“Skaneri” i Muçës: Fiton Tirana, humbja i lë pa Europë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 19, 2016 | 13:16

“Skaneri” i Muçës: Fiton Tirana, humbja i lë pa Europë

Shkëlqim Muça parashikon fitoren e Ti ranës në eurondeshjen që luhet në “Selman Stërmasi”, pasi ndryshe do të mbeteshin jashtë garës. Ish-trajneri mendon se në krizën e bardhebluve ka ndikuar humbja në derbi, por jo vetëm.muca Sipas tij, klubi duhet të ndryshojë stil menaxhimi, ndërsa lojtarët duhet të japin shpirtin në fushë, pasi kualitetet nuk mungojnë. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, 55-vjeçari u bën apel tifozëve që të lënë sensin e protagonizmit në këtë periudhë të vështirë dhe ta mbështesin ekipin. Në fund ai komenton edhe luftën për titullin, ku sheh Skënderbeun favorit. Ndërsa humbjen e Partizanit ndaj korçarëve e cilëson të pamerituar.

Keni drejtuar Tiranën, por keni pasur edhe një përvojë të shkurtër te Kukësi. Si “ish” i të dyjave, si e parashikon Muça këtë duel?

Është me të vërtetë një duel Europe, pasi ky është misioni i vetëm që u ka mbetur që të dy ekipeve. Kukësi ndoshta ka një avantazh, pasi ka edhe Kupën si opsion për të realizuar këtë synim. Ndërsa për Tiranën ky është shansi i vetëm dhe, për rrjedhojë, ky takim është më i rëndësishëm për kryeqytetasit.

Mendoni se rezultati i kësaj sfide do të jetë përcaktues për zonën “Euro”?

Patjetër që po, pasi janë kundërshtarë direkt. Por, lufta mes tyre, përfshi këtu edhe Teutën, do të jetë e hapur.

Cilën shihni më të favorizuar, duke parë edhe ecurinë në javët e fundit?

Tiranën, pasi luan në shtëpi. Aq më tepër që ka në favor edhe përballjet direkte me këtë kundërshtar në këtë sezon. Ka marrë maksimumin.

Përtej startit të mirë në 2016-ën, Tirana ka 5 javë që nuk fiton…

Kukësi vjen pas rezultateve pozitive në këtë përballje, ndërsa Tirana negative. Por në futboll nuk ndikon shumë ajo që ka kaluar. Çdo ndeshje është një histori më vete. Pastaj, Tirana e ka të qartë se një humbje do ta nxirrte nga gara për Europë. Tirana në javët e fundit ka ndier mungesat e shumta.

Kjo gjendje konvaleshence do të jetë përcaktuese edhe të dielën?

Mungesat e pezullimet janë pjesë e kampionatit dhe, për fatin e keq të Tiranës, po i ndodhin pikërisht tani.

Çfarë këshille do t’i jepnit ish-ekipit që ta kalojë ngërçin?

Të jenë të qetë, të mos shikojnë mbrapa dhe të luajnë me shpirt në fushë. Të bëjnë ndeshjen e tyre, mundësitë i kanë, duke iu referuar këtu edhe kontingjentit. Parësore është që të luhet me shpirt. Pasi kur luajnë pa shpirt, Tirana kthehet në një ekip të zakonshëm.

Kukësi ka një avantazh shumë të madh në këtë ndeshje, ka “bomberin” Emini që i ka dhënë pikët, ndërsa Tirana nuk e ka një të tillë…

Kukësi ka pasur një kurbë në ngritje sa u përket rezultateve, por, sikundër e thashë, në të tilla ndeshje nuk ka ndikim e kaluara. Mjafton që të jesh i karikuar. Parashikoni një ndeshje të kujdesshme në mbrojtje, apo që do ketë edhe gola? Tirana nuk ka alternativë tjetër, përveçse të luajë në sulm. Pikët që ka në mangësi e kushtëzojnë, ndërsa Kukësi vjen edhe për dy rezultate, mjafton që të mos humbë. Pastaj edhe ndeshja e Teutës është përcaktuese për garën e Europës, pasi durrsakët luajnë me Partizanin. Me fjalë të tjera, për Tiranën kjo është një ndeshje për jetë a vdekje. Një barazim do të ishte humbje për bardheblutë.

Ndezja e dritave në “Selman Stërmasi” mund të jetë ogur i mirë për kryeqytetasit?

(Qesh). Të luajnë me topa poshtë dhe jo shumë lart, që të mos verbohem. Megjithatë, këtë po e them për batutë, pasi këto faktorë nuk kanë ndikim.

Akoma nuk është vendosur nëse tifozët e Tiranës do të jenë në stadium, si e gjykoni këtë tërheqje?

E kam thënë gjithmonë që ata duhet të bëjnë detyrën e vet. Edhe kur isha trajner, kështu lindi konflikti im me klubin. Në takimin që unë pata me tifozët u kërkova që të jenë pranë ekipit dhe jo të bëhen protagonistë kur skuadra ka rezultate negative. Ata duhet të jenë pjesë e ekipit në çdo ndeshje, në të mirë e në të keqe dhe të japin mbështetje. Gjithashtu të kenë diçka të qartë, se drejtuesit, stafi dhe vetë lojtarët zbresin në fushë, duan gjithnjë të fitojnë, por dihet që futbolli i ka që të tre rezultatet brenda.

Pra, ju mendoni që e gjithë kjo “ftohje” shkon në dëm të ekipit…?

Natyrisht, pasi tifozët janë lojtari i 12-të i skuadrës. Tifoz i mirë është ai që të mbështet në ditë të vështirë. Tirana mirë që nuk po shënon, por ka prishur edhe bilancin pozitiv në mbrojtje.

Pse ndodh kjo?

Problematika është komplekse dhe faktorët janë si të brendshëm e të jashtëm, psikologjikë e teknikë, fati apo menaxhimi. Janë të gjitha. Ndonjëherë problemet e brendshme shoqërohen edhe me rezultate të dobëta.

Merkato është një ndër to, meqenëse ju jeni një ndër ata që jeni marrë me “pazarin” në verë?

Tirana ka një skuadër të mirë dhe këtë e ka dëshmuar me rezultate në disa ndeshje. Lojtarët janë, por unë mendoj se problemi është te menaxhimi i situatave. Si për shembull rregullat në klub, marrëdhëniet brenda klubit dhe ato te tifozët, apo edhe pagesat. Financat janë shumë vendimtare në ecurinë e një ekipi. Nuk e di si janë tani, por kur isha unë kishte probleme. Një hallkë nga këto të mos funksionojë, jep direkt pasoja. Pra, duhet një rishikim i gjendjes. Pasi po ta shohësh, trajneri e ka rregulluar ekipin në aspektin teknik. Dhe jemi të gjithë koshientë kur themi që lojtarë ka.

Lojtarë ka, por trajneri Daja pas humbjes në Shkodër deklaroi se priste më shumë nga eksperienca…

Unë i jap gjithnjë të drejtë trajnerit. Çfarëdo që të thotë, jam me të. Kam qenë trajner dhe e di që ai do gjithnjë më të mirën.

Meqenëse u ndalëm te trajnerët, si e parashikoni duelin Daja-Duro?

Trajnerët janë ata që përgatisin skuadrën dhe e orientojnë, dora e tyre ka shumë rëndësi. Por pastaj në fushë janë lojtarët që interpretojnë dhe luftojnë.

Cilat janë pikat e forta të dy ekipeve?

Tirana ka grintën dhe lojën e grupit. Kukësit i mungon pak kjo, por luan futboll. Do të fitojë çdo ndeshje dhe nuk është një ekip që mbrohet, por luan hapur. Këtë do të shohim edhe të dielën, por duke iu referuar stilit të të dyjave, më shumë përqindje u jap bardhebluve.

Po të dobëta a kanë?

Mund të jenë të shumta. Por pikë e dobët është ajo që, kur një ekip futet në fushë, nuk paraqet grintë dhe shpirt. Skuadra që do të jetë e orientuar mirë në fushë nga minuta e parë e deri në finish, në fund do të ketë sukses.

Tiranën e shihni fituese, por a do të guxonit deri në rezultat?

Jo, jo. Kaq them, fiton Tirana, s’kanë rëndësi shifrat. Unë nesër dhe në çdo ndeshje jam tifoz i Tiranës. Tirana ka plot 8 ndeshje pa fituar në derbi.

Çfarë emri do t’i vendosni kësaj krize ndaj rivalit historik?

Unë parashikova një fitore, duke shpresuar që ajo do të ishte ndeshja e kthesës. Por, sikundër e thashë, në futboll nuk ka parashikime. Ndoshta fati, golat e shpejtë që pësuan i “gozhduan”. Është ngërç psikologjik ndoshta. Derisa pas asaj sfide vazhdon të mos fitojë, një faktor që ndikon në krizë është edhe ajo humbje në derbi. Të spostohemi pak te gara e titullit.

Cila skuadër e fiton kampionatin?

Kampionati është drejt fundit të fazës së tretë dhe skuadrat janë ndarë qartë se kush lufton për titull dhe kush për Europë. Skënderbeu dhe Partizani po zhvillojnë një garë të fortë, por ka dhe 10 ndeshje, ndaj nuk mund të quhet e mbyllur. E kam thënë edhe në mesin para 10 javësh që korçarët janë më të favorizuar, por Partizani ishte shumë afër për ta rihapur garën. Por fatkeqësisht nuk mori atë çka meritonte. Luajti mirë, por humbi dy pikë. Ishte një ndeshje perfekte për të kuqtë, si në planin taktik, edhe në grintë. Por me atë paraqitje që bënë, nuk duhet të kenë asnjë pishman nga ato 90 minuta.

E fundit, po trofeun e Kupës kush do ta marrë?

Laçi, ata janë favoritët. Kanë një ide të qartë, janë të fokusuar totalisht te Kupa dhe do të jenë me kontingjent të plotë në këtë trofe. Madje, në ndeshje të veçanta në kampionat mundohen që të mbrohen. Kanë një strategji të qartë: duan trofeun.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"