SKANDALI/ Shpikje e KOKSH, 9 mijë euro për harkun dhe 0 për mundjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 24, 2019 | 18:35

SKANDALI/ Shpikje e KOKSH, 9 mijë euro për harkun dhe 0 për mundjen

Sporti në Shqipëri po ul siparin e një viti mes shumë problemesh dhe skandalesh. Vëmendjen më të madhe e ka tërhequr Komiteti Olimpik Kombëtar, ku gjithçka kulmoi me asamblenë e përgjithshme të mbajtur disa muaj më parë. Situata degjeneroi në akuza dhe kundërakuza nga drejtuesit e këtij institucioni. 

koksh

Përplasjet ndërmjet presidentit Viron Bezhani dhe sekretarit të përgjithshëm Stavri Bello shkuan deri në prokurori, me presidentin që ka bërë disa padi ndaj sekretarit për shkelje të rënda. Një tjetër temë e ngritur në atë asamble si dhe në disa dalje të mëvonshme për shtyp të kreut të KOKSH-it, ishte edhe shpërndarja e parave në mënyrë të jashtëligjshme për federatat, ku vetëm gjatë vitit 2019 janë bërë disa mbledhje të tilla në kundërshtim me ligjin (denoncuar nga vetë Bezhani).

Në rastin konkret, bëhet fjalë për Federatën Shqiptare të Harkut, e cila drejtohet nga Vojo Molo, aktualisht është edhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv në KOKSH, si dhe mban edhe rolin e zv.presidentit në KOKSH.

Bezhani njoftoi se më datë 13 mars 2019, Federata e Harkut ka përfituar 4773 euro. Më 3 prill, një shumë prej 1897 eurosh, më 6 qershor 1245 euro si dhe më 2 prill ka bërë një zhdoganim me vlerë 130 mijë lekë (afërsisht 9 mijë euro në total). Gjithashtu, këtë vit është miratuar edhe një projekt për harkun në shkolla, me vlerë 10 mijë dollarë. Ndërsa gjatë asamblesë Bezhani kishte ngritur dyshime edhe për një shumë 5492 euro të një kompanie armësh, të blera nga Federata e Harkut me mbështetje nga KOKSH.

hARKU

Deri këtu nuk ka asnjë problem, pasi të mbështesësh federatat dhe sportin patjetër që është diçka pozitive, por sigurisht që duhet respektuar edhe një hierarki në këtë mbështetje dhe nuk është aspak normale që të përfitojë një sport me rezultate dhe traditë modeste para sporteve elitare në vendin tonë. Mjafton të përmendim mundjen, e cila gjatë këtij viti jo vetëm që nuk ka marrë mbështetje nga KOKSH, madje ka paguar bileta dhe fatura të cilat duhet t’ia shlyente Komiteti Olimpik Kombëtar, por që deri në këto momente nuk e ka bërë.

Mundje

Mjafton të shikosh këtë rast për të kuptuar se si funksionon mbështetja ndaj sportit në vendin tonë, ku për të bërë ndarjen e parave, me sa shikohet, nuk kanë aspak rëndësi rezultatet, pasi gjithçka vendoset në bazë të pushtetit dhe miqësive që mund të kenë krerët e federatave në KOKSH.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"