“S’kemi kohë të merremi me të shkuarën”, Mërgjyshi: Do të kemi të reja për merkaton

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 5, 2020 | 16:28

“S’kemi kohë të merremi me të shkuarën”, Mërgjyshi: Do të kemi të reja për merkaton

Fierakët janë të parët që nisin përgatitjet për sezonin e ri. Drejtuesit kanë menduar së pari për kompletimin e stafit teknik, ku asistentët e Mërgjyshit do të jenë Nikolin Çoçlli; Edmond Kodra, njëherësh trajner i U-19 dhe do të merret edhe me video-analizën e ndeshjeve; trajner i portierëve Eduard Miço; ndërsa përgatitës fizik do të jetë një italian, që, siç konfirmohet nga klubi, do të mbërrijë në fund të kësaj jave. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri Artan Mërgjyshi hedh dritë mbi planin e Apolonisë së Superiores.
apolonia
Së pari, tekniku i fierakëve krijon hallkën lidhëse mes sezonit të kaluar dhe kampionatit të ri. “Kemi lënë pas një sezon të vështirë dhe të ngarkuar, por e finalizuam në mënyrën më të mirë, – ia nis trajneri. – Vijmë në Superiore si kampionë të Kategorisë së Parë dhe gjithçka u arrit falë përkushtimit dhe seriozitetit të lojtarëve tanë. Por nuk kemi më kohë për t’u marrë me të shkuarën, as për të pushuar. Tani na pret një tjetër sezon, tjetër lloj ritmi e ‘muzike’, ku e ku më i vështirë se Kategoria e Parë”.

PËRGATITJET
APOLONIA BESA

Apolonia nuk ka kohë të tepërt për fazë përgatitore jashtë Fierit, por skuadra e Mërgjyshit ka “luksin” e mjediseve optimale të akademisë dhe bregdetin e Semanit. “E kemi filluar herët? Më mirë herët se vonë. Duke menduar se kampionati do të fillojë diku nga 10 shtatori, 6 javë janë të mjaftueshme dhe normale për një përgatitje të mirë. Jo se nuk kemi ritëm, pasi kemi mbaruar aktivitetin të fundit pothuajse, por gjithsesi duhet të kemi kohën e nevojshme për të gjithë, për t’u përgatitur dhe për të formuar grupin me ardhjet e reja që do të afrohen gjatë kësaj periudhe. Sa i përket fazës përgatitore, besoj se, me gjithë vështirësitë e vapës, do ta zhvillojmë këtu në Fier, duke e organizuar në dy seanca: paradite në plazhin e Semanit dhe pasdite në fushë. Ne nuk mund të lëvizim nga Fieri, sepse, siç e thashë, duam që të formojmë grupin, të shohim edhe lojtarët e tjerë, të cilët do t’i akomodojmë në hotelin e klubit”, u shpreh trajneri Mërgjyshi.

MERKATOJA
Apolonia Elbasani

Një ndër problemet esenciale për fierakët mbetet merkatoja, pasi skuadra ka nevojë për përforcime gati në çdo repart. “Gjer tani, veç Ndraxhit, nuk kemi gjë konkrete me asnjë lojtar tjetër. Po punojmë me menaxherë brenda dhe jashtë vendit dhe shpejt, besoj se nga java e ardhshme, do të kemi të reja për merkaton. Sa u përket largimeve, vetëm Kardhashi dhe Sharavolli e kanë mbyllur me ne, ndërsa pjesa tjetër ndodhen nën kontratë. Edhe lojtarët që u ka mbaruar kontrata, si Çako, Andoni, Ejoh, Zaimaj, e kanë marrë miratimin e klubit, kontratat e reja janë gati dhe gjithçka është në rrugën e duhur për të vazhduar bashkëpunimin”, sqaron trajneri. Ndaj talenteve fierake, si Harizaj, Sota, Mihana, Gjata etj., interesimi i klubeve elitare po vjen duke u shtuar ditaditës. Tirana, Kukësi, Teuta dhe Partizani i kanë shfaqur hapur preferencat e tyre për disa nga lojtarët e Apolonisë, dhe klubit fierak i duhet sforco për të ruajtur të paprekur grupin. “Është e vërtetë që shumë ekipe po kërkojnë futbollistë nga skuadra jonë, por ata janë nën kontratë me ne dhe të gjithë të interesuarit duhet të trokasin në dyert e klubit për këtë çështje”, është shprehur për “Panorama Sport” trajneri i Apolonisë, Artan Mërgjyshi.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"