Skaroni: Rino mos të trembet nga Konte, Milanin e rikthejmë në qiell

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2018 | 15:37

Skaroni: Rino mos të trembet nga Konte, Milanin e rikthejmë në qiell

Paolo Skaroni mbulon përkohësisht detyrën si presidenti i Milanit, por si tifoz i lashtë kuqezi, 72-vjeçari përpiqet të japë maksimumin në rolin e tij. Të njëjtën gjë kërkon edhe nga trajneri Xhenaro Gatuzo, të cilin, nëpërmjet një interviste në “La Gazzetta dello Sport”, e siguron për postin: “Rino le të qëndrojë i qetë, megjithëse nuk besoj se nuk është. Është trajneri i Milanit, sepse pikë së pari ka punuar shumë mirë, por edhe sepse e merr punën e tij me shumë përkushtim dhe pasion. Më duket simpatik dhe i dobishëm për skuadrën, e cila nën vëzhgimin e tij e di mirë se duhet punuar maksimalisht dhe se shakatë nuk do të tolerohen”.

SKARONI

Teksa për teknikun 40-vjeçar ushqen simpati, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për paraardhësit e tij. Jonghong Li dhe Marko Fasone mbase nuk konsiderohen armiqtë, por “bëmat” e tyre rrezikuan seriozisht fatin e “Djallit” me Skaronin që shpjegoi: “Jonghong Li kë ka habitur. Nuk e kuptoj se si një njeri që investon qindra miliona të hedhë në erë planet e tij për 32 milionë euro. Mungesa e kësaj pagese rrezikonte që të linte Milanin jashtë kampionatit të Serisë A. Jonghong Li mbetet një personazh me shumë pikëpyetje, të cilat mbase nuk do t’i shqiten kurrë. Për sa i përket Marko Fasones, disa vendime të tij nuk më pëlqyen që në kohën kur isha thjesht anëtar i bordit të aksionarëve minoritarë. Ai nuk merrte kurrë mendimin e askujt dhe mendoj se gaboi kur krijoi një shoqëri paralele që do të merrej me stadiumin”.

Scaroni

Fondi “Elliot” dhe planet e drejtuesve të tij janë afatgjata. Në fillim flitej për tre vjet, por Skaroni shpjegon se koha mund të jetë edhe më gjatë. “Në futboll suksesi dhe dështimi bien menjëherë në sy. Impakti i tyre është i jashtëzakonshëm, ndaj drejtuesit e ‘Elliot’ nga njëra anë e shohin Milanin si investim financiar, por njëkohësisht edhe si një element që mund të ndikojë në reputacionin botëror të tyre si grup investitor. Familjes Singer i intereson që Milani të rikthehet ai i dikurshmi, që ka bërë të dashurohen me ngjyrat kuqezi rreth 400 milionë njerëz nëpër botë. Plani mund të jetë trevjeçar, por kjo nuk do të thotë që nuk do të zgjasë edhe më shumë”. Nga amerikanët tek afrikani Ivan Gazidhis.

Scaroni-Gattuso

52-vjeçari është emri më i përfolur për rolin e administratorit të deleguar për kuqezinjtë dhe emërimi i tij do të lehtësonte Skaronin nga roli aktual. Për 72-vjeçarin çështja do të zgjidhet shumë shpejt, teksa sqaroi: “Bisedimet me Gazidhisin vazhdojnë, por zgjedhja e administratorit është një proces që duhet zhvilluar me afatet e duhura, në mënyrë që të bëhen vlerësime të sakta. Sa herë ka një vonesë, mundohem të siguroj bashkëpunëtorët dhe tifozët, që në krye jam unë, që gjysmën e kohës time e kaloj në klub. Na duhet një person që të na shtojë fitimet, pasi me 800 milionë euro xhiro vjetore mund t’i lejonim vetes investime madhore dhe jo vetëm për sa i përket përforcimit të skuadrës, por edhe për stadiumin apo projekte të tjera me qasje ekonomike”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"