Skaneri i merkatos kuqezi, ja lëvizjet më të bujshme

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2018 | 23:39

Skaneri i merkatos kuqezi, ja lëvizjet më të bujshme

Një verë e trazuar dhe me telefon apo valixhe në dorë. E tillë ka qenë periudha e merkatos së transferimeve për shumë nga futbollistët e Kombëtares shqiptare. Situata ka prekur thuajse të gjithë repartet, me përjashtim të portës, teksa Strakosha, Berisha e Alban Hoxha kanë qëndruar pjesë e skuadrave, me të cilat mbyllën sezonin e shkuar. “Panorama Sport” sjell situatën e të gjithë futbollistëve të Kombëtares, me skuadrat që kanë ndryshuar dhe situatën e secilit.

kombetarja-fitore

PORTIERËT

Miliona të ofruara për Lacion dhe Strakoshën, por gardiani kuqezi qëndroi pjesë e bardhekaltërve dhe vazhdon të tregojë se është një pikë referimi. Për Berishën, situata është më pak pozitive.

Edhe pse bëri një sezon të mirë me Atalantën një vit më parë, trajneri Gasperini i ka besuar më së shumti Golinit, edhe pse javë pas jave, paraqitet me një sërë gabimesh. Skuadra franceze dhe disa italiane ishin të interesuara për gardianin kuqezi, por asnjë ndryshim. Alban Hoxha vijon të jetë pjesë e të kuqve të Partizanit në vendin tonë.

MBROJTËSIT

Tre prej tyre ishin pa ekip në grumbullimin e fundit, mirëpo trajneri Panuçi zgjodhi të grumbullojë vetëm Mërgim Mavrajn. Ky i fundit, pas mbylljes me jo pak polemika të aventurës në Hamburg, ku drejtuesit u sollën aspak si profesionistë duke e përjashtuar pa shkak, gjeti akord së fundmi me Arisin në Selanik, ku “shkues” u bë Migjen Basha.

mavraj

Arlind Ajeti, gjithashtu prej pak ditësh është pjesë e Grasshopersit, duke u rikthyer në kampionatin helvet, por si kundërshtar i Bazelit. Për Hysen Memollën pati disa tentativa nga drejtuesit e klubit për ta bindur që të largohej, madje duke e dërguar në ekipin B si ndëshkim, por më pas gjithçka ndryshoi dhe është kthyer te Hajduk Split.

arlind ajeti grasshoper

Egzon Binaku është bërë pjesë e Malmos së fundmi, me të cilën fitoi edhe një ftesë nga Panuçi për Kombëtaren. Ivan Balliu, pas disa lajmesh në merkato për t’u larguar, ka vijuar sezonin me Metz në Ligën e dytë franceze. Berat Gjimshiti, pasi përfundoi huazimin te Benevento, është rikthyer tek Atalanta.

MESFUSHORËT

Migjen Basha e mbylli me polemika aventurën te Bari dhe më pas nënshkroi me Aris në Greqi, ku edhe ka bërë start pozitiv. Për Memushajn, rikthimi te Peskara pas Beneventos duket se ishte zgjedhja perfekte. Keidi Bare, kapiteni i Kombëtares U-21, ndërroi skuadër dhe u bë pjesë e Atletikos së Malaguese, ekip satelit i Malagës. Eros Grezda mund të konsiderohet edhe transferimi më i bujshëm, teksa mesfushori me tipare të avancuara iu bashkua Rejnxhërsave të drejtuar nga Stiven Xherard.

grezda

Sabien Lilaj, pasi la Skënderbeun, u transferua në Azerbajxhan, ku edhe sfidon Karabakun e Agollit me Gabalanë. Serial u bë periudha e transferimeve për Kamer Qakën, i cili u transferua me shumë bujë nga Poli Iasi te Steaua e Bukureshtit.

lilaj

Mirëpo, duke mos bindur stafin dhe presidentin, mes shumë polemikash, u rikthye sërish në formë huazimi te Poli Iasi. Kristal Abazaj hodhi hapin e madh sa i përket kampionatit dhe skuadrës, por ende nuk po përshtatet me Anderlehtin.

 

SULMUESIT

Sokol Cikalleshi ka qëndruar në Superligën turke, duke iu bashkuar Goztepes në formë huazimi, pasi Osmanlispori që i zotëron kartonin ra në ligën e dytë. Rei Manaj, pasi përfundoi huazimin te Granada, drejtuesit e Interit i gjetën atij një skuadër sërish në Spanjë, tek Albasete.

Guri55

Sidri Guri në hapat e Abazajt, por me Ostenden. Disa ndeshje, por pak bujë në vijën e parë të sulmit. Azdren Llullaku u rikthye në Rumani duke shënuar dy gola me Astra Giurgiu, pasi Entela ra në Serinë C italiane.

kuqezinjt

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"