Skemë të re, Shqipëria ka një “xhol” si Gjimshiti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 8, 2021 | 23:33

Skemë të re, Shqipëria ka një “xhol” si Gjimshiti

Edi Reja, pas ndeshjes në San Marino, për herë të parë pas shumë kohësh në krye të Shqipërisë, deklaroi se ka ardhur momenti që të reflektojë mbi skemat. Dhe, në fakt, për italianin e kuqezinjve nuk ka nevojë për asnjë eksperiment: vetëm të huazojë. Madje, me shumë thjeshtësi dhe garanci. Kjo, për faktin e thjeshtë se Shqipëria ka në përbërje njeriun që “prish skemat” në aspektin pozitiv, si “xholi” në prapavijë edhe kur vjen puna për një trajner fanatik të skemave dhe lojës së bukur, si Xhanpiero Gasperini. Jo vetëm kaq, por qendërmbrojtësi kuqezi është edhe lojtari me më shumë minuta nën drejtimin e këtij të fundit.

gjimshiti

“XHOLI” I ÇDO SKEME

Atalanta është një nga skuadrat në Itali që bën futbollin më të bukur. Nën rreshtimin me tre në prapavijë, 3-4-1-2 apo edhe 3- 4-2-1, Berat Gjimshiti është bërë lojtari më i vlefshëm për trajnerin Gasperini. Pak herë në qendër të mbrojtjes dhe më së shumti në të majtë, por edhe në të djathtë, mbrojtësi i Kombëtares është shndërruar në një nga çelësat e prapavijës për trajnerin Gasperini. Në dy ndeshjet e fundit, shqiptari ka qenë qendërmbrojtësi që i ka dhënë garancinë trajnerit të Atalantës që të spostojë skuadrën në një rreshtim të ri: 4-2-3-1 me shqiptarin si qendër e majtë. Cilësi që e kanë vetëm mbrojtës që dinë të përshtaten, të sakrifikojnë dhe që ofrojnë garanci maksimale në veprimet e tyre. Të gjitha këto, të zotëruara më së miri nga qendërmbrojtësi i Kombëtares.

SPECIALISTI PËR SULM

Sa herë që Atalanta ka nevojë të jetë më sulmuese, sidomos në pjesët përmbyllëse të ndeshjeve, shpesh ndodh të kalojë në skemën 2-4-3-1. Por si? Thjesht, Gjimshiti spostohet përpara, merr rol në katërshen e mesfushës apo edhe në treshen pas qendërsulmuesit, për të shfrytëzuar fizikun e fortë pranë zonës apo edhe shtatlartësinë dhe cilësinë me kokë. Thënë shkurt, për një si Gjimshiti skema nuk llogaritet fare. Mjafton t’i shpjegosh çfarë detyre ka për të bërë.

GJIMSHITI

“MARATONOMAKU”

Karriera e tij është shumë interesante. Në fillim, Atalanta e njoftoi si të padëshiruar, mirëpo ditën që do të paraqitej në aeroport për t’iu drejtuar Zyrihut, telefonata e Gasperinit e riktheu. Tani, është një nga lojtarët kyç të bergamaskëve në të gjitha kompeticionet. Mbrojtësi i datëlindjes 1993, Gjimshiti, që nga viti 2016 me dy kalime tek Avelino në B dhe te Benevento në A, është bërë pjesë e formacionit fiks të Gasperinit që prej 2018-ës. 36 ndeshje të zhvilluara këtë sezon, njësoj sa De Ron, por me 37 minuta lojë më tepër. Gjithmonë në fushë në Champions, 720 minuta, dhe në Kupën e Italisë, 360 minuta.

MERKATO

Nën drejtimin e Gasperinit, Berat Gjimshiti është bërë lojtari me “çelësat” e mbrojtjes, më i rëndësishmi në hierarki dhe një futbollist për të cilin Atalanta nuk do të dëgjojë çfarëdo lloj oferte në merkato.

OLSI TUJANI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"