëvendësuar nga trajneri në minutën e 40-të të takimit.

Demiraj: Gjyqtari bëri dhurata
“Erdhëm për të bërë një futboll të mirë këtu në Korçë, por ai gol i shpejtë dhe ajo penallti që çoi shifrat në 2-0 ishte një goditje e fortë dhe na rëndoi shumë psikologjikisht. U munduam të reagonim me zëvendësimet në pjesën e dytë, por u ndëshkuam sërish, çka na rëndoi më shumë. Nuk kemi besuar më që mund të kthenim rrugë. Është një humbje e rëndë dhe gara është përpara, por i kemi mundësitë që të reagojmë, sidomos që në javën e ardhshme kundër Vllaznisë, që është direkt rivali ynë. Do të kërkojmë të marrim maksimumin në këtë takim. Sa për penalltinë, mendoj se nuk ishte dhe një skuadër me kaq potencial sa Skënderbeu nuk ka nevojë për penallti të tilla”, deklaroi Demiraj pas ndeshjes.

Josa: Cilësia bëri diferencën ndaj Apolonisë
“Kur fillon një ndeshje me rezultatin 1-0 gjithçka zgjidhet kollaj. T’ju them të drejtën nuk e kisha menduar kaq të thjeshtë këtë takim, por skuadra ime hyri e vendosur në fushë, teksa kishim cilësi në përdorimin e topit, sidomos në mesin e fushës me Shkëmbin dhe Alikajn, që krijuan hapësirat për lojtarët e tjerë dhe arritëm të fitonim. Janë pesë fitore që kanë kaluar dhe nuk do të thotë asgjë, pasi përpara kemi ndeshjen me Kukësin, kështu që thjesht ekipit i është ngritur optimizmi dhe kemi shënuar më tepër. Ne duhet të jemi me këmbë në tokë pas këtij takimi dhe nuk duhet të fluturojmë. Lojtarët si Progni apo Shkëmbi e Martins kanë dalë mirë në pozicione dhe kanë shënuar. Kishim fat që shënuam, por mund të ndodhë që herën tjetër të mos shënojmë. Ne duhet të luajmë futbollin për të menduar që të mos pësojmë, por edhe të shënojmë. Të gjitha takimet janë njësoj të forta, tani kemi përballë Kukësin, nëse do të kemi ekuilibër në lojë dhe do të interpretojmë mirë lojën. Unë jam i qetë dhe kam qenë i qetë që në fillim të kampionatit”.

Progni: Fitore e lehtë
“Gjithmonë kur mbaron ndeshja duket fitore e lehë, por që në fillim të takimit e dinim që do të ishte e vështirë, ndaj e morëm seriozisht dhe fitorja u bë më e lehtë. Është kënaqësi të shënosh sa më shumë gola, por e rëndësishme ishte që të fitonim, pavarësisht se kush do të shënonte. Duhet të jemi gati moralisht për ndeshjen e radhës. E rëndësishme është që kemi pesë fitore radhazi dhe shkojmë me moral të lartë drejt Kukësit. Është një ndeshje e vështirë, sidomos që luajmë atje, por ne do të luajmë lojën tonë dhe do të përpiqemi të fitojmë. Golat ia dedikoj familjes sime dhe Dajës, i cili ishte sot në stadium së bashku me djalin e tij”, deklaroi mesfushori.

Mesfushori Martins: Golat, për vajzën!
“Jam shumë i lumtur, pasi kishte kaluar një pafundësi kohe që nuk kisha shënuar tre gola dhe normalisht që kjo më bën të lumtur. Që në fillim arritëm të shënonim, por e dinim që gjithsesi ishte një ndeshje e vështirë. Luajtëm mjaft mirë dhe të përqendruar dhe duhet t’ju them se ishte një fitore plotësisht e merituar. Ekipi zhvilloi një ndeshje perfekte. Për sa i përket paraqitjes sime, mund të them se kjo nuk është ende më e mira e mundshme. Ishte një ndeshje e madhe edhe për mua, por në të ardhmen do të tregohen më mirë vlerat e mia. E mira duhet të vijë më vonë. Golat e mi ia dedikoj të gjithë vajzës sime, e cila pritet të vijë në jetë shumë shpejt”, tha Martins pas takimit. Ai ka shënuar 5 gola në dy takimet e fundit.
LLAZI SARO





www.minuta90.com