“Skaneri” i Martinit: Nuk është finale, por presioni mbi Vllazninë. Asgjë nuk mbyllet këtu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 17, 2018 | 20:09

“Skaneri” i Martinit: Nuk është finale, por presioni mbi Vllazninë. Asgjë nuk mbyllet këtu

Vllaznia kërkon që të evitojë “rokadën” me Teutën. Ndeshja e së hënës është realisht përcaktuese për shkodranët, ndaj do të bëjnë çmos që t’ia dalin me sukses këtë të hënë ndaj durrsakëve. Edhe pse cilësohet si një “finale” mbijetese, Edi Martini mendon se asgjë nuk varet nga ky 90- minutësh. Edhe pse të dyja i sheh të rrezikuara, ai thekson se janë edhe shumë javë e pikë në lojë, çka mund të sjellin përmbysje të situatave.

Në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, ish-trajneri i shkodranëve i bën skanerin këtij dueli. “Mund të them se do të jetë një përballje që nuk do t’i mungojë emocioni. Vetë pozitat që skuadrat kanë në tabelën e renditjes, e bëjnë këtë takim më interesant. Por, kushdo qoftë rezultati i këtij 90-minutëshi, nuk do të thotë që njëra apo tjera i jep fund sezonit. Ka shumë pikë në lojë, ndaj si Vllaznia ashtu edhe Teuta do të kenë një luftë të fortë deri në fund. Janë luajtur 19 javë, ndaj nuk mund të mos përmendim që ndonjë ekip tjetër do t’i shtohet zonës së rrezikut.

edi martini

E theksoj që do të jetë një përballje e vështirë për të dyja, por mendoj se presoni është më i madh karshi shkodranëve. Shanset për ta fituar ekzistojnë sigurisht dhe anojnë nga vendësit. Por, pas nuk mbetet as Teuta, e cila ka marrë pikë në Shkodër, sa herë që ka pasur nevojë imediate. Të tre rezultatet janë në lojë në këtë takim”, tha fillimisht Martini.

NIVELI

Ish-sulmuesi nuk sheh asnjë skuadër më lart se tjera. Kjo nisur jo vetëm nga renditja, edhe nga organika. “Mendoj se nuk kanë shumë diferenca të dyja skuadrat. Unë i kam ndjekur mirë si njërën ashtu edhe tjetrën, jo vetëm nga televizioni, por edhe në stadium. Të dyja kanë pikat e forta dhe të dobëta. Por, në fund, mund të them se janë në një nivel. Do të jetë një ndeshje e luftuar dhe avantazhi i vetëm i Vllaznisë është fakti që do të luajë në shtëpi. Mendoj se faktori fushë dhe prania e tifozëve do të jenë një plus për kuqeblutë. Megjithatë, siç edhe e thashë, Vllaznia ka më shumë presion për ta fituar këtë takim”, vijoi ai.

vllaznia

E ARDHMJA

Ish-tekniku nuk është se nuk beson te skuadra e tij e zemrës. Pavarësisht kritikave, në fund të fjalës së tij, ka deklaruar se ka vend për të shpresuar. “Që do të jetë një sezon i vështirë deri në fund kjo nuk diskutohet, por që, nëse Vllaznia arrin të bëjë mirë punën e vet, pra të mbledhë pikë në çdo takim, pavarësisht kundërshtarit dhe fushës. Tashmë nuk kanë rëndësi nëse luajmë bukur, por vlejnë pikët që do të merren sidomos jashtë fushe. Nëse mbledhin pikët e nevojshme, do të vijë edhe qetësia dhe rrjedhimisht do largohet trysnia. Të besojmë dhe të shpresojmë që skuadra do ta nisë kthesën ndaj Teutës, duke arritur një fitore”, përfundoi Edi Martini.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"