“Skenari” i kapitenit Lika: Mos u besoni shifrave, fitojmë në Gjirokastër dhe i largohemi fundit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 6, 2019 | 22:58

“Skenari” i kapitenit Lika: Mos u besoni shifrave, fitojmë në Gjirokastër dhe i largohemi fundit

Luhet vetëm java e 14-të, por Gilman Lika e quan përballjen me Luftëtarin vendimtare. Barazimin as që e mendon, pasi hapur e thotë që fitorja do sillte shkëputjen nga vendet e fundit. 

gilman lika

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, mesfushori e pranon ngërçin që po kalon ekipi me golin, por paralajmëron zhbllokimin në Gjirokastër. Nuk kishte si të mos fliste edhe për të shkuarën dhe të fundit sukses që Vllaznia ka në këtë transfertë, ndërsa kujton kohën kur futej si zëvendësues 12 vite më parë.

Luhet vetëm java e 14-të, po transferta në Gjirokastër po trajtohet si vendimtare. E sheh si të tillë Lika? 

Është një takim vendimtar për ne. Të dyja skuadrat kanë nevojë për pikë. Luftëtari do të luajë gjithçka për gjithçka, pasi vendi që mban në klasifikim ia ka bërë shumë të vështirë situatën. Ne nga ana tjetër do të tentojmë vetëm maksimumin, pasi kjo është forma e vetme për t’u ngjitur më lart dhe për t’u shkëputur nga ekipet e vendeve fundit. Kështu që, kjo përballje nuk është aspak e lehtë.

Luftëtari vërtet rrezikon rënien, por ju ka nxjerrë shumë vështirësi edhe në fazën e parë… 

Ndaj them që kemi një përballje të vështirë. Nuk ka diferenca mes skuadrave dhe çdonjëra mundet të marrë maksimumin. Për ne nuk ka vend për nënvlerësime. Edhe në Shkodër nuk e arritëm fitoren, pasi hasëm në një skuadër që luan mirë dhe me një mbrojtje të ngjeshur.

Do ta quanit barazimin rezultat pozitiv?

Ne do të shkojmë për të marrë maksimumin në Gjirokastër, por fusha do ta tregojë këtë. Mendoj që edhe një pikë në transfertë, për më tepër si kjo, quhet pozitive, por fitorja do të na jepte siguri për të ardhmen.

Vllaznia festa e golit Gilman Lika

Vllaznia po vuan golin. Prej katër javësh, shkodranët nuk kanë shënuar. Mendoni që kthesa do të vijë në këtë takim? 

Unë shpresoj që po. Ne kemi mundësitë për të shkuar deri para portës dhe për të gjetur golin. Pavarësisht disa luhatjeve, kemi një gjendje optimale.

Vllaznia fitoren e fundit me Luftëtarin e ka arritur para plot 12 viteve dhe pjesë e atij ekipi keni qenë edhe ju. Çfarë kujtoni nga ky takim? 

Të jem i sinqertë, atë takim e mbaj mend shumë pak, por kujtoj një më herët. Në të njëjtin sezon, për fazën e dytë (ka qenë konkretisht 18 nëntor 2006). Atë takim e kemi fituar 2-3 dhe golin e tretë e kam shënuar unë. Kur rezultati ishte 0-2 për ne dhe menduam se gjithçka u mbyll, Luftëtari reagoi dhe barazoi shifrat. Më kujtohet si tani, që në limitet e asaj sfide kam shënuar golin e tretë, që i dha edhe fitoren Vllaznisë. E kam përjetuar me shumë emocion, pasi kam qenë edhe i vogël në moshë.

Shpreson sërish Lika t’i japë fitoren Vllaznisë?

E shkuara i përket historisë dhe nuk ndikon te rezultatet e këtij takimi. Megjithatë, kushdo që të shënojë, nuk ka problem për mua. E rëndësishme është të fitojmë.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"