Skenarët e mbijetesës, ja llogaritë finale. Luhet për t’i shpëtuar rënies

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 26, 2018 | 18:32

Skenarët e mbijetesës, ja llogaritë finale. Luhet për t’i shpëtuar rënies

Kur kanë mbetur edhe tri javë nga fundi, ka luftë vetëm për mbijetesën. Për sa i përket ngjitjes, gjithçka është zgjidhur që dy javë më parë ku Tirana dhe Kastrioti e kanë prerë biletën tashmë për të luajtur në Superiore sezonin e ardhshëm. Për sa i përket rënies, gjithçka është e hapur.

Në Grupin A, lufta është e fortë dhe si asnjëherë gjatë viteve të fundit, në garë janë të pesta ekipet. Ndërsa, në Grupin B, vetëm tri skuadra janë ende në garë për t’i shpëtuar rënies. Skuadrat do të luajnë edhe nga dy ndeshje deri në fund dhe të gjitha bëjnë llogaritë e fundit se si mund të qëndrojnë sërish në Kategorinë e Parë. Gazeta bën një analizë të detajuar në lidhje me këtë çështje dhe rendit faktet se cilat prej skuadrave kanë më shumë shanse të qëndrojnë sërish në të Parën.

vllaznia b

GRUPI A

Si asnjëherë tjetër në dy vite që po aplikohet kjo skemë e re në Kategorinë e Parë, në Grupin A të “PlayOut”-it, janë në garë të pesta ekipet. Nga Burreli e Besa që janë në vendet e para me pikë të barabarta e deri te Tërbuni që mbyll renditjen e grupit, diferenca mes skuadrave është vetëm tri pikë. Kjo javë mund të vendosë shumë. Besa pret Vllazninë B, ndërsa Tërbuni do të luajë me Burrelin. Të dyja ekipet pritëse kanë avantazhin që të hedhin hapa të rëndësishëm për mbijetesën.

Për kavajasit është jetike trepikëshi ndaj shkodranëve, pasi javën e ardhshme luajnë në Dibër, ndërsa në fund e kanë pushim. Më të avantazhuara në këtë grup janë Vllaznia B dhe Tërbuni, të cilat do të luajnë edhe nga tre takime deri në fund. Duke parë diferencat, sipas të gjitha gjasave, dilemat në këtë grup pritet që të zgjidhen vetëm në javën e fundit. “Lufta” është e hapur…

kat-pare

GRUPI B

Në grupin tjetër, historia është ndryshe. Prej dy jav- ësh, Shënkolli dhe Iliria e kanë siguruar matematikisht qëndrimin në Kategorinë e Parë. Në garë për t’i shpëtuar rënies janë tri ekipe, Turbina, Shkumbini dhe Naftëtari. Cërrikasit janë tri pikë më shumë se peqinasit dhe gjashtë më shumë se kuçovarët. Për më tepër, që Turbinës i kanë mbetur tre takime deri në fund. Skuadra mund ta sigurojë mbijetesën që këtë fundjavë kur do të presë Shkumbinin në fushën e vet.

Por, në rastin më të keq, në javën e fundit luan me Ilirinë në Cërrik dhe fitorja është e sigurt përballë një rivali që nuk ka objektiva. Shkumbini renditet i parafundit me 14 pikë dhe renditjen e mbyll Naftëtari me 11. Por, kuçovarët janë më të avantazhuar, pasi u kanë mbetur edhe tri ndeshje, ndërsa peqinasve vetëm dy. Nga ana tjetër, Naftëtari ka një kalendar më të lehtë, ku do të luajë këtë fundjavë në Shënkoll përballë skuadrës vendëse që e ka siguruar mbijetesën prej javësh dhe nuk është e motivuar. Gjithashtu, javën tjetër pret Turbinën, e cila nëse do të sigurojë qëndrimin në kategori që këtë javë, nuk do të ketë më motiv për të luajtur. Dhe në fund i mbetet vetëm finalja me Shkumbinin. Peqinasit nga ana e tyre kanë dy përballje shumë të forta, këtë fundjavë në Cërrik dhe në fund me Naftëtarin.

kat-pare-gr-b3

BESAR BOZGO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"