“Skaneri” i një dekade, Elbasani ka prekur… fundin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 27, 2020 | 11:01

“Skaneri” i një dekade, Elbasani ka prekur… fundin

Nëse ka një klub që ka provuar gjithçka në futbollin shqiptar, pa frikë mund të thuhet se është Elbasani. Një ekip që ka prekur majën dhe fundin, nga fitues i kampionatit dhe Kupës së Shqipërisë e deri në Kategorinë e Dytë. Megjithatë, në dekadën e fundit statistikat nuk kanë vend për krenari. Misioni i vetëm që kanë pasur, ishte një: mbijetesa.

Elbasani goli logo

“Panorama Sport” u bën një “skaner” verdhebluve të këtij 10- vjeçari, nivelin ku ka luajtur dhe pozicionin që ka zënë në renditje. Ajo që bie në sy se dominon prezenca në Kategorinë e Parë dhe fundi i tabelës. Dy herë kanë dalë kampionë këto dhjetë vitet e fundit, në sezonin 2013-2014, ku militonin në të Parën, duke siguruar kështu ngjitjen në Superiore dhe në sezonin 2017-2018 në të Dytën, ku u ringjitën në Kategorinë e Parë. Sakaq, sa u përket tetë sezoneve të tjera, kanë qenë për t’u harruar, me pozicione pa “vlerë” në klasifikim.

SEZONI AKTUAL – Për sezonin aktual ende nuk mund të flitet se çfarë Elbasani do të shohim në fushë, por gjasat janë që të jetë po i njëjti klub i këtyre 10 viteve të fundit, me objektivat që nuk duken madhorë. Kjo, e lidhur me ndërhyrjet që janë bërë në merkato, ku kryesisht kanë ruajtur ekipin i cili vitin e kaluar me shumë vështirësi ia doli të mbijetonte në të Parën dhe kanë munguar afrimet me lojtarë “big”. Megjithatë, nëse e krahasojmë me pesë sezonet e fundit që kanë milituar në Kategorinë e Parë (një herë në të Dytën), në letër duket një skuadër tjetër, edhe pse jo aty ku të gjithë shpresojnë. Ky sezon do të jetë i pesti radhazi për verdheblutë që nuk do të luajnë në Superiore, si asnjëherë më parë në historinë e vet 100-vjeçare. Mjafton vetëm ky fakt për të treguar edhe situatën në të cilën ndodhet ky klub futbolli, me dekadën e fundit që mund të konsiderohet si ndër më të errëtat e saj.

ELB

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"