Skenarë “të çmendur”, sa shumë e rrezikon Tirana mbijetesën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 12, 2017 | 18:50

Skenarë “të çmendur”, sa shumë e rrezikon Tirana mbijetesën

Tirana është klubi më i rrezikuar për mbi jetesën në Superiore. Pika që mori Laçi në kryeqytet me Partizanin ka komplikuar gjithçka. E, megjithatë, themi që Tirana është më e rrezikuara, por nuk është e vetme.

tirana laci

Në situatën ku jemi, duke marrë për bazë renditjen, ndeshjet e mbetura dhe koeficientin e vështirësisë së tyre, janë seriozisht të rrezikuara edhe Laçi, Teuta, Flamurtari, madje edhe Vllaznia. Por le t’i marrim gjërat me radhë dhe ta nisim me bardheblutë…

TIRANA

Ka aktualisht 35 pikë. Me Skënderbeun në transfertë që do titullin e ka jashtëzakonisht të vështirë të marrë pikë. Më pas vjen Luftëtari dhe teorikisht duhet të marrë tri pikët. Nëse Tirana mund gjirokastritët shkon gjithsej 38 pikë. Në fund do t’i duhet të përballet me Vllazninë.

Sipas këtyre kalkulimeve, një humbje me shkodranët e rrezikon seriozisht, një barazim gjithashtu mund të mos mjaftojë sepse rivalët mund të arrijnë kuotën e 40 pikëve, ndërsa një fitore mund të rezultonte fatale për Vllazninë. Pra, e thënë troç, në këtë situatë Tirana duhet të mundë patjetër Luftëtarin, të marrë patjetër pikë me Vllazninë dhe, nëse nuk i merr pikë Skënderbeut, duhet të shpresojë që rivalët të mos kalojnë kuotën e 39 pikëve.

Tirana logo

SI SHPËTON TIRANA

Barazimi i Laçit ndaj Partizanit e ka rihapur edhe një herë garën për mbijetesë, ku bardheblutë janë një nga ekipet më shumë të rrezikuara. Megjithatë, në kuadrin e llogarive, ja si mund t’ia dalë skuadra kryeqytetase që të qëndrojë në Superiore.

Varianti 1

Fitorja me Korabin mund të shërbejë që Tirana të shkojë e motivuar në Korçë dhe të marrë të paktën 1 pikë. Më pas të mundë Luftëtarin në shtëpi dhe të fitojë edhe në transfertën shkodrane. Me shtatë pikë, Tirana do të shkonte në kuotën e 42 pikëve.

Varianti 2

Nëse Tirana humb në Korçë përballë Skënderbeut, mjafton të fitojë në sfidën e radhës me Luftëtarin dhe të fundit me Vllazninë. Në këto kushte, me gjashtë pikë të shtuara, Tirana shkon në kuotën e 41 pikëve, kuotë e cila e mban të qetë në Superiore.

Varianti 3

Tirana ka shpresë për të qëndruar në Superiore edhe në rast se mundet në Korçë. Kjo, pasi mund të fitojë përballë Luftëtarit dhe të barazojë ndaj Vllaznisë. Në këto kushte, bardheblutë do të merrnin vetëm katër pikë në ndeshjet e mbetura që e çojnë në kuotën e 39 pikëve.

Në këtë rast, Tirana mund të renditet në kuotë pikësh të barabarta me ndonjë nga skuadrat e tjera që rrezikojnë mbijetesën dhe i duhet të shpresojë që të përfitojë nga përballjet direkte, golavarazhi me ekipin rival apo nga golavarazhi i përgjithshëm që të mund të renditet më sipër në tabelë, pra në vendin e tetë

tirana

LAÇI

Kurbinasit kanë 33 pikë dhe teorikisht, duke pasur Vllazninë dhe Teutën brenda mund të “llogarisin” 39 pikë në total. Por, nëse i marrin pikë Flamurtarit në transfertë, atëherë pa dyshim që mund të konsiderohen thuajse të shpëtuar. Ka shumë “nëse”, sepse as Vllaznia dhe as Teuta nuk kanë luksin të lënë pikë, edhe pse luajnë jashtë fushe.

Megjithatë, e sigurt është se kurbinasit kanë hequr momentalisht etiketën e skuadrës më të rrezikuar për të ndjekur Korabin. Tani situata është shumë më ndryshe se dy javë më parë dhe psikologjikisht janë më mirë se gjithë të rrezikuarit e tjerë.Laci logo

SI SHPËTON LAÇI

Fitorja ndaj Luftëtarit dhe barazimi ndaj Partizanit e kanë rihapur edhe një herë garën në fundin e tabelës, pasi Laçi tashmë nuk është më shumë i rrezikuar sesa të tjerët. Kjo, për vetë faktin se do të ketë përballje direkte me secilën pretendente, me përjashtim të Tiranës. Ja si mund të shpë- tojnë kurbinasit.

Varianti 1

Në rast se fiton përballë Vllaznisë në shtëpi, barazon ndaj Flamurtarit në transfertë dhe merr tri pikë në ndeshjen e fundit përballë Teutës, do të shkonte në kuotën e 40 pikëve, që do t’i mjaftonin për mbijetesë.

Varianti 2

Barazimi i fundit dhe morali i fituar për skuadrën e Sinellës, mund të bëjë që kurbinasit të fitojnë në shtëpi përballë Vllaznisë. Me këtë trepikësh të shtuar, do të shkonin në kuotën e 36 pikëve. Në këtë rast, edhe nëse munden në transfertë me Flamurtarin, por arrijnë që të fitojnë në sfidën e fundit përballë Teutës, që do të luhet në stadiumin e kurbinasve, do të bënin që ta mbyllnin kampionatin me 39 pikë.

Në këtë rast, mbijetesa nuk është e siguruar plotësisht. Jo vetëm kaq, por për të mbijetuar me këtë kuotë pikësh, Laçi duhet të shpresojë që të jetë në avantazh me ndonjë nga rivalet që do të mbyllë sezonin me kuotë të njëjtë pikësh, që të mund ta lërë në vendin e nëntë dhe vetë të renditet e teta me këtë kuotë.

laci

TEUTA

Durrsakët me 36 pikë janë disi më të qetë, por nuk kanë asnjë garanci. Nëse fitojnë me Luftëtarin, hedhin një hap të sigurt dhe do të luanin me “qejf” edhe për barazime me Vllazninë dhe Laçin. Por, edhe nëse merr një pikë në Gjirokastër, skuadra e Maganit gjithsesi i ka fatet vetë në dorë, sepse ka dy ndeshje direkte me Vllazninë dhe Laçin.

Nëse fiton me një prej tyre, ose u merr pikë të dyjave, sërish mbijeton. E vështirë ta thuash me saktësi këtë, por gjithsesi, nëse u merr pikë rivalëve direkt, atëherë zvogëlon shpresat e tyre dhe dikush tjetër do zbresë në fund, jo Teuta.

 

 

Teuta Logo

SI SHPËTON TEUTA

Vetë trajneri Magani e ka deklaruar së fundmi se Teuta nuk ka bërë më të mirën e mundshme këtë vit dhe mund të konsiderohet një sezon i dobët. Duke qenë në valle për mbijetesën, “djemtë e detit” kanë disa variante se si mund t’ia dalin që të qëndrojnë në elitën e futbollit shqiptar. Ja mundësitë e kombinuara:

Varianti 1

Teuta shpëton në rast se merr një pikë në sfidën e radhës në Gjirokastër, e kombinuar me tri pikë ndaj Vllaznisë në Durrës dhe me një barazim në Laç. Në këto kushte, pesë pikë në tri ndeshje e bëjnë skuadrën durrsake në kuotën e 41 pikëve, pra të qetë në Superiore.

Varianti 2

Teuta mund të humbasë në Gjirokastër, të fitojë përballë Vllaznisë në shtëpi dhe të barazojë në takimin e fundit në Laç. Me katër pikë, Teuta shkon në kuotën e 40 pikëve dhe ia del të mbijetojë.

Varianti 3

Durrsakët mund të marrin vetëm tri pikë në po kaq takime të mbetura dhe shkon në kuotën e 39 pikëve. Në këtë rast, do t’i duhet të shpresojë që të jetë e avantazhuar në përballjen me ekipin rival që do të ketë të njëjtën kuotë pikësh dhe ta lërë atë në vendin e nëntë.

Ky, është edhe varianti më i rrezikshëm, pasi do të duhet që të ketë në favor të gjitha statistikat e nevojshme të parashikuara në rregullore, që e bëjnë të jetë mbi ekipin tjetër që mund ta mbyllë në kuotë të njëjtë pikësh.

teuta

FLAMURTARI

Vlonjatët kanë 35 pikë, por e kanë gjithçka në duart e tyre. Madje jo vetëm kaq, por mund të vendosin edhe fatet e të tjerëve. Le t’i marrim gjërat me radhë: E presin Laçin në fushën e tyre. Nëse fitojnë, luajnë pa stres në dy ndeshjet e tjera. Por më e rëndësishmja është që do të luajnë edhe kundër Korabit.

Teorikisht tri pikë të padiskutueshme, edhe pse në futboll nuk ka asnjëherë siguri absolute. Këto janë dy mundësi të mira, për të mos shpresuar shumë, apo për të mos bërë hamendësime se vlonjatët mund t’i “zhvatin” pikë edhe Partizanit tashmë të rrënuar psikologjikisht.

Flamurtari logo

SI SHPËTON FLAMURTARI

Flamurtari është në kuotën e 35 pikëve dhe në këto kushte, nuk e ka garantuar ende mbijetesën. Për këtë, ka disa mundësi kombinimesh me rezultatet e javëve të mbetura që t’ia dalë të qëndrojë në elitë.

Varianti 1

Në rast se mundet në sfidën e radhës me Partizanin në Vlorë. Më pas, në dy takimet e radhës, Flamurtari të fitojë ndaj Laçit dhe gjithashtu të dalë me tri pikë edhe nga përballja e fundit ndaj skuadrës së Korabit që është ekipi i parë që ka rënë në Kategorinë e Parë. Me këto kombinime, sezoni i vlonjatëve do të mbyllej në kuotën e 41 pikëve dhe do të ishin 100% në Superiore.

Varianti 2

Në rast se mundet nga Partizani, por Flamurtari arrin që të barazojë ndaj skuadrës së Laçit në sfidën që do të luhet në stadiumin “Flamurtari” në Vlorë dhe sfidën e fundit arrin të fitojë ndaj Korabit. Me katër pikë në këto ndeshje të mbetura, Flamurtari do ta përfundonte sezonin në kuotën e 39 pikëve. Më pas, do të duhet që të shpresojnë se, në rast se e mbyllin vitin me pikë të barabarta me një ekip tjetër, të jenë më superiorë ndaj tyre dhe ta lënë pas në renditje.

Varianti 3

Në rast se Flamurtari fiton ndaj Partizanit dhe të merrte një pikë në dy përballjet e mbetura, atëherë sërish duhet të shpresojë që të jetë superiore në përballjet direkte me ekipin tjetër me të njëjtën kuotë pikësh apo të ketë golavarazh më të mirë, nëse edhe në përballje direkte ka barazi.

flamurtari

VLLAZNIA

Nuk duhej të ishte fare në këtë lojë dhe me gjasë nuk rrezikon asgjë deri në fund, por matematika nuk e lejon që të flejë e qetë. Pse? Sepse nëse i humb të tria takimet që i kanë mbetur (Me Laçin e Teutën në transfertë dhe me Tiranën në shtëpi), atëherë mbetet në kuotën e 39 pikëve, ka shumë të ngjarë që të renditet me ndonjë ekip tjetër me po kaq pikë dhe, më pas, mbetet në dorë të përballjeve direkte dhe golavarazhit të përgjithshëm.

Vllaznia logo

SI SHPËTON VLLAZNIA

Matematika e bën Vllazninë që të mos jetë e qetë edhe pse aktualisht ka 39 pikë. Kjo, për vetë faktin se matematika e mban ende në vallen e mbijetesës dhe për këtë ka disa mundësi kombinimi të ndeshjeve që ta shohë veten të sigurt në Superiore edhe për sezonin tjetër.

Varianti 1

Nëse Vllaznia barazon në ndeshjen e radhës kundër Laçit në transfertë, mundet në Durrës kundër Teutës dhe barazon në sfidën e fundit përballë Tiranës. Me këto kombinime, Vllaznia e mbyll vitin me 41 pikë, pra arrin të sigurojë qëndrimin.

Varianti 2

Nëse Vllaznia mundet në Laç dhe arrin që të marrë barazim në ndeshjen kundër Teutës dhe barazim në sfidën e fundit përballë Tiranës që do të luhet në Shkodër, në stadiumin “Loro Boriçi”. Edhe në këtë rast, Vllaznia do ta mbyllte me 41 pikë, duke qëndruar e qetë në elitën e futbollit shqiptar.

Vllaznia feston

Varianti 3

Skuadra e drejtuar nga Armando Cungu mund të qëndrojë në elitë edhe në rast se arrin të marrë vetëm një fitore. Me 42 pikë, arrin të jetë e qetë në Superiore.

Varianti 4

Nëse Vllaznia arrin që të barazojë në një nga tre ndeshjet e mbetura, shkon në kuotën e 40 pikëve. Në këtë rast, shkodranëve u mbetet që të shpresojnë se me skuadrën që mund ta mbyllë në të njëjtën kuotë pikësh, të jetë superiore në ndeshjet direkte.

Në rast se edhe në këtë statistikë do të ketë barazim, atëherë i dihet të shpresojë që të ketë golavarazh më të mirë në përballjet direkte me ekipin në fjalë, apo në golavarazhin e përgjithshëm.

ADELA MERKO

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"