Skaneri i Vllaznisë, Kaçi: Skuadër pa “gjak”, nuk japim maksimumin në fushë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 14, 2017 | 19:13

Skaneri i Vllaznisë, Kaçi: Skuadër pa “gjak”, nuk japim maksimumin në fushë

Albert Kaçi, ish-sulmuesi i ekipit të Vllaznisë kampion me këtë skuadër në sezonin 2000-2001 e po ashtu kampion me ekipin e Elbasanit në sezonin 2004-2005, është shprehur se situata te Vllaznia pas 5 javëve të para nuk është e mirë. Kuqeblutë kanë marrë vetëm 5 pikë në këto 5 javë dhe, për më tepër, vetëm një në shtëpinë e tyre në dy takime.

Kaci Vllaznia

Sipas Kaçit, mosharmonizimi i duhur dhe mungesa e shpirtit të garës janë ato që momentalisht po i mungojnë kësaj skuadre në këto 5 javë të para. “Të vjen keq që skuadra nuk ka arritur të marrë më shumë pikë në këto javë të para, pasi përballë ka pasur pothuajse të gjithë skuadrat që janë rivale direkte të saj në këtë sezon. Ajo që kam parë unë në këto javë të para është mungesa e shpirtit të garës që kanë shprehur këta lojtarë.

Ne kemi qenë ata që e donim Vllazninë me shkodranë, një gjë e tillë tani është evidente, por nga ata duhet që të japin maksimumin e për këtë fanellë. Kjo grintë mungon në këto takime. Po ashtu nuk e shikoj të harmonizuar siç duhet skuadrën. Problemet financiare e treguan se nuk janë një justifikim për këto rezultate. Tani u takon kë- tyre djemve që të japim më shumë për fanellën që mbajnë. Duhet të tregohen më me grintë në lojë”, u shpreh Kaçi

Kaci

Sulmi- Një nga pikat më kritike të skuadrës është pikërisht sulmi. Tre gola në 5 takime janë treguesi më i mirë i shterpësisë së kësaj skuadre në këtë repart. “Normalisht që sulmi që në nisje pritej që të ishte problematika kryesore e kësaj skuadre. E pikërisht i tillë po rezulton. Atsina u mor pasi nuk u gjet një tjetër sulmues.

Ai jo vetëm që tani u dëmtua, por edhe kur është aktivizuar nuk ka justifikuar blerjen. Ndërsa për Ribajn do të thosha që mund të ketë ende për të dhënë. Me vetëm një sulmues do ta ketë të vështirë edhe vetë tekniku Cungu.

vllaznia1

Megjithatë, unë kam besim se ai do dijë që të improvizojë sulmues me lojtarët që ka në dispozicion, siç edhe bëri në takimin me Flamurtarin ku ia besoi sulmin Çinarit, Krujës apo edhe Kalasë. Vllaznia po vuan në lojën në sulm dhe kjo shpresoj që të rikuperohet takim pas takimi”, shtoi ishsulmuesi.

Besimi- Pavarësisht kritikave, në fund të fjalës së tij, ish-futbollisti shkodran, Albert Kaçi, është shprehur optimist për përmirësimin e situatës te kjo skuadër. “Unë jam optimist në vetvete për përmirësimin e situatës. Ajo që shikoj, është se ekipi po rritet në lojë, por duhet që të arrijë të shënojë.

vllaznia

Mund të gabosh prapa, pasi nuk ka asnjë shans që të mos gabohet, por duhet që të shënohet. Shpresoj se edhe në këtë drejtim do të rikuperohet skuadra. Po shikojmë edhe skuadra të tilla si Partizani me shumë buxhet e me shumë ambicie nuk janë aty ku priteshin në javët e para.

Madje, për mendimin tim, janë më keq se Vllaznia. Prandaj nuk duhet parë gjithçka zi, por duhet që të shpresojmë te kjo skuadër. Unë kam mendimin se, në fund të sezonit, ky ekip do të jetë në mesin e lart të tabelës, atë objektiv që ka që në start”.

Admir Uruçi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"