Skaneri i Alban Tafajit: Ze Maria ka meritë për suksesin, ja pse Tirana ra nga kategoria

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 20, 2018 | 21:49

Skaneri i Alban Tafajit: Ze Maria ka meritë për suksesin, ja pse Tirana ra nga kategoria

I fundit trajner që ka fituar titullin kampion tek Tirana dhe pjesë e skuadrës së fundit të Partizanit që është kurorëzuar me titull. Alban Tafaji, aktualisht punonjës në FSHF në sektorin e edukimit dhe licencimit të trajnerëve, shpjegon procedurën për një trajner të ri, si dhe analizon dy ishekipet e tij. Tek Tirana pozicionohet gjatë, ku veçon menaxhimin si pjesën më të dobët dhe kryesore për rënien, ndërsa për Partizanin komenton drejtuesit dhe afrimin edhe të Moxhit.

Tafaji

Tafaji, jeni punonjës i Federatës te sektori i edukimit dhe licencimit të trajnerëve. Si merret një licencë trajneri?

Prej disa vitesh, më saktë që nga viti 2004, falë iniciativës së presidentit Armand Duka dhe bashkëpunimit me UEFA-n, është bërë e mundur licencimi i trajnerëve tanë. Kjo licencë që merret te ne është e barasvlershme me të gjitha vendet e tjera. Bëhet fjalë për një licencë të unifikuar nga UEFA, me të njëjtin program kudo.

Sa lloje licencash ka?

Kriteret e licencimit vijnë si nacionale: Licenca C dhe më e reja, kjo për mësuesit e fizkulturës, licenca D. Kurse nivelet e licencimit europian, pra ekuivalentet në të gjithë Europën, janë B, A dhe Pro.

A mund t’i përshkruajmë shkurtimisht kriteret për secilën kategori?

Për licencën B, mosha duhet të jetë mbi 23 vjeç, duhet të ketë minimalisht 10 vite karrierë si futbollist profesionist. Zgjat gjashtë javë dhe rreth 120 orë.

Për licencën A, duhet që minimalisht të kalojë një vit kalendarik duke ushtruar trajnimin pas licencimit në nivelin B. Me këtë licencë mund të ushtrosh rolin e zëvendëstrajnerit në Kategorinë Superiore dhe mund të jesh trajner i parë në të gjitha nivelet e moshave më poshtë. Është 180 orë dhe zgjat shtatë javë.

Pas moshës 30 vjeç, nis kursi UEFA Pro, i cili konsiderohet si master. Për këtë duhet që aplikanti të ketë punuar mbi tri vite në nivelin profesionist. Në këtë kategori janë 360 orë dhe shtrihet në rreth një vit, nga shtatori deri në qershor.

alban tafaj

A ka filtra në sistemin e licencimit për trajner?

Duhet kuptuar diçka, edhe për të gjithë trajnerët që ulen në auditor. Kursi nuk të bën të jesh trajneri më i aftë, por është puna individuale. Licenca hap vetëm një dritare, pasi ofron mundësinë që të ulesh në pankinë dhe të drejtosh, duke qenë i kualifikuar. Puna e vazhdueshme dhe intuita e bën diferencën. Aftë- sia për të menaxhuar grupin e lojtarëve është edhe aftësia kryesore e një trajneri.

Kë do të përmendnit nga trajnerët që janë evidentuar?

Është një brez i mirë trajnerësh me UEFA Pro që kontribuojnë, si në kampionatin tonë, ashtu edhe një Kosovë. Siç janë rastet e Mirel Josës, Gugash Maganit dhe Sulejman Starovës. Te ne më së shumti rezultate ka pasur Ilir Daja, mendoj unë. Gjithashtu edhe Mirel Josa, sërish te Skënderbeu që ka arritur nivele të larta.

Si futbollist dhe si trajner, i keni kaluar të gjitha etapat…

Tek Tirana ka ndodhur që të jem lojtar, kapiten skuadre, deri te nivelet e drejtimit dhe trajnerit. Jam i fundit që kam fituar titull. Isha drejtor teknik dhe mora ekipin pas largimit të Agustin Kolës, kam drejtuar pesë ndeshjet e fundit.

Si “ish”, çfarë i ka munguar Tiranës për të pasur sukses?

Pjesa që më ka dhembur gjithmonë tek Tirana është ajo e menaxhimit, sepse ka kaluar në shumë etapa dhe ndryshimet e shpeshta nga bashkia te privati kanë krijuar probleme. Në periudhën e bashkisë ka qenë shumë e vështirë dhe mund të kujtoj rastin e Rubios, për të cilin janë dashur sakrifica që të qëndronte. Në fakt, me të fituam tre nga katër trofetë e mundshëm (dy Superkupa, dhe Kupën e Shqipërisë) dhe roli i tij ishte vendimtar te lojtarët. Sakrifica për ta mbajtur nuk ishte vetëm e imja si krahu i tij i djathtë, por sidomos edhe e Halilit, pasi edhe pse nuk ishte post shumë i konsoliduar si president për shkak të dokumentacioneve dhe Bashkisë, ai bëri të mundur mbajtjen e atij trajneri tek Tirana. Rubion më duhet ta veçoj, pasi për nga niveli i lartë i profesionalizmit, dinte të ndante problematikën e klubit në atë periudhë nga pjesa e lojtarëve, të cilëve u largonte trysninë dhe presionin, duke i bërë që të kishin rezultate.

Menaxhimi ka sjellë një sërë borxhesh tek Tirana, ku së fundmi e penalizuan edhe në UEFA…

Në atë periudhë kishte edhe kontrata të mbartura nga paraardhësit e mi. Por, edhe në periudhën që kam qenë unë, nuk ndahej përgjegjësia për shlyerjen e detyrimeve, pasi nuk ishte ende e qartë situata e donatorit Halili në raport me bashkinë që kishte drejtimin dhe klubit iu shtua fatura e borxheve. Por, tek Tirana ka edhe gjëra pozitive.

alban tafajj

Kujt i referoheni?

Pjesa e të rinjve që janë aktivizuar. Grupi i të rinjve që janë afruar në ekipin e parë, duke i ndërthurur me lojtarët me eksperiencë, janë garanci e madhe që klubi të ketë suksese në të ardhmen. Menaxhimi i grupit është më i rëndësishëm, pasi nuk ka qenë i duhuri. Nuk është nevoja që të përmend emra, pasi dihen ata që kanë punuar. Mbase, nuk kanë pasur impenjimin e duhur për të bërë më të mirën tek Tirana.

Çfarë do sugjeronit për Tiranën, e cila edhe sapo është ngjitur?

Unë e vendos theksin te ky grup të rinjsh. Që nga porta kam parë një portier të ri që mund të dublojë Likën e shumë të tjerë. Është e vështirë që rikthimi në Superiore të jetë me një ekip direkt pretendent për gjithçka, ashtu siç e mendojnë dhe siç e duan të gjithë tifozët. Më mirë të jetë pak më e ulët në renditje, por të punojë fort me një grup futbollistësh që shumë shpejt të garantojnë edhe suksese sportive, por edhe të ardhura si produkte të akademisë. Shumë të tjera e kanë bërë ndër vite, duke mos menduar vetëm për një sezon, por në perspektivë. Unë sugjeroj të synohen vendet e sipërme të tabelës dhe Kupat e Europës, sepse e rrisin moralisht ekipin, përveç të ardhurave, dhe duke konsoliduar grupin, do të vijnë trofetë.

Tifozët e Tiranës, u ndanë në dy pjesë pas rënies: Një pjesë ia faturuan Federatës dhe një pjesë presidentit. Po ju?

Isha pjesë e Federatës dhe duke e ndjekur vazhdimisht, s’e mendoja kurrë se do binte. Nuk e mendoja kurrsesi që dy ekipe me shumë emër, si Tirana dhe Vllaznia, të luanin atë finale mbijetese. Sipas meje, përderisa u bë pjesë e diskutimit deri në ndeshje të fundit, ishte më shumë se gjysma e rrugës e bërë për të rënë. Vllaznia luante për dy rezultate në fushën e saj, ndërsa Tirana jashtë dhe vetëm për fitore.

Cilat ishin shkaqet që ra Tirana?

Pjesa e menaxhimit, harmonizimi i grupit, trajnerit, stafit drejtues dhe njerëzve që janë përgjegjës për pjesën organizative. Nëse nuk ekziston një organizim i mirë, nuk ka si të vijnë rezultatet dhe ndodh ajo që ndodhi me Tiranën. Fanella ka pjesën e saj për rezultatet pozitive, tifozëria një pjesë shumë herë më të madhe, por në fund janë protagonistët dhe parapërgatitja që bëhet, e cila sjell frytet në fund. Për mua, nuk është bërë maksimumi nga ata që menaxhuan.

Në të Parën ishte një trajner i huaj si Ze Maria dhe u ngjit menjëherë. A duhet dhënë ende besim për trajnerin brazilian?

Tirana ka pësuar një evolucion brenda grupit nga starti i sezonit deri tani. Meritë ka stafi dhe Ze Maria. Besimi që iu ka dhënë të rinjve, mentaliteti që ka futur në grup, puna që ka bërë. Eksperienca në nivele të larta dhe puna e ka ndihmuar këtë grup. Tirana që në start ishte pretendente, pasi duke ndjekur edhe informacionet ditë pas dite në gazetën tuaj “Panorama Sport”, vihej re që askush nuk lëvizi për t’u forcuar, veç Tiranës.

Keni qenë edhe pjesë e Partizanit. Çfarë ka ndodhur me të kuqtë?

Kam qenë pjesë e formacionit në ekipin që fitoi titullin në vitin 1992-’93. Kryesore ishte menaxhimi dhe krijimi i grupit, ne ishim superiorë ndaj të gjithëve në atë periudhë edhe falë investimit të investitorëve italianë.

Po vitet e fundit, çfarë ka çaluar?

Mua më pëlqen serioziteti që ka presidenti Demi. Por, te Partizani shoh shpesh njerëz rreth klubit që bëhen herë pas here protagonistë. Shfaqen shumë persona që merren me drejtimin, por pa sukses. Mjafton një krah i djathtë për presidentin, profesionist dhe i përkushtuar…

Por, së fundmi te Partizani, i tillë ka qenë edhe një emër si Moxhi…

Moxhi ka historinë e tij dhe e njeh futbollin në nivele shumë herë më të larta. Por, sipas meje, ai ka menduar një kampionat shumë herë më të dobët në Shqipëri sesa ky aktual. Sipas meje është dështuar me sjelljen e lojtarëve dhe e kanë pranuar edhe vetë drejtuesit.

Sërish trajner apo gjatë në përgatitjen e trajnerëve?

Jam mjaft ambicioz dhe më pëlqen kjo punë që bëj. Është një moment, në të cilin ndihem mjaft mirë dhe mjaft i vlerësuar. Dhe për këtë duhen falënderuar që nga presidenti te sekretari i përgjithshëm dhe të gjithë bashkëpunëtorët.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"