Skenari për Superioren, trajneri File: Vetëm Elbasani i plotëson kriteret

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 28, 2019 | 20:50

Skenari për Superioren, trajneri File: Vetëm Elbasani i plotëson kriteret

Situata e paqartë e Elbasanit sigurisht që i lë të pakënaqur të gjithë në kampin verdheblu. Edhe figurat sportive të këtij qyteti, ish-lojtarë, apo trajnerë të ndryshëm e kanë të vështirë të flasin rreth gjendjes së ekipit.

Ilirjan-File

Në një prononcim për “Panorama Sport”, ish-futbollisti dhe trajneri që për herë të fundit e ngjiti Elbasanin në Superiore, Ilirjan File, shprehet se zgjidhja duhet të vijë gjithnjë nga ekipet zinxhir. Sipas tij, duhet një reformim në klubin elbasanas, duke nisur nga moshat. File përfshihet edhe në debatin e ditëve të fundit në lidhje me ekipet që duhet të ngjiten në Superiore direkt, nëse do të përjashtohet Skënderbeu dhe Luftëtari.

“Sa i përket gjendjes që po kalon skuadra, kuptohet se nuk është e mirë dhe nuk dua t’u hyj arsyeve. Por zgjidhja duhet të vijë nga poshtë, duhet të ketë një reformim të ekipeve zinxhir të moshave. Një skuadër futbolli, në çdo situatë, duhet të mbështetet te lojtarët që dalin nga akademia. Asnjëherë nuk është vonë për të nisur një reformim”, u shpreh fillimisht File.

SUPERIORJA – I pyetur nga gazeta rreth debatit të ditëve të fundit sa u përket ndryshimeve në kampionatin e Superiores, File “sponsorizon” Elbasanin, që sipas tij, është ndër të paktat ekipe që i plotëson kriteret.

“Jam njohur nëpërmjet gazetës suaj rreth çështjes së ngjitjes në Superiore të ekipeve nga Kategoria e Parë, nëse rrëzohen Skënderbeu dhe Luftëtari. Nuk jam shumë në brendësi të situatës, por nëse është e vërtetë, duhet të merret parasysh edhe ekipi i Elbasanit. Në të gjitha aspektet ky ekip ndodhet para të gjithave. Më kryesorja është se ka një stadium, gjë që ekipet e tjera nuk e kanë dhe ka kushte për të zhvilluar stërvitje normale, sepse ka një kompleks. Jo vetëm kaq, ka edhe tifozërinë që nuk e kanë ekipet e tjera. Dakord, mund të ketë për momentin një ngërç financiar, por besoj se kjo situatë do të zgjidhet. Ndaj, nëse janë të vërteta zërat për këtë skenar, ta marrin parasysh edhe Elbasanin, sepse plotëson kushtet kryesore që duhen për një ekip në Superiore”, ka theksuar File, i cili ndez në këtë mënyrë debatin e ditëve të fundit, pavarësisht se Elbasani sezonin e kaluar për pak ra në Kategorinë e Dytë.

Vladimir Mema

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"